Ushqimet po helmojnë shqiptarët

379
Sigal

Specialistët japin alarmin: Qumështi pluhur përdoret gjerësisht në prodhimet e bulmetit. Ja prodhimet shqiptare me pesticide të denoncuara në portalin e KE

 

Jo vetëm kompanitë e mëdha, por edhe fshatarët tani janë bërë mjeshtra. Qumështin e bagëtive e ‘ngopin’ me qumësht pluhur, djathin me niseshte apo dhe produktet e tjera me vaj palme. E keni vënë re? Kosi nuk thartohet, madje ësntë i trashë ‘kopaç’ si kos deleje, apo buallice. Djathi si llastik, qumështi me shtresë yndyre lart që nuk është gjë tjetër veç qumësht pluhur. Po gjalpi? Margarinë e gjallë. Provojeni dhe treteni si do ju mbesin copa ‘inertesh’. Dhe kështu ne po konsumojmë produkte që po na shkurtojnë jetën. Alarmin e kanë dhënë edhe specialistët.  Merita Uruçi specialiste e sigurisë ushqimore ka folur për përdorimin e vajit të palmës dhe kazeinës në qumësht dhe përafrimi me rregulloren e BE.

“Si duhet informuar konsumatori? Në produktet me bazë qumështi e dimë që qumështi është baza, që është i formave të ndryshme i pasterizuar apo i sterilizuar. Edhe qumështi pluhur është qumësht, vjen nga prodhimi i gjirit të lopës. Qumështin e dehidratojmë i heqim ujin dhe e hidratojmë kur e kthejmë në lëng. Madje edhe produktet e bulmetit mund të bëhen me qumështin pluhur. Qumështi në përbërjen e tij ka treguesit e vet. Ka disa tregues që duhet të plotësojnë përqindjen e proteinës, yndyrës, densitetit. Në momentin e rregullimit të lëndës së parë, konsumatori do produkt me vlera, prodhimet e bulmetit janë ushqime të pazëvendësueshme. Në momentin kur edhe për arsye natyrale nuk e ka lëndën e thatë që duhet të ketë të përcaktuar me normativa, duhet rregulluar dhe rregullimi bëhet me qumësht pluhur të skremuar. Nuk po flas për shtesën, deri në 2% nuk ka nevojë të rregullohet është e domosdoshme. Kazeina është proteina kryesore në proteinën e qumështit zë 70-75% dhe në procese të ndryshme prodhohet apo në procese të tjera që bëhen kazinate të ngrënshme.

Është vendim që i referohet rregulloreve të BE. I gjithë legjislacioni po i përafrohet dhe pikat po përpiqen të zbatohen. Mund të ketë dhe prodhime të tjera, në supermarkete që vite më përpara nuk deklaroheshin. Kur thua salcë kosi, kosi kullohet e del salca. Në momentin që duhet një teknologji tjetër, konsumatori duhet ta dijë çfarë merr dhe çfarë vlerash ka. Nuk është e pangrënshme. Kjo salcë nuk mund të quhet më salcë kosi dhe në supermarkete e kanë vënë salcë e përzier, sipas Urdhrave dhe vendimeve të dala.

Për mozzarelën, mund të përdoresh kazeinë, vaj bimor, i cili duhet theksuar vaj bimor me vaj palme. Edhe produktet e importit, për sanduiçe mund të thotë djathë sanduiçi apo pice. Djathë kaçkavall, ka ngelur traditë, djathi kaçkavall ka teknologji dhe në përbërje qumësht, fermentim, enzimat dhe kripërat, këto janë për djathin. Ke djathëra të tjerë që kanë ingredientë, si erëza, ngjyrues, që duhen deklaruar. Përpunuesit duhet të emërtojnë djathërat sidomos me produkte laktike, duhet t’i ndryshojë emri. Qumështi i freskët nuk përzihet me qumësht pluhuhur”,- deklaroi Merita Uruçi.

Ja prodhimet shqiptare që rezultuan me pesticide e probleme tjera në BE brenda 1 muaji

Autoritetet konfirmojnë sasi të mëdha duke përfshirë nga karkalecat, domatet, specat e deri te zorrët e kafshëve

Në më pak se një muaj, 4 raste problematikash në ushqime të ndryshme apo ushqime për kafshë me origjinë nga Shqipëria, janë zbuluar në vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Nga copa qelqi në karkalecë deri, deri te substanca e ndaluar “chlorpyrifos” në domate, e deri te pesticidet mbi normat në speca dhe substanca të ndaluara në zorrët e kafshëve të eksportuara nga vendi jonë.

Të gjitha produktet janë “Made in Albania”, ndërsa shtetet ku është konstatuar problemi apo ka ardhur njoftimi në portalin e konsumatorit të Komisionit Europian.

Më 6 dhjetor 2021, në poralin në fjalë është publikuar njoftimi për probleme të konstatuara më Suedi, nga karkalecat e detit të eksportuar nga Shqipëria. “Fragmente (copa) qelqi në karkaleca të qëruara nga Shqipëria”, thuhet në njoftimin e RASFF, i cili problemin e ka konsideruar serioz.Vendi njoftues është Suedia.

Më 1 dhjetor, nga Kroacia është lëshuar alarmi për ngarkesë mbi normat të substancës Nitrofuran (metabolit) nitrofurazone në zorrët e kafshëve me origjinë nga Shqipëria. Vendi ku janë dërguar është Austria, ndërsa rezultatet e analizave kanë bërë që të lëshohet alarmi edhe për Shqipërinë dhe rreziku është konsideruar serioz.

Më 30 nëntor, autoritete kroate kanë njoftuar se speca të freskët, të kuq, kanë rezultuar me ngarkesë pesticidesh mbi nivelin e lejuar. Vendi ku do të dërgohj ngarkesa për treg ishte Kroacia dhe autoritetet doganore e kanë mbajtur të bllokuar, deri në rezultatet e analizave nga ana e tyre. Mostra është marrë më 22 nëntor dhe më 30 nëntor është publikuar në portatlin e konsumatorit, RASFF. Pesticidi i gjetur mbi normën e lejuar është Formetanate, ndërkohë që nuk ka risk për konsumatorin e Kroacisë, pasi ngarkesa me perime shqiptare është kthyer mbrapsht.

Ndërkaq në portalin e RASFF është publikuar një tjetër problematikë me perime shqiptare. Konkretisht, me domate nga Shqipëria, të destinuara për tregun e Rumanisë. Autoritetet kanë konfirmuar se, nga analizat pasi produktet janë futur në treg, domatet kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të pesticidit Chlorpyrifos.