Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja: Do të duhet të presësh gjatë, o mërgimtar!

289
Sigal

Do të shkoj të punoj sërish në Greqi! Këtu nuk jetohet. Nuk mbaron dot asnjë punë po nuk pagove gjithë langaraqët e zyrave të shtetit. Ish- studenti im, i Shkollës së Marinës, tashmë burrë me fëmijë, e kuptoi (ka 25 vjet që jeton në Greqi) që nuk më erdhi mirë nga ato fjalë dhe shtoi: – E çfarë bëtë ju për ne? Kjo është demokracia? Unë erdha për të ndenjur!

Nga mesi i viteve 80-të, kur punoja në Shkollën e Marinës diskutonim gjerësisht  me një grup të vogël pedagogësh, për diktaturën, gjendjen e mjeruar, mungesën e lirisë, izolimin e tmerrshëm, hidhnim ndonjë batutë me studentët, ku ironizonim gjendjen, por kurrë nuk dolëm hapur kundër diktaturës. Përvoja e jetës na kujtonte çdo çast se ata pak që kishin guxuar të flisnin kundër, u kalbën burgjeve, u pushkatuan dhe çfarë mbetën farë e fis u internuan humbëtirave dhe u persekutuan pa rreshtur nga regjimi. Përgjigja ime që pse nuk guxuam është me dy fjalë: Kishim frikë!

Në diktaturë është më e thjeshtë, më komode, (edhe në demokraci po u binde dhe nuk luftove kjo shndërrohet sërish në diktaturë ) të përshtatesh e të gëzosh ato pak liri e të drejta që të lejon diktatura, thënë më hapur të zvarritesh, të gjallosh, sesa të luftosh, të gjakosesh e të sakrifikosh për lirinë. Nuk është e lehtë të jesh kundër rrymës, kundër pushtetit në fuqi, madje edhe kur ky të mohon Zotin, sepse kjo do të thotë përpjekje e mund deri në therori. Shumë nga brezi im nuk e donin diktaturën, e urrenin, nuk u bënë palë me të, nuk spiunuan, nuk bënë dëshmi të rreme dhe as u inkuadruan në strukturat shtypëse të diktaturës. Por kjo nuk mjaftonte. Me mosveprimin, me moskundërshtimin, me heshtjen tonë ishim bërë pa dashje bashkëpunëtorë të asaj hataje 45- vjeçare, kishim ndihmuar, që ajo murtajë të zgjaste me dekada. Brezi im por edhe studentët nuk kanë pse të krenohen me të madhe (ku janë studentët sot?) për rrëzimin e sistemit komunist. Sistemi ra në gjithë Lindjen komuniste dhe ne dolëm e protestuam në sheshe për të rrëzuar diktaturën të fundit. Por e rëndësishme ishte që frika u vra, sistemi monist u përmbys, vendi u hap. Kjo ishte një fitore e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Brezi im nuk ia doli të ndërtojë një shtet demokratik evropian, ndoshta se u ngrit mbi rrënojat që la  komunizmi dhe pak ose aspak dinte për demokracinë. Ne me shumë mund e përpjekje e transformuan shtetin diktatorial  të sigurimsave  dhe kooperativave bujqësore në një shtet me struktura të reja demokratike, por shpejt këto ranë nën thundrën e njerëzve të gabuar, që si piksynim kryesor kishin pushtetin dhe paranë dhe jo ndërtimin e një shoqërie, që njerëzit të ishin të barabartë para ligjit dhe kushtetutës. Ne nuk e kuptuam thellësisht sa e vështirë dhe e gjatë ishte rruga e demokracisë. Të gjithë liderët, që udhëhoqën Shqipërinë pas rënies së diktaturës ishin edukuar në shkollat komuniste, vinin drejpërdrejt nga strukturat e larta të sistemit komunist ose familjeve, që ishin pjesë e sistemit sundues. Nuk dinin të drejtonin ndryshe, veçse me dhunë, duke i mbajtur nën kontroll të gjitha pushtetet. Ata dje dhe sot vepruan e veprojnë si sundimtarë, duke i drejtuar e trajtuar partitë si pronë e biznes privat, duke mbledhur rreth vetes njerëz pa identitet, servilë, intrigantë e banditë, që nuk i lidh asgjë me demokracinë. Drejtori i Institutit të Studimeve Politike Afrim Krasniqi për këtë dukuri të shoqërisë shqiptare shprehet: “Partitë tona iu përshtatën logjikës së turmës dhe militantëve, duke hequr dorë nga reformat e brendshme dhe shndërrimi në institucione politike konkurruese dhe përfaqësuese, duke marrë gjithnjë e më shumë natyrën e biznesit privat, identifikimit me liderin dhe kodit të heshtjes mafioze.”

Ashtu si gjatë këtyre tridhjetë viteve, edhe sot ne jemi nën pushtetin e një njeriu të vetëm, të rrethuar nga një turmë laramane trumcakësh, pilivesash, hienash e  ujqish, që i shërbejnë kryezotit të tyre. Shteti që ne jetojmë nuk është as diktaturë, as demokraci, as mbretëri, por një shartim e karikaturë i të triave të marra së bashku. Dhe për t’i vënë “kokë muhabetit”: – Bijtë e mi! – u tha Ismail Qemali, me sytë gjithë lotë, patriotëve të tronditur për njohjen e cunguar të Shqipërisë nga Europa, – Me kaq shumë armiq rreth e rrotull, pas 400 vitesh nën Turqinë,  kaq mundëm të bënim. Ju bijtë e mi dhe ata që do të vijnë, në se nuk e zmadhoni dot Shqipërinë, mbajeni fort këtë që po ju lëmë ne amanet!

Pas 45 -viteve diktaturë kaq mundëm  të bënim për ju,  o ish student i dashur! Dhe arsyet i thashë më sipër. Po ju në mos bëfshi dot më tepër, për një jetë më të mirë këtu, për vete e fëmijët tuaj, mos ua shisni pronat e të parëve të huajve, mos ia mbathni përgjithmonë, të lini vendin shkretë, e mbi çatitë, e muret e rënuara  të shtëpive të prindërve pleq, të vajtojnë qyqet e korbat; mos u paguani dollarë dhe euro kur vini në Atdhe (i thonë dhe Mëmëdhe) qenve e shushunjave të demokracisë, për një dokument që ju duhet, por silluni si perëndimorë, denonconi e kërkoni zbatimin e ligjit në zyrat e shtetit. Mos na kërkoni llogari pse nuk e bëmë Shqipërinë më të mirë se ajo është e përbashkët. Kthejeni gishtin edhe nga vetja! Mos qani e trishtohi, se gjyshërit, baballarët e nënat ua varrosin kushërinjtë e komshinjtë nëse nuk vini dot. Sidoqoftë mos i ktheni ata që ju bënë kokën në varr-humbur e veten tuaj në rrënjë-dalë. Asgjë nuk ndryshon vetvetiu. Ju prisni që të tjerë të rregullojnë Shqipërinë për ju, e pastaj të ktheheni? Do t’ju duhet të prisni gjatë, shumë gjatë, dhe kjo është sikur të vdesësh për së gjalli.