Prof. Dr. Agron F. Fico/ Rauf Fico nderon “Amerikanin e Madh”

    430
    Sigal

    (Në 90-vjetorin e vdekjes së Presidentit Udrou Uillson)

    Në mes të një sheshi të vogël në lagjen e quajtur “Tirana e Re” ka disa vite që lartësohet shtatorja madhështore e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Udrou Uillson (Woodroë Wilson).

    Shpesh herë kur shkoj te kjo lagje (dikur kam banuar vite të tëra aty) kthehem dhe e admiroj këtë vepër-simbol të kombit shqiptar që shpreh mirënjohjen më të lartë për “amerikanin e madh”. Një vit pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës nga shtetari i shquar Ismail Qemali, ish- Shqipëria e 4 vilajeteve u vu nën hanxharin e egër të Fuqive të Mëdha Europiane. Në Konferencën emërkeqe të Ambasadorëve në Londër (1913) Shqipëria u copëtua midis shteteve fqinje dhe mbeti në një sipërfaqe sa është sot (28 mijë km katrore).

    Një traktat i fshehtë, po në Londër, (26 prill 1915) i këpuste pjesë të tjera asaj Shqipërie të mbetur. Denoncimi i këtij traktati nga Lenini dhe kundërshtimi nga Uillsoni i kompromisit anglo-franko-italian (1920) zgjuan ndërgjegjen atdhetare të shqiptarëve. “Mesazhi i Uillsonit – shkruan Prof. Shyqyri Hysi – erdhi në kohën e përshtatshme për atdhetarët shqiptarë”. (”Rauf Fico – shtetar dhe diplomat i shquar, 2007, f. 62). Shqiptarët u ngritën dhe kundërshtuan politikisht-ushtarakisht dhe diplomatikisht copëtimin dhe mohimin e të drejtave kombëtare.

    Aksioni i parë, i shqiptarëve ishte ai politik. Ata organizuan Kongresin kombëtar në Lushnje (28-31 janar 1920) dhe formuan qeverinë me Kryeministër Sulejman Delvinën. Kongresi i Lushnjës krijoi Senatin, që u quajt më vonë Këshilli Kombëtar, dhe ishte organ legjislativ; zgjodhi Luigj Bumçin, Mehmet Konicën dhe Dr.Turtullin si përfaqësues legjitimë të popullit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Caktoi Tiranën si kryeqytet të Shqipërisë dhe vendosi organizimi e protestave të ashpra kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për të zbatuar Traktatin e fshehtë të Londrës.

    Aksioni i dytë, ishte ai në frontin ushtarak: Lufta e Vlorës më 1920 ishte një varg betejash mes forcave të Italisë dhe patriotëve shqiptarë në zonën e Vlorës. Lufta zgjati tre muaj dhe më 3 shtator 1920, pas shumë luftimesh të pabarabarta, forcat shqiptare hynë fitimtare në qytetin e Vlorës, dhe i detyruar pushtuesit italianë të largoheshin, jo vetëm nga rrethi i Vlorës, por edhe nga SarandaDurrësi e Shëngjini.

    Aksioni i tretë, ishte diplomatik: Pjesëmarrja në Konferencën e Paqes në Paris. Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Prof. Peter Prifti, bashkëkohës i Nolit, na thotë se pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve Noli e quante kontributin (meritën )e tij më të madhe.

    Këto ngjarje kulmore të historisë së kombit shqiptar, që i siguruan Shqipërisë tërësinë tokësore dhe pavarësinë janë dëshmi e ndjenjave miqësore të Presidentit Udrou Uillson ndaj popullit shqiptar. Populli shqiptar, kombi shqiptar, ka qenë dhe është mirënjohës ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Udrou Uillson.

    Me rastin e vdekjes së Presidentit amerikan, më 3 shkurt të vitit 1924, Asambleja  Kushtetuese e Shqipërisë, në mbledhjen e saj të shtatë, me propozimin e Rauf Ficos, ditën e hënë më 4 shkurt, mbajti 5 minuta heshtje në nderim të kësaj figura të përmasave botërore.

    Rauf  Fico kërkoi fjalën, duke ndërprerë seancën e sapofilluar, dhe me solemnitet tha: “Zoti Kryetar! Pa hy në bisedimet e rendit të ditës, dua të bëj një propozim. Me hidhnim murmë vesh se ish-kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës W. Wilsoni vdiq. Duke marrë parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë, propozoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhnimi dhe t’i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit”. (Vep. cit. f.65).

    Propozimi i Rauf Ficos u pranua njëzëri dhe u bënë pesë minuta pushim. Merr një vlerë të veçantë fakti që një propozim i tillë me domethënie historike bëhet nga Rauf Fico, personalitet dhe i njohur si politikan e diplomat i shquar me përmasa europiane. Është me interes të vihet në dukje se Rauf Fico ishte atdhetar i lindur, për të cilin Faik Konica na thotë se, “zoti Rauf Fico ishte shqiptar edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri”. Rauf Fico, siç vë në dukje ambasadori anglez në Tiranë, ishte “me pikëpamje republikane”, pra me orientim perëndimor.

    Homazhi për Udrou Uillson vazhdoi edhe në mbledhjen e ditës së hënë të datës 11 shkurt, në të cilën Noli, që nuk kishte qenë i pranishëm në seancën e datës së 4 shkurtit, mori fjalën. Në këtë ligjëratë Noli përmend arsyen pse Shqipëria merrte pjesë në atë ditë zie për “Amerikanin e Madh”. Noli theksoi “Titulli ‘Amerikan’ mjafton që ta bëjë popullin tonë që të marrë pjesë në çdo vajtim të Amerikës, se të gjithë e dimë sa të mira kemi prej saj. Që prej vitit 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i math i shqiptarëve…” (Vep. cit. 64).

    Fan Noli, në atë ligjëratë, vuri në dukje dhe tha: “Cili prej jush s’ka dëgjuar të Katërmbëdhjetë pikat e Uillsonit, të sintetizuara në paktin e Lidhjes së Kombeve?

    Në këtë ditë nderimi mbarëkombëtar për “Amerikanin e Madh” meriton mirënjohje të veçantë Fan S, Noli që vuri të parin gur-themeli të miqësisë historike të kombit shqiptar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Noli në fjalimin që mbajti në Asamblenë Kushtetuese zbulon për herë të parë “përgjigjen bujare”, që Uillsoni i kishte dhënë në takimin e korrikut 1917.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Udrou Uillson – kujton Noli, i rrethuar prej kabinetit, prej trupit diplomatik dhe prej përfaqësuesve të racave të ndryshme të Shteteve të Bashkuara shkoi më 4 korrik 1917 te varri i Uashingtonit për të mbajtur të parin fjalim luftarak. “Atëherë iu afrova dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, – kujton Noli – dhe përgjigjen e tij bujare e mbaj mend sikur po e dëgjoj sot: ‘Një zë do të kem në Kongresin e Paqes dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë’”. (Vep. Cit. f. 61).

    Historia po dëshmon se, në një hark kohor 101 vjeçar nga shpallja e shtetit të Pavarur shqiptar (28 Nëntor 1912) shqiptarët nëpërmjet sakrificave, dështimeve dhe provave të hidhura, të zhgënjimeve dhe pësimeve, më në fund gjetën miqtë e vërtetë, gjetën Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo është një meritë e tejskajshme e arkitektit dhe vizionit të guximshëm, të gur-themeluesit të kësaj miqësie, Fan Stilian Nolit.

    Udrou Uillsoni, Bill Klintoni, Xhorxh Bushi, i dhanë përkrahjen vendimtare në çastet më kritike të vetë ekzistencës së kombit shqiptar. Në qoftë se Udrou Uillson e shpëtoi Shqipërinë më 1920, Klintoni dhe Bushi sollën Kosovën e pavarur dhe pranimin e Shqipërisë në NATO.

    Pozita ndërkombëtare e shtetit shqiptar në botë është sot e sigurt, e qëndrueshme dhe pjesëtare aktive e bashkësisë botërore. Krijimi i shtetit të dytë shqiptar, Republikës së Kosovës, është një fitore kombëtare historike. Bashkëpunimi i ngushtë midis të dy qeverive, të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, siç tregoi edhe mbledhja e Prizrenit më 11 janar të këtij viti, dëshmon se shekulli i XXI është shekulli i kombit shqiptar.