Procedurat për pronarët dhe masat që do merren për qiramarrësit për lirimin e banesave

    458
    Sigal

    Flet për “Telegraf”, specialisti i Entit Kombëtar të Banesave Seit Mici, për plotësimin e kërkesave

    Pas datës 1 nëntor pronarët për lirimin e banesave të tyre duhet të ndjekin procedurat ligjore edhe sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e la në fuqi zbatimin e Aktit Normativ. Pronarët duhet të ndjekin disa rregulla për të marrë pronar e tyre. Në lidhje me procedurat dhe zbatimin e rregullores ka folur për “Telegraf”, specialisti i Entit Kombëtar të Banesave Seit Mici. Ai ka sqaruar se: “Mbasi u bënë procedurat e Gjykatës Kushtetuese dhe u la në fuqi ky Akt Normativ, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit që mbulon edhe Entin Kombëtar të Banesave nxori urdhrin 125, datë 31.10.2012. Enti u pajis edhe me një tip kërkesë në sistemin e internetit, pra është një kërkesë për njoftim, ku çdo pronar mund të aplikojë, qoftë në uebsajtin e Ministrisë, qoftë në adresën e Entit Kombëtar të Banesave”.

    Procedurat që duhet të ndjekë një pronar

    Pasi procesi për lirimin e banesave kaloi në rrugë ligjore pronarët duhet të ndjekin disa procedura që kanë të bëjnë me lirimin e banesave. Në lidhje me këtë specialisti i Entit ka sqaruar se shumë pronarë aplikuan sipas udhëzimeve pranë Entit dhe kanë filluar procedurat e tyre. Sipas informacioneve ai bën të ditur se, deri më tani mund të kenë aplikuar rreth 70-80 pronarë dhe më pas kanë vazhduar procedurat e tyre. Afati për këto procedura që nga koha e depozitimit në Entin Kombëtar të Banesave zgjat 48 orë nëse është brenda rregullave. Pas 48 orëve paraqitet në gjykatë kërkesa. Pas dorëzimit në gjykatë pritet që të hidhet shorti ditën e premte. Nga ana e Entit Kombëtar të Banesave, për 48 orë nga koha që personi regjistrohet në listën e protokollit i kalohen gjykatës kërkesat. “Pastaj me ti dërguar ne kërkesën e bërë fillon menjëherë procedura nga gjykata. Atje ato pastaj kanë procedurën e tyre, sepse dhe ato presin ditën e premte që të hedhin shortin. Kjo nuk ka ndonjë afat të përcaktuar, sepse kjo do të vazhdojë pa afat” sqaron zoti Mici.

    Numri i qiramarrësve

    Në procesin e lirimit të banesave normalisht që janë dy palë të përfshira, ku njëra fiton dhe tjetra “humbet”. Ajo që normalisht është gjendur në një situatë aspak komode është kategoria e personave qiramarrës që kanë jetuar në shtëpitë e pronarëve dhe tani janë gjendur pa zgjidhje. Në lidhje me këtë kategori specialisti i Entit Kombëtar i Banesave ka bërë të ditur se: “Numri i qiramarrësve që jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve për Tiranën është 1289. Ndërsa i pronarëve nuk është sqaruar akoma, pasi me kalimin e viteve janë liruar disa banesa”. Ndërkohë që në lidhje me trajtimin e kategorisë së qiramarrësve zoti Mici, ka sqaruar se: ” U bënë disa vjet, kjo mori nismë që me ndryshimin e sistemit në vendin tonë dhe ata duhet të kishin marrë parasysh që me kalimin e viteve duhet të bënin një përpjekje, pasi janë të regjistruar në bashki si qiramarrës në pronë private. Ato pra s’kanë bërë asnjë lëvizje, ndoshta edhe me të drejtë, pasi një pjesë e mirë prej tyre kanë qenë qytetar të thjeshtë dhe pa përkrahje për të marrë kredi edhe me kushtet që jep Enti me interes 0 për 30 vjet. Por problemi është që ato nuk plotësojnë kushtet e bankës”.

    Masat që do merren për qiramarrësit

    Në lidhje me masat që do merren për qiramarrësit që nuk do të lirojnë banesat zoti Mici, u shpreh se: “Sipas udhëzimit të aktit Normativ ne duhet të presim deri në fund të nëntorit që banka të konfirmojë emrat që plotësojnë kushtet për të marrë kredinë dhe emrat që nuk i plotësojnë kushtet do të kthehen mbrapa dhe ne do të ja dërgojmë emrat pushtetit vendor që ti sistemojë në shtëpitë sociale”. Për këto familje nuk ka asnjë lloj bonusi, përveç marrjes së kredisë me interes zero. Numri që ka aplikuar tek ne ka arritur deri tek 850  familje për marrjen e kredisë. Unë mund të flas vetëm për Tiranën. Ndërsa nuk do që të them se sa është numri për qytete të e tjera në Shqipëri.

    MYFTAR KURTI: NUK KEMI MUNDËSI PËR TË MARRË KREDI, QEVERIA NA LA PA SHTËPI

    Kreu i shoqatës së qiramarrësve në një prononcim për “Telegraf” e ka cilësuar si shumë abuziv vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për lënien në fuqi të Aktit Nomativ. Kreu i shoqatës së qiramarrësve zoti Kurti është shprehur se: “Ky vendim është një maskaradë e paraqitur me shumë zgjuarsi nga qeveria në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese. Pra dhe ai mur mbrojtës që pati populli tek Gjykata Kushtetuese u shemb nga vetë gjykata me një vendim që dha prej 6 rreshtash për Aktin Normativ. Ky vendim që u dha tregon se do të vijnë ditë jo të mira për shoqatën tonë dhe për vetë qeverinë. Sepse megjithëse u miratua ai akt do të krijojë kaq shqetësime sa do të jenë të paimagjinueshme edhe për vetë qeverinë”.

    Problem mbetet marrja e kredive

    Marrja e kredive mbetet një problem më vete për njerëzit që jetojnë në shtëpitë e pronarëve. Zoti Kurti është shprehur se: “praktika e marrjes së kredive është një konklomerat i pazbërthyeshëm, është një burokraci e tërë administrative, dhe ekonomike që vetë banka do të jetë përgjegjëse kryesore për dhënien e kredive. Po lërë pastaj kalvari i gjatë që duhet për gjetjen e banesave me çmime të lira, që as bëhet fjalë që ekzistojnë banesa me hipotekë me aq lekë sa mendojnë këto që jep banka 35 milionë lekë”. Ndërkohë që, ai ka shtuar se: “Sot shtëpitë në Durrës dhe Tiranë janë mbi 65 apo 70 milionë. Për të mos folur pastaj edhe për pengesat që nxjerrin komisionet e bankave, që pyesin sa veta jeni, sat ë ardhura keni? Pra janë pengesa të pafundme. Po ashtu pastaj, rreth 90 për qind e këtyre familjarëve janë të papunë dhe janë dhe pensionistë, me se do e shlyejnë këto këtë kredi ato nuk i plotësojnë kushtet”.

    PROBLEMI/ QIRAMARRËSIT DOLËN NË RRUGË TË MADHE

    Nga zbatimi i Aktit Normativ, normalisht që ata që fitojnë janë pronarët, të cilët do të marrin pas shumë vjetësh pronën e tyre që e kanë kërkuar me aq ngulm për tërë këto vite. Edhe pse nuk u zbatua në afatin e parë Akti Normativ që qe përcaktuar deri në 1 nëntor për lirimin e banesave, kjo po bëhet tani sipas vendimit që dha Gjykata Kushtetuese. Deri këtu jemi në rregull, me ecurinë e ngjarjeve. Pronarët do të marrin banesat e tyre. Por ndërkohë kemi dhe palën tjetër në këtë mes, kemi qiramarrësit që kanë jetuar në shtëpitë e këtyre pronarëve për 20 vjet dhe që tani qeveria po i nxjerr në rrugë të madhe. Pasi u është dhënë një mundësi për të marrë kredi me interes zero. Por si do i marrin ato kredi? Kur një pjesë e mirë e tyre janë të papunë dhe një pjesë e mirë janë pensionistë. Si mund të merret kjo kredi kur, banka nuk jep kredi nëse nuk plotësohen kushtet. Këto qiramarrës do të dalin pa asnjë shtëpi dhe pjesa e pronarëve e kanë një shtëpi që e kanë marrë në fillimin e viteve 1990. Ndërsa qiramarrësit mbeten pa asnjë gjë dhe sot po nxirren ën rrugë.