Pacientët “pushtojnë” spitalin e Kukësit nga helmimi i ushqimeve

    407
    Spitali rajonal i Kukësit është pushtuar ditët e fundit nga pacientët të cilët kanë pasur probleme gastro-intensinare. Numri i personave që janë paraqitur në spitalin rajonal të Kukësit ka shkuar në 30 persona dhe kjo sipas mjekëve ka ardhur si pasojë e rritjes së temperaturave. Mjekët e kësaj qendre spitalore shprehen se ky mbipopullim i spitalit ka ardhur si pasojë e rasteve e helmimeve që vijnë nga konsumi i fruta-perimeve të ndenjura. Kjo problematikë është shfaqur si pasojë e konsumimit të ushqimeve të blera në ushqimore, të cilat janë të ekspozuara në diell. Shitësit e këtyre ushqimore si pasojë e shitjeve të pakta, detyrohen që prodhimin e sotëm, i cili nuk arrin të shitet, ta tregtojnë përsëri ditën e nesërme. Kjo situatë ka sjellë dhe problemet e helmimit të banorëve të qarkut të Kukësit. Tregtimi nga këto ushqimore i frutave tejet të pjekura, të shtypura dhe të buta, apo zarzavatet si domatet, specat, kastravecët që kanë qëndruar për një kohë të gjatë në ambientin e jashtëm, kanë sjellë dhe problemin e shfaqur nga pacientë, të cilët kanë mbipopulluar spitalin rajonal të Kukësit. Konsumimi i këtyre produkteve ushqimore vjen si pasojë e çmimit të ulët, me të cilin ato tregtohen, kjo ka bërë që njerëzit t’i blejnë ato për shkak të çmimit të lirë, shprehet Mark Nufi, mjek në qendrën spitalore rajonale në Kukës. Një tjetër problematikë, e shprehur nga mjeku, është qëndrimi në për një periudhë të gjatë kohore të njerëzve në diell, kryesisht të banorëve të zonave të thella. Mjekët u bëjnë apel të gjithë qytetarëve që të bëjnë kujdes me konsumimin e frutave apo perimeve, të cilat me qëndrimin në diell, për orë të tëra, kthehen në një burim helmimi si dhe të evitojnë qëndrimin për një kohë të gjatë në diell, përkatësisht në drekë, kohë kur temperaturat janë shumë të larta. Kategoritë që duhet të bëjnë më shumë kujdes me qëndrimin në diell, janë të moshuarit dhe fëmijët.
    Sigal