Ligji i ri për pronat, Strasburgu jep “OK”

    348
    Komiteti i Ministrave për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës vlerëson pozitivisht ligjin e pronave të miratuar nga parlamenti shqiptar dhe zgjidhjen që ofron ky ligj për ish-pronarët.
    Kjo theksohet në një njoftim të avokaturës së Shtetit, pas mbledhjes që është zhvilluar në Strasburg ku ka marrë pjesë Avokatja e Shtetit, Alma Hiçka.
    Në përfundim të mbledhjes së Komitetit të Ministrave për të Drejtat e Njeriut, Delegatët e këtij të fundit dolën me vendim mbi çështjet shqiptare, në të cilin vunë në dukje ligjin për ngritjen e skemës së kompensimit për pronën e shpronësuar gjatë regjimit komunist, i cili është një hap shumë pozitiv për t’i dhënë fund problemit të gjatë të kthimit ose kompensimit të pronës ish-pronarëve.
    Zyrtarët europianë inkurajuan autoritetet shqiptare të mos kursejnë asnjë përpjekje në sigurimin e infrastrukturës së nevojshme teknike dhe logjistike, si dhe burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare, në mënyrë që skema e kompensimit të jetë efektive, e shpejtë si dhe të respektohen të gjitha afatet ligjore dhe angazhimet.
    Ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” u miratua nga Parlamenti me 91 vota, ndërsa shoqata e ish-pronarëve e kundërshtojnë atë, duke argumentuar se bie ndesh me Kushtetutën dhe Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
    Pas këtij vendimi të marrë në Strasburg mbetet e paqartë se cfarë do të ndodhë me ato cështje që janë depozituar deri tani nga ish-pronarët në Gjykatën e Strasburgut, për të cilat nuk ka ende një vendim.
    Sigal