Kreu i ‘Grupit armiqësor’ të Sarandës: Pse na arrestuan dhe torturat që hoqëm

    1753
    Sigal

    Intervistë me Kostandin Moçin, lidhur me kalvarin e mundimshëm të tij e të 6 shokëve në qelitë e Sigurimit të Shtetit 

    Mursia, është një fshat në skajin më jugor të vendit, madje shumë i përfolur për luftërat midis bandave dhe ekstremeve nacionaliste me Konispolin. Ky fshat u persekutua dhe u survejua nga shteti i Enver Hoxhës në mënyrë të patjetërsueshme bashkë me fshatrat minoritare, fqinje me Mursinë. Faktet janë tronditëse, por edhe të çuditshme. Çuditëse se vetë, të gjithë drejtuesit e pushtetit dhe partisë në këtë fshat, kishin lidhje me të arratisurit dhe të pushkatuarit, ashtu si edhe komunistët (anëtarët e partisë) kishin lidhje me ish-të arratisurit dhe ish të përndjekurit e të burgosurit politik. Ndaj Sigurimi i Shtetit, me udhëzim të PPSH dhe drejtuesve të sajë kryesor, këtë fshat e mbante në survejim të plotë, madje pa dijeninë e organizatës bazë dhe pushtetit vendor. Kjo, për vetë faktet që folëm m lart. Në këtë fshat ku u burgosën 32 persona, nga të cilët vdiqën 7, u internuan 27 familje dhe ajo më kryesorja, janë arratisur pas çlirimit 18 persona, që preknin të gjithë fiset e këtij fshati autokton, me pastërti heterogjene dhe besimi ortodoks. Kjo bëri që Sigurimi i Shtetit të mbante në survejim të plotë këtë fshat, deri tek grupi i famshëm i Mursisë më 1987. Po a qe vërtet ky grup armiqësor, apo një stisje e sigurimit për të mbajtur nën terror këtë fshat?! Për këtë ne mundëm të marrim intervistën e zotit Kostandin Moçi, person i konsideruar si kreu i këtij grupi

    Zoti Moçi përshëndetje! Ju jeni pjesëtar i “Grupit armiqësor të Mursisë, sipas hetuesisë së atyre viteve, kreu i këtij grupi. Ç’mund të na thoni?

    -Faleminderit, që u kujtuat ta riktheni në memorie të historisë edhe këtë grup armiqësor. Që në fillim do them se nuk dua të pyetem më, pasi do përgjigjem për të gjitha vetëm me pyetjen tuaj të parë. Pra gjithçka unë di, apo dua të them, do ti përmbledh me një përgjigje. Ta filloj?

    Me kënaqësi, kjo ishte dhe kërkesa jonë!?

    Po. Na arrestuan në vitin 1987, mua Kostandin Moçi që më etiketuan edhe si kryetar grupi, Timo Lapa, Ylli Goshi, Pipo Çabiri, Vasil Mavro, Jaho Bajo e Kozma Vuda. Na arrestuan për tentim arratisje. Unë u habita se, nuk kishim lidhje me njëri-tjetrin për këtë muhabet, pavarësisht se unë e kisha në mendje arratisjen, po nuk ja kisha thënë njeriu se në atë kohë kur u arrestova isha baba i gjashtë fëmijëve. Po na arrestuan dhe ju nënshtruam një hetuesie me tre hetues të Sarandës, XH.H, Z.SH. dhe K V. Ky i fundit më terrorizuesi e më keqtrajtuesi, (abababa) edhe tani kur e kujtoj, më dridhet mishi. Hetuesia ishte torturë..

    Sa kohë ju mbajtën në hetuesi?

    -Tre muaj hetuesi, tortura fizike e psikologjike. Mund të them se na linin tre ditë pa ngrënë dhe kur na sillnin ushqim na hidhnin krimba të gjallë në gjellë…e hanim… KV, hetuesi përdori edhe elektroshokun tek një nga shokët tanë, tek Vasil Mavro. Ky qe më i torturuari nga ne. I hidhnin edhe pëllumba të ngordhur në qeli, e rrihnin, deri sa edhe rrobat kur ja ndërronin, shikoje dhe mendoje se do qenë të një punonjësi të një thertoreje. Aq ishim shpërfytyruar, sa kur dolëm, kushërira ime, kryetare e këshillit popullor, Parashqevi Moçi, u alarmua nga gjendja ime dhe bërtiti se do shkonte tek Ramiz Alia…

    Ndodhi kjo?

    -Po ishte vonë se ne u liruam me amnistinë e Ramizit, pasi ai u kthye nga vizita në SHBA dhe vendosi amnisti dhe krijimin e qelizave të pronës private me tufëza dhe arëza. Kishim dale nga burgu dhe kushërira qe vonë për tu ankuar…Po të kthehem pak tek hetuesia. Tash që na bënin tortura ç’ njerëzore. Po më shumë na pyesnin se me kë kishim lidhje në Greqi, kush do na priste, si do vijonte aktiviteti.

    Diçka para arrestimit tuaj?

    -Para arrestimit i gjithë batalioni i kufirit në Livadhja qe rreshtuar nga fshati shkallë e deri tek Bufi i Butrintit dhe me kontaktin e parë të arratisjes sonë, do na sharronin plumbat e qindra ushtarëve kufitar. U tmerruam kur e dëgjuam, por thamë se bënë mirë që na arrestuan se na shpëtuan… Mund të them, se e di që do pyesni, se mua më etiketuan si kreun e grupit…

    Pse ju cilësuan si kreu i grupit që do arratisej?

    -Se kisha dajën e arratisur në Greqi që më 1948, Llazi Gërgura dhe Sigurimi i Shtetit mendonte se ne do na priste dhe orientonte ai. Për hir të së vërtetës, them se edhe më 1972-n jam arrestuar për tentim arratisjeje në Qafën e Hartës, por pa problem. Kjo hetuesi qe  e tmerrshme. Sikur Ramiz Alia mos të kishte nxjerrë amnistinë, akoma do ishim kalbur burgjeve.

    Po kur u liruan?

    -Kur na liruan, jo të gjithëve njëherësh, madje njërin, Timo Lapën e dënuan me burg, na porositën që fjalët e brendshme janë të rrezikshme për jashtë. Duhet ta falënderoni partinë dhe udhëheqjen…  dhe liri të kujdesshme! Ikëm. Nuk folëm, pavarësisht se na pyesnin. Hera e parë që shprehem publikisht. Kaq!