Kol Nikollaj: Gati fillimi i grevave, arsyet që i shtyjnë minatorët të protestojnë

    415
    Sigal

    Intervista/Presidenti i Sindikatave Shqiptare, Kol Nikollaj, flet për zhvillimin e grevave

    Presidenti i Sindikatave Shqiptare, Kol Nikollaj, në një intervistë për “Telegraf”, ka deklaruar se minatorët po bëhen gati për fillimin e protestave. Ai ka theksuar se nuk është bërë asnjë gjë pas një viti nga përfundimi i grevës. Përsa i përket kompanisë  ACR ka shtuar se afati kësaj kompanie ka mbaruar që në fillim të muajit qershor. Sipas tij, investimi që ka bërë ajo nuk ka vlerë pasi është jashtë afatit ligjor. Zoti Nikollaj ka bërë të ditur se, situata është mjaft e rëndë në minierat e Bulqizës dhe për këtë shkak po shihet mundësia e fillimit të protestave.

     -Zoti Nikolla, para pak ditësh keni ju keni deklaruar se jeni gati për të filluar protestat. Mund të na thoni diçka më shumë në lidhje me fillimin e tyre?

    Pas një viti nga zhvillimi i grevës së minatorëve është zhvilluar një takim nga minatorët për t’u njohur me kushtet e punës dhe rezultoi që nuk është realizuar asgjë. As marrëveshja nuk është realizuar, as kushtet e punës nuk janë përmirësuar. Nuk janë kryer investimet nga niveli i 16 deri në nivelin 21, nuk është punuar për impiantin e Klosit, as për minierën e Bulqizës. Rreth 70% janë të parealizuara planet. Meqenëse afati për kryerjen e investimeve ka përfunduar që në qershor atëherë duhet të shohim se çfarë do të ndodhi realisht, a do të gjobitet kompania, kështu që po presim nga METE, se çfarë masash do marri. Duhen vendosur vlera të reja për të bërë investimet. Ne po punojmë edhe me Parlamentin për këtë punë. Greva gati është, por nuk zgjedh të tëra gjërat, ne po mundohemi që të bisedojmë, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

     -Pra ju ende nuk keni një datë të saktë për fillimin e protestave?

    -Ne protestat do t’i fillojmë, por ende nuk vendosur për një datë të saktë për arsye se po mundohemi të bisedojmë. Por protestat do të fillojnë nëse nuk zgjidhet gjë, protestat do të jenë disa orëshe, deri në protesta pa afat. Ato do të shtrihen në tërë pellgun e minierave si në Bulqizë, Martanesh, etj.

     -A keni bërë kërkesa për marrjen e masave në këto miniera dhe çfarë ju kanë thënë?

    -Me gjithë kërkesat tona të herëpashershme situata jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por është agravuar më tej duke dalë jashtë kontrollit. Në këto objekte punohet në kundërshtim të plotë me të gjitha rregullat dhe standardet e Sigurisë dhe të Shëndetit në Punë. Të gjitha strukturat shtetërore si  Ministria Ekonomisë dhe Energjetikës dhe agjencitë ligj-zbatuese në varësi të saj tregojnë qartë që janë të korruptuara në mënyrë të skajshme dhe kanë konflikte të pastra interesi duke kryer një “organizim të organizuar” të industrisë Minerale sidomos në sektorin koncensionar. Në objektet e Bulqizës në vite me radhë Ministria e Ekonomisë, RISHM-i, AKPN-ja dhe kompania koncensionare ACR në bashkëpunim me subjekte private, të cilat kanë suporte dhe influenca politike kanë falsifikuar të gjithë dokumentacionin dhe projektet e origjinës së vendburimit duke deformuar koordinatat, duke falsifikuar rezervat minerale dhe duke prishur në mënyrë të pariparueshme të gjithë sistemin e  shfrytëzimit të vendburimit.

     -A janë zbatuar rregullat në punë dhe ku janë shkeljet sipas jush?

    -Me letra ndodhen 3 galeri me nr 48 në zonën D. Në këto miniera punohet në kundërshtim me çdo rregullore dhe standarde  të përdorimit të lëndëve eksplozive. Dinamiti, pajisjet donatore dhe eksplozivet e tjera trajtohen në mënyrë krejt anti- ligjore dhe janë prezent kudo nëpër frontet e punës, nëpër gardëroba punonjësish, nëpër bagazhe makinash etj.. Në të gjithë rajonin mungon sistemi i kontrollit dhe i raportimit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Nuk funksionon asnjë ambient shërbimi për punëtorët qoftë social, për trajtim ushqimor dhe higjenik qoftë dhe shëndetësor për urgjenca, ndihmë të shpejtë leje pastaj për vizita periodike apo mjekun e ndërmarrjes, të cilat pavarësisht detyrimit ligjor askush nuk i plotëson. Punëtorët kanë vetëm një të drejtë: Për të punuar si skllevër. Ata askush si dëgjon pavarësisht se çdo ditë bëjnë greva dhe protesta. Askush si ndihmon, pavarësisht se çdo ditë humbin jetë në minierë të drejta të tjera kanë kaluar të drejta ekskluzive për politikanët dhe qeveritarët e çdo rangu, ku të gjithë kanë kapur nga një galeri dhe po e shkatërrojnë përfundimisht dhe në mënyrë të pariparueshme dhe të pakthyeshme këtë vendburim kolos kromi, që vendi ynë e pati fat nga zoti.

     -Ju para pak kohësh keni kërkuar ngritjen e Task-Forcës, çfarë po bëhet për këtë?

    -Gjithçka duhet të fillojë nga fillimi dhe duhet të fillojë në binarë të plotë ligjore. Kjo do të thotë që të rregullohet gjithë vendburimi me koordinata të plota dhe me harta ekzakte. Duke filluar nga koordinata e origjinës. Pasi të bëhet ky studim duhet Task-Forcë, për rivlerësim licencash dhe marrëveshjesh  koncensionare  në  minierat e Bulqizës. Ne i kërkojmë dhe njëherë Qeverisë dhe Parlamentit Shqiptar ngritjen në mënyrë urgjente të një Task-Force për të riparë të gjitha licencat dhe kontratat koncensionare dhe për t’i sistemuar ato në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar. Më mirë të kemi një fund, qoftë dhe i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund, ku çdo ditë jo vetëm gllabëron ekonominë kombëtare por po merr dhe me dhjetëra jetë njerëzish të pafajshëm.

    Investimi i ACR-së një mashtrim

    -Kompania ACR ka mashtruar opinionin publik për marrëveshje me kinezët, por nuk ka zgjidhur asgjë. Besoj që nuk ka asnjë lloj kinezi apo indiani që të vërë dorë në objekte të shkatërruara. Por e vërteta është se ACR-së i kanë kaluar të gjitha afatet me përjashtim të këtij investimi. Afatet e vendosura nga parlamenti kanë tre vjet që kanë kaluar, ndërsa afatet e vendosura nga qeveria Berisha, i kanë kaluar po bëjnë që në qershor. Në qershor ACR-ja i ka humbur të gjitha të drejtat ligjore për të ushtruar aktivitet.