Engjëll Musai: Shalqini i Fridës për Fatonin

126
Sigal

Engjëll Musai
Drejtor i Telegraf

Pak ditë më parë ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, bëri një vizitë në Kosovë. Në mënyrë simbolike i dhuroi ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Faton Peçi, një shalqin nga fushat e Myzeqesë të Shqipërisë. Absolutisht që nuk ka asnjë gjë të keqe dhe: se kjo mënyrë marketingu tregon se Shqipëria dhe Kosova duhet t’i japin prioritet produkteve të të dy vendeve, duke i dhënë një mbështetje të dy vendeve të të njëjtit Komb. Por ajo që duket paksa hipokrite ka të bëjë me faktin se bizneseve të dy vendeve u nxirren probleme sapo fillojnë prodhimet. Burokracitë, sorollatjet doganore, taksat e fryra, janë problemet, që lindin dhe zgjidhja përfundon kur mbarojnë prodhimet e fushës, duke hedhur poshtë të gjithë këtë marketing të bërë nga dy ministrat para fillimit të sezoneve të produkteve bujqësore dhe blegtorale.

E njëjta gjë ndodh edhe me sezonin turistik, ku pushuesit më shumë qëndrojnë në hyrje dhe dalje në traun e doganave sesa në rërën dhe detin e plazhit për të cilën ata udhëtojnë me qindra kilometra. Po kjo është tjetër gjë dhe sigurisht nuk ka lidhje direkte me duetin Krifca-Peçi, por me qeverinë e të dy vendeve, ku njëri tregon traun e tjetri na kërkon kartelat e vaksinimit. Dhe për kë e kërkonin?! Për të njëjtin Komb dhe të njëjtin gjak sikurse janë shqiptarët: kur kaq të ashpër nuk ishin as malazezët dhe as maqedonasit! Por le t’i kthehemi “dhuratës” së shalqinit jeshil nga jashtë, dhe të kuq nga brenda të ministres Frida Krifca, për homologun e saj shqiptar të Kosovës Faton Peçi.


Ky episod na kujtoi pak a shumë kohën groteske të sistemit monist: “ Kur një minator kishte ditëlindjen dhe kolektivi i tij vendosi t’i shkonte për urim në shtëpi; Sekretari i Partisë pasi mblodhi kolektivin, sugjeroi të mos mblidhnin para për t’i çuar në ditëlindje, sepse do t’i çonte një pako të madhe, të cilën ai e kishte përgatitur vetë. Të gjithë u lehtësuan, se nuk do të paguanin para dhe këtë hall ua zgjidhi partia nëpërmjet sekretarit të saj. Kur shkuan në shtëpinë e minatorit në një shportë të madhe, të mbuluar dhe paketuar qëndronte edhe dhurata për minatorin. Pas urimeve të rastit minatorit iu kërkua të hapte dhuratën. Sa u gëzua minatori! Brënda asaj shporte ku më shumë kishte amballazh sesa produkt, ishte një copë minerali nga miniera që, minatori nxirrte nga galeritë gjatë të tre turneve të punës. Edhe kolektivi mbeti pa fjalë. Dhurata e të parit të partisë e kishte dhënë efektin jo vetëm tek minatori, por edhe tek familja dhe kolegët e tij”… Shpresojmë që edhe idea e shalqinit të jetë mësim që Frida ta ketë marrë si orientim nga lideri i partisë për homologun dhe bujqësinë e shqiptarëve të Kosovës, që nuk e pranojnë “Ballkanin e Hapur” të dyshes Rama-Vuçiç.