Dr. Bledar Kurti: Shqiptarët nuk kanë qeverinë që meritojnë

530
Sigal

 

Dr. Bledar Kurti–

“Çdo popull ka qeverinë që meriton” është një nga shprehjet më të përdorura, së cilës i janë dhënë gabimisht autorësi të ndryshme, herë nga mendje të shquara të huaja e herë personalitete shqiptare. Kjo është në të vërtetē thënie e Joseph de Maistre, një filozofi francez, i cili promovonte monarkinë pas tmerreve të Revolucionit francez. Kjo është një thënie diskriminuese ndaj popujve dhe absolutisht e pavërtetë. Nuk qëndronte as në kohën kur u tha e as në kontekstin e sotëm. Sidomos për popullin shqiptar. Sepse shqiptarë kurrësesi nuk kanë qeverinë që meritojnë. Shqiptarët janë një popull patriot dhe nuk kanë asnjë lidhje me politikat anti-kombëtare të kësaj qeveri që i drejton. Shqiptarët janë popull i besës dhe ndershmërisë dhe nuk ngjasojnë aspak me këtë qeveri të mashtrimeve, gënjeshtrave dhe korruptive. Shqiptarët janë popull i dhembshur dhe me zemër të madhe, ndryshe nga kjo qeveri që nuk e do popullin e vet, e zhvat atë në ditët në të vështira, në tërmet e pandemi; zhvat paratë e familjeve pa banesa; pasurohet me tragjedinë kombëtare dhe shëndetin e njerëzve të thjeshtë; punon për një grusht njerëzish teksa një popull i tërë gjendet në kushtet e mbijetesës. Shqiptarët janë një popull rinie, me moshën mesatare më të re në kontinent, por kanë një qeveri që po e largon rininë dhe po e shpopullon vendin dita-ditës. Shqiptarët e duan punën por drejtohen nga një qeveri që ka hapur zero vende të reja pune gjatë keqqeverisjes së saj. Shqiptarët janë një popull inteligjent. Me mendje të ndritura dhe njerëz të talentuar që arrijnë majat e suksesit kudo në botë por kanë një qeveri dhe Parlament analfabetësh, trafikantësh, llumi dhe jo elita e shoqërisë. Shqiptarët kanë etje për arsim por kanë një qeveri që e ka degraduar arsimin dhe që vit pas viti mbyll degë studimore, jetike për shoqërinë, në çdo universitet të vendit për të realizuar planin e saj dashakeq të shpopullimit. Shqiptarët janë populli më pro-europian dhe më pro-perëndimor në botë por kanë një qeveri që ua ka mbyllur dyert e integrimit dhe perëndimit, prej mendësisë së saj arkaike, provinciale dhe korruptive. Shqiptarët janë një popull me histori, traditë dhe kulturë të pasur por kanë një qeveri që prish teatrot, nuk ndërton asnjë kinema por ndërton vetëm kulla për oligarkët e saj dhe jep me koncension zonat historike dhe arkeologjike. Shqiptarët hedhin hapin çdo ditë mbi pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike por kanë një qeveri që i betonizon sapo ato zbulohen. Shqiptarët kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre në mbrojtje të atdheut, por kanë një qeveri e cila tallet dhe përdhos veprën dhe kujtimin e heronjve tanë. Shqiptarët jetojnë në një vend të bekuar, me bukuri e pasuri natyrore, me klimë e terren të mrekullueshëm, por në vend që të jetojnë në mirëqenie janë në mjerim. Shqiptarët kanë për atdhe një thesar, por janë të zhvatur nga kusarët. Ndaj, JO, shqiptarët nuk kanë qeverinë që meritojnë por është kjo qeveri e cila ka një popull që nuk e meriton. Një popull shqiponjash që ka të drejtën kombëtare dhe universale ta ndëshkojë rëndë atë për të gjitha dëmet e mëdha që i ka shkaktuar vendit. Ndaj edhe 25 prilli nuk është thjesht një datë zgjedhjesh por është dita e drejtësisë së një populli të tërë.