Damian Gjiknuri : Vëmendja e PS ndaj pensionistëve nuk ka munguar: Së shpejti dhe paketa tjetër e ndihmës

141
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri u takua me pensionistët e qytetit të Prrenjasit ku ndër të tjera u shpreh se vëmendja e PS ndaj kësaj grupmoshe nuk ka munguar asnjëherë. Ai theksoi se dhe masat e marra gjatë pandemisë dhe krizës së çmimeve si pasojë e luftës, treguan qartazi vullnetin e kësaj mazhorance për të mbrojtur shtresat në nevojë.

“Pavarësisht kushteve të vështira që kemi qenë, sepse Shqipëria këto vite ka kaluar situata jo të lehta, tërmeti, pandemia, kriza e çmimeve sidomos me luftën në Ukrainë dhe inflacioni, që preku mbarë botën, ndikoi natyrshëm dhe në ekonominë e familjeve tuaja.

Por qeveria ndërmori dy masa shumë të rëndësishme. E para, mbajti nën kontroll çmimin e energjisë elektrike, sepse nëse në vendet e tjera energjia u reflektua me çmimet e tregut energjia te ne mbeti njësoj.

Shteti harxhoi mbi 500 milion euro nga buxheti i vitit të kaluar vetëm për t’i ardhur në ndihmë sektorit energjitik për të mbajtur çmimin të pandryshuar. Kjo ishte për të mos goditur njerëzit më të prekur që në këtë rast janë dhe pensionistët, pra njerëzit më të moshuar.

Kjo është një formë direkte e ndihmës që ka dhënë qeveria për të gjithë shtresat më të prekura apo shtresat më vulnerabël. E dyta, në kushte të vështira, qeveria u tregua prapë më e gjendshme për njerëzit sidomos me paketat e fundvitit. Pra, edhe me shpërblimin e fundvitit dhe me paketën shtesë që dha në janar”, -tha Gjiknuri.