Aksion kryebashkiakësh: Në Gjirokastër, Golemi 13 mln për qentë, në Kukës Gjici u kërkon vota kuksianëve që morën arratinë

136
Sigal

Pas idesë së Ministres së Turizmit e Mjedisit, Mirela Kumbaro, njëherazi deputete e zonës; që Gjirokastra të ketë edhe një projekt turistik lokal, Kryetari i Bashkisë, Flamur Golemi e hartoi projektin dhe ia paraqiti për miratim Këshillit Bashkiak, ngaqë kishte kosto financiare.

Mes shërbimeve të parashikuara në projektin: “Gjirokastra me turizëm elitar, të qetë e të sigurt”, kryetari dhe ekspertët e bashkisë, kanë parashikuar se ndikim të madh, do ketë edhe pakësimi i “popullimit” të qenve të rrugës, duke i tredhur.

Në zbatim të këtij “mendimi ekselent shkencor”, me 18 shkurt 2023, kryebashkiaku Flamur Golemi ka shpallur tenderin për kapjen dhe tredhjen e qenve, me vlerë 13 milionë lekë e datë zhvillimi më 2 mars.

Për këtë “shërbim publik”, siç e quan Bashkia e Gjirokastrës, është menduar të krijohen 2 skuadra me specialistë tredhjesh të qenve, të cilët do të kryejnë aksionin me 3 faza: në muajt mars-maj; qershor-shtator dhe tetor-dhjetor. Kujtojmë, që para 2 vitesh, kjo Bashki bëri aksion për vrasjen e qenve me grupe gjuetarësh, të cilët paguheshin me 5 mijë lekë për çdo qen, por duke dorëzuar në bashki bishtat, veshët dhe 2 këmbët e para raporton pamfleti. Ndërsa tani, në zbatim të projektit: “Gjirokastra me turizëm elitar, të qetë e të sigurt”, qentë e rrugës do tridhen; dhe sipas ligjit, për t’u vërtetuar puna e kryer, firma fituese e tenderit duhet të dorëzojë në Bashki… hallatet e qenve.