Zef Preçi/ Puna e shtetit në të zezë, të procedohen penalisht titullarët e institucioneve

739
Sigal

Lajmi se rreth 1500 institucione shtetërore, të cilat për 8 vite me radhë kanë mashtruar mijëra zyrtare duke u vjedhur paratë e sigurimeve shoqërore dhe rrezikuar pensionet, ka sjellë reagimin e specialistëve të ekonomisë dhe të mbarë opinionit publik. Specialisti i ekonomisë z. Zef Preçi, ka tentuar nëpërmjet rrjetit social “Facebook” të japë dhe sugjerimet e tij për rikthimin e këtij borxhi Sigurimeve Shoqërore. Ndërsa këmbëngul që titullarët e institucioneve publike të cilët kanë ndryshuar destinacionin e parave, të ndiqen penalisht.

 * * *

Ishte vërtet shokuese ajo që dëgjuam nga Ministri Veliaj, se borxhi që subjektet në fjalë i kanë Institutit të Sigurimeve Shoqërore arrin në 109.5 milionë dollarë. “Në total, numri i subjekteve që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore për punëtorë të deklaruar është 53.060 subjekte, nga të cilat 1407 janë institucione publike buxhetore, kurse 51.653 janë subjekte private. Në total, ato kanë rrezikuar pensionet e 250 mijë shqiptarëve”, nënvizoi Veliaj në deklaratën e tij.

Mbas kësaj deklarate, pavarësisht konstatimit të vonuar nga ana e qeverisë dhe institucioneve të varura prej saj, dalin disa probleme që duhen sqaruar e zgjidhur ligjërisht:

1) Kur flitet për detyrimet e mbledhura për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në subjektet publike qendrore dhe vendore, kjo do të thotë se paratë e mbajtura nga pagat e punës nuk janë derdhur në llogarinë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Pra, është ndryshuar destinacioni i përdorimit të këtyre parave, edhe pse të punësuarve u janë mbajtur sipas ligjit. Përndryshe, mund të supozohet se këto para janë shpenzuar në drejtime të tjera, për të mos thënë se janë kthyer në tendera. Për më tej, nuk ka nevojë të arsyetohet…

2) Në çdo institucion publik, personat përgjegjës për përdorimin e fondeve të veta apo buxhetore në dispozicion janë titullari i institucionit dhe përgjegjësi i financës, ndonëse përgjegjësia kryesore i takon të parit (titullarit).

3) Ndryshimi i destinacionit të fondeve të destinuara për pagesën e sigurimeve shoqërore, si për pjesën e kontributeve nga punëdhënësi, ashtu edhe për atë të punëmarrësit, në thelbin e vet, formon një shkelje të pastër të ligjit që, sipas mendimit tim, është vepër penale në formën e “shpërdorimit të detyrës”.

4) Në sektorin privat, problemi është shumë më i komplikuar. Mbetet për të parë në ç’mënyrë ministria e z. Velija ka mbërritur në këtë konstatim, sipas të cilit, janë dhjetëra miliona Euro kontribute të mbajtura nga firmat dhe të paarkëtuara në ISSH. Ajo që mund të supozohet për shembull në sektorin e ndërtimit është pesha specifike e punës së gjallë në totalin e kostos së një objekti, e, mbi këtë bazë, përllogaritja e detyrimeve (të papaguara) për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Gjithsesi, mbetet për të parë sqarimet publike që qeveria do të japë në ditët në vijim.

Zgjidhja

Sa i takon zgjidhjes, domethënë rikuperimit të kësaj shume në buxhetin e ISSH-së, mendoj se mund të supozohen rrugë të ndryshme për sektorin publik dhe atë privat.

Për sektorin publik, së pari, mendoj se qeveria duhet të nxjerrë një ligj të posaçëm përmes të cilit të sistemojë detyrimet ndaj punonjësve për të cilët është mbajtur detyrimi i tyre nga paga dhe jo për fajin e tyre paratë nuk janë arkëtuar. Kjo do të ndihmonte që të respektoheshin të drejtat e tyre legjitime. Së dyti, mendoj se qeveria duhet të procedojë penalisht, pa mëshirë, personat përgjegjës për këtë situatë të pazakontë në institucionet publike.

Në sektorin privat, së pari, mendoj se duhet saktësuar baza e llogaritjes dhe të ligjshme mendoj se duhen konsideruar ato detyrime për të cilat ka prova shkresore. Së dyti, mendoj se qeveria duhet të përcaktojë me ligj afatet brenda të cilave firmat private duhet të derdhin detyrimet e prapambetura për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ky afat mund të jetë i ndryshëm në vartësi të sektorëve dhe jo më shumë se tre vitet e ardhshme.