Ursula von der Leyen: AstraZeneca ka dështuar të përmbush detyrimet e saj

303
Sigal

 Presidentia e Komisionit Evropian kritikoi ashpër të mërkurën prodhuesin farmaceutik anglo-suedez të vaksinave. Ndërko Zëri Amerikës raporton se vendimet e shteteve europiane për pezullimin e vaksinës Astra Zeneca nuk e frenuan qeverinë për nisjen e vaksinimit të mësuesve shqiptar. Reagon sindikata e arsimit: Mbi 40 mijë mësues dhe familjet e tyre kanë frikë nga kjo vaksinë por nuk flasin se pushohen nga puna.

Shefja e krahut ekzekutiv të Bashkimit Evropian kritikoi të mërkurën prodhuesin anglo-suedez të vaksinave AstraZeneca, duke e akuzuar kompaninë farmaceutike për shtyrje të fushatës së vaksinimit kundër koronavirusit në Evropë. Ajo paralajmëroi se Bashkimi Evropian po peshon mundësinë e ndalimit të eksporteve, si masë për të siguruar furnizim me vaksina. “AstraZeneca fatkeqësisht ka nënprodhim dhe ka dështuar të përmbushë detyrimet e saj, dhe kjo, e them me dhimbje, ka ulur shpejtësinë e fushatës së vaksinimit”, u tha gazetarëve Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo shtoi se kompania u zotua fillimisht të jepte 90 milionë doza vaksinash në tre muajt e parë të 2021, por më vonë tha se mund të siguronte vetëm 40 milionë, dhe së fundmi vetëm 30 milionë. Krahas kritikave për dërgesa të ngadalta nga ana e saj, veçanërisht në Evropë, AstraZeneca po përballet gjithashtu me njoftimet se vaksina e saj shkakton mpiksje të rrezikshme të gjakut tek disa persona. Por vetë kompania dhe entet rregullatore ndërkombëtarë thonë se nuk ka prova se vaksina ka qenë shkaktare e këtyre efekteve anësore. Disa vende, mes tyre Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja e kanë pezulluar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s.

Agjencia Evropiane e Barnave këmbënguli të martën se nuk ka “asnjë të dhënë” se vaksina shkakton mpiksje të gjakut. Zonja von der Leyen tha të mërkurën se ajo “beson tek AstraZeneca, dhe tek vaksinat”.

Vaksina e kompanisë AstraZeneca është një ndër tre vaksinat që po përdoren për fushatat e imunizimit në kontinentin evropian. Por shqetësimet e përshkallëzuara lidhur me sigurinë e saj janë një tjetër pengesë ndaj procesit të vaksinimit në vendet e BE-së, proces që është përfshirë nga mungesat në furnizime e pengesa të tjera çka ka bërë që blloku të mbetet shumë pas fushatave të imunizimit në Britani dhe SHBA. Për tremujorin e dytë të vitit 2021, tha zonja van der Leyen, AstraZeneca do të dorëzojë vetëm 70 milionë doza, më pak se gjysma e 180 milionë dozave që ishte “e detyruar të dorëzonte sipas kontratës”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se në marrëveshjen paraprake për blerjen e vaksinave mes BE-së dhe AstraZeneca-s, figurojnë dy vende në Mbretërinë e Bashkuar ku po prodhohet vaksina. Ajo shtoi se “Ne jemi ende duke pritur që dozat të vijnë nga Britania e Madhe”.

Zonja Von der Leyen gjithashtu vuri në dukje se BE-ja ka eksportuar rreth 41 milionë doza vaksinash në vendet e tjera. “Por zgjidhja duhet të vijë nga të dyja drejtimet dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të sigurojmë që ka reciprocitet dhe përgjigje të njëjtë në sasi”, tha ajo. “Nëse situata nuk ndryshon, ne do të na duhet të reflektojmë se si t’i bëjmë eksportet në vendet prodhuese të vaksinave, të jenë të varura nga qasja e këtyre vendeve”, shtoi ajo, por pa përmendur asnjë vend. Ajo tha se synimet e BE-së janë që të vaksinojë 70 për qind të popullatës së rritur të saj deri në shtator.

 

VOA/ Vendimet e shteteve europiane për pezullimin e vaksinës Astra Zeneca nuk e frenuan nisjen e vaksinimit të mësuesve në qytetet kryesore të Shqipërisë

Mësuesit: Kemi frikë nga vaksina, nuk flasim se na pushojnë nga puna

Në Shqipëri, nisi mes refuzimit dhe një entuziazmi të përmbajtur vaksinimi i mësuesve në kryeqytet dhe qytete të tjera me vaksinën Astra Zeneca kundër virusit COVID-19. Një pjesë jo e vogël e mësuesve refuzuan ta merrnin këtë vaksinë, ndërsa një pjesë tjetër pohonin jashtë kamerave pasigurinë dhe frikën e tyre për pasojat e saj.

Vendimet e disa shteteve europiane për pezullimin e vaksinës Astra Zeneca nuk e frenuan nisjen e vaksinimit të mësuesve në qytetet kryesore të Shqipërisë me këtë vaksinë.

Në shkollat Ismail Qemali, Petro Nini Luarasi dhe 4 dëshmorët, u hapën qendrat e vaksinimit, të cilat u bënë mikpritëse edhe për gjithë shkollat e tjera.

Mësuesit vinin grupe-grupe sipas një kalendari të përcaktuar së bashku me drejtuesit e shkollave, një pjesë nuk paraqiteshin pranë këtyre qendrave, ndërsa një pjesë tjetër, edhe pse kishin ardhur aty, refuzuan me shkrim ta merrnin vaksinën Astra Zeneca.

Jashtë kamerave mësuesit pohuan për gazetarët frikën dhe pasigurinë e tyre ndaj vaksinës Astra Zeneca, një pjesë tjetër ishin shumë entuziastë, por asnjë grup dhe as tjetri nuk pranonin të flisnin para mikrofonit, duke shmangur identifikimin e tyre në publik, për të larguar, siç pohonin, ndonjë masë administrative ndaj tyre.

Një pjesë tjetër e mësuesve vazhdonin në heshtje vaksinimin, duke mbajtur shpresa të mëdha tek shkencëtarët në këtë periudhë pandemie. Drejtuesit e shkollave pohonin se një pjesë e mësuesve kishin refuzuar të merrnin vaksinën Astra Zeneca për arsye të ndryshme, dhe se kjo ishte e drejta e tyre.

Një drejtuese e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha se procesi i vaksinimit ka ecur normalisht, ndërsa për refuzimet shtoi se ishin thjesht shtyrje datash për arsye shëndetësore.

Vaksinimi i mësuesve nisi në mëngjes në Gjirokastër, ku sërish arsimtarët paraqiteshin sipas një kalendari të hartuar më parë dhe një pjesë refuzonin ta merrnin vaksinën ose prej frikës ose për arsye shëndetësore. Drejtuesit e shkollave dhe shëndetësisë në Gjirokastër pohuan se gjithë mësuesit janë informuar maksimalisht për vaksinën dhe pjesëmarrja në proces është e madhe, ndërsa vendimi për t’u përfshirë ose jo në të është personal..

Në Shkodër vaksinimi i mësuesve nisi pasdite, pasi përfundoi procesi mësimor, ku edhe atje ishte sërish e njëjta pamje.

Në qendrën sportive, ku është vendosur më herët baza e vaksinimit u paraqitën mësuesit dhe drejtorët shkollave, të cilët pasi plotësonin formularët, merrnin vaksinën dhe një pjesë refuzuan, duke mos ardhur ose duke shkruar në tabelë arsyet e refuzimit.

Pas mjekëve dhe pensionistëve, mësuesit janë grupi i tretë që po nisin vaksinimin në Shqipëri. Një pjesë e madhe e tyre u infektuan gjatë këtij viti, ndërsa procesi mësimor vazhdon online përmes internetit.Vendimet e disa shteteve për të pezulluar përdorimin e vaksinës Astra Zeneca shtuan hezitimin e qytetarëve për ta marrë atë.Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu ndoqën nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve në qytetin e Durrësit. Zoti Rama tha se procesi i vaksinimit me AstraZeneca po vijon në shumë vende të tjera.Në Shqipëri kanë mbërritur mbi 80 mijë vaksina Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa pritet rritja e sasisë së vaksinave në javët në vijim. Deri tani qeveria shqiptare ka siguruar 1,6 milion doza vaksinash për 800 mijë qytetarë, nëpërmjet kontratave me Pfizer dhe mekanizmit COVAX.Në të gjithë Shqipërinë janë 41 shkolla deri tani, ku është hapur procesi i vaksinimit. Komiteti Kombëtar i Vaksinimit dhe Komiteti i Imunizimit po vlerësojnë situatën hap pas hapi.Deri tani janë kryer rreth 30 mijë vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit në të gjithë vendin.