Turizmi drejt falimentit, bizneset me sytë nga Paketa II e qeverisë

733
Sigal

Turizmi në Shqipëri, si një nga mekanizmat kryesorë për të ardhurat e vendit, ndodhet pranë falimentimit. Shumë biznese apelojnë për ndihmë, ndërsa tregojnë se nëse nuk do të ketë masa mbështetëse nga qeveria, jo vetëm sivjet, por edhe vitin tjetër do të jetë tejet e vështirë rimëkëmbja. Kjo mbështetet dhe nga ekspertët, të cilët e cilësojnë ditën më të zezë të turizmit shqiptar, i cili brenda një kohe të shkurtër mori një goditje dyfishe, fillimisht nga tërmeti dhe pastaj nga pandemia.

Turizmi në kohën e Koronavirusit

Madjit Ait Abbas dhe Elona Bejo administrojnë prej më shumë se 2 vitesh Grand Albanik në Ballaban të Këlcyrës. Në sipërmarrjen e agroturizmit të Elonës dhe të shoqit të saj francez, ata kanë krijuar  një nga shembujt më të mirë të turizmit, duke stimuluar në këtë formë edhe ekonominë vendase me blerjen e produkteve të tyre. Megjithatë ata nuk janë të rinj në fushën e turizmit të agro-fermës, pasi më parë kanë administruar një të tillë në Labinot të Elbasanit. Megjithatë Elona ndjehet e shqetësuar për investimin që u është dashur të bëjnë, duke e ngritur gjithçka nga zero.

E parë nga jashtë, nga turistët e huaj, Shqipëria është një vend i virgjër, i paeksploruar dhe me shumë mundësi për të përjetuar kaq pranë Europës një eksperiencë ekzotike, por në këto momente që flasim, turizmi është inekzistent. Domethënë që prej më shumë se 3 javësh ne e kemi mbyllur bujtinën, restorantin, të gjithë aktivitetin që lidhet me to dhe jemi në pritje të ankthshme. Ne besojmë se është e njëjta gjë për të gjitha bizneset e tjera turistike. Shpresa për ta shpëtuar këtë sezon zvogëlohet çdo ditë që kalon. Normalisht sezoni duhet të kishte filluar në 14 mars, siç ndodh çdo vit pak a shumë”, thotë Elona Bejo, pronare e Albanik, ndërsa thekson se të gjitha rezervimet e 3 muajve Mars-Maj janë anuluar.

Madjit Ait Abbas dhe Elona Bejo, administratorë të Grand Albanik.

 “Kemi pasur edhe anulime deri edhe për muajin gusht, por gjithsesi ka akoma klientë që qëndrojnë optimistë dhe nuk i kanë tërhequr rezervimet me shpresën se ky makth do të mbarojë sa më shpejt. Por problemi nuk janë vetëm anulimet, por edhe sepse nuk kemi më asnjë rezervim të ri, apo asnjë klient që vjen pa rezervuar siç ndodh gjithmonë. Dhe përveç kësaj, ne kemi paguar tarifa të konsiderueshme për tu regjistruar në guida ndërkombëtare, para që nuk do na kthehen më kurrë, apo edhe rezervimet nëpërmjet palëve të treta që kur anulojnë nuk mbajnë asnjë përgjegjësi financiare. Domethënë ne humbasim me shumë se agjencitë turistike që mund të kenë të drejtën e ndonjë parapagese”, tregon Bejo për Portën Vendore.

Elona rrëfen se duke dashur që të ketë më shumë kapacitete akomoduese për turistët vendas e të huaj që parapëlqejnë të kalojnë një fundjavë ose më shumë ditë pranë natyrës së virgjër dhe me ushqime bio në një kuzhinë shqiptaro-franceze, për këtë sezon të ri që pritej të niste në mars kanë investuar në dy shtëpiza të reja prej druri.

Grand Albanik në Këlcyrë.

“Ne kemi humbje të mëdha në shumë drejtime. Duke e parë se sezoni i vitit të kaluar ishte shumë i mirë dhe kërkesa ishte në rritje, këtë vit, ne investuam për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë në shërbim. Kemi marrë kredi për këtë gjë. Sot ndodhemi në pamundësi për të shlyer detyrimet. Jemi shumë të shqetësuar për vazhdimin. Lutemi çdo ditë që ky ankth të mbarojë sa më shpejt. Nga ana tjetër, për turizmin rural, siç e dini dhe ju, është shumë e vështirë ngritja e kapaciteteve njerëzore. Ne kishim arritur të ndërtonim një rrjet bashkëpunimi që sot rrezikon të shpërbehet. Në këtë drejtim, nëse pandemia zgjat, duhet të nisim çdo gjë nga e para. Do jetë pak a shumë po aq e vështirë sa të zgjosh të vdekurin nga varri. Ne varemi krejtësisht nga Afërdita, ylli i mëngjesit, që në rastin tonë është Qeveria Shqiptare. Nuk ka shumë alternativa në këtë rast fatkeqësisht”, shpjegon Elona Bejo, pronare e Albanik.

Pavarësisht se Paketa e Re e Agroturizmit, e cila filloi zbatimin e saj më 1 janar 2019 e që do të vijojë deri më 31 dhjetor 2021, synon ta kthejë këtë sektor krejt të pazhvilluar në një motorr të ekonomisë rurale duke pasur masa lehtësuese për këto biznese ndaj shtetit me vetëm 6% TVSH, 5% Tatim Fitimi dhe 0% Taksë të ndikimit në infrastrukturë, sërish Elona tregon që menaxhimi i një biznesi të tillë dhe sidomos fillesat e tij nuk janë shumë të lehta në një vend si Shqipëria.

 “Paralelisht me këtë gjysmë-suport financiar, nuk ka politika të zhvillimit të infrastrukturave në zonat rurale, nuk ndërtohen rrugë, nuk ka sistem të furnizimit me ujë, energji elektrike apo internet, nuk ka facilitete në taksa vendore apo lehtësi administrative. Ne na u deshën 4 vjet për të nënshkruar një kontratë me Bashkinë e Këlcyrës dhe rrugën e investuam nga xhepi, dhe përveç kësaj paguajmë taksë për plehrat, taksë gjelbërimi dhe ndriçimi, ndërkohë që nuk kemi asnjërin nga këto shërbime”, tregon Bejo mbi sfidat e mëdha të biznesit të agro-turizmit që ajo përfaqëson.

Skenarët për fundin e pandemisë janë të ndryshëm, në vende të ndryshme, por nëse do t’i referohemi atij afatmesëm, ku mjekët flasin për përfundim të pandemisë diku nga fundi i muajit maj, atëherë mund të arrihet të shpëtohet diçka nga ky sezon në sektorin e agroturizmit.

“Nëse pandemia mbaron në fillim të majit, mund të kapim diçka në muajt e pikut turistik, por dëmet në ekonominë e çdo familjeje, dëmet në biznese, humbjet në njerëz (ne kemi klientë, turistë të huaj, që kanë humbur të afërmit ose kanë vdekur nga virusi), frika dhe pasiguria, sigurisht që e kanë intimiduar pa asnjë dyshim turizmin mbarë botëror, jo vetëm atë shqiptar. Nëse do ketë pak turizëm këtë vit, do jetë një lëmoshë krahasuar me investimin që është bërë nga bizneset turistike shqiptare për ta pritur sa më denjësisht këtë sezon që besohej se do te ishte më i miri ndonjëherë. Domethënë do kapim ndonjë ‘peshk’ të vogël sa për sport, por asgjë që mund të na ushqejë. Normalisht të gjitha rezervimet e rëndësishme për sezonin bëhen brenda muajit mars, atëherë kur të gjithë europianët parashikojnë ditët kur do shkojnë me pushime. Tani skenari bëhet gri, në fund të prillit do jetë krejt i errët”, tha pronarja e Albanik, Elona Bejo e cila është me profesion arkitekte.

Por bizneset që janë me fokus dhe që zotërojnë statusin të certifikuara nga qeveria shqiptare si ‘Biznes Agro-turizëm”, në fakt presupozojnë të kenë punë gjatë të gjithë vitit, ku “sezoni” për ta nis në mars e deri në tetor. Ndaj në lidhje me situatën që po kalojmë për shkak të Covid 19, anulimet e shumta nga turistët e ngre si shqetësim edhe Jonida Hida, administratore e Ferma Sotirës në Leskovik të Ersekës.

“Në fillim kishim shpresë, por tani situata është më e qartë nuk do ketë turizëm nga të huajt deri në fund të qershorit. Janë anuluar të gjitha, grupet me turistë deri në qershor dhe ndonjë rezervim në korrik . Të gjitha agjencitë që ne bashkëpunojmë na i kanë anuluar rezervimet nga burime të tjera si booking, psh janë anuluar. Turistë të huaj do këtë shumë pak sivjet. Shpresojmë që shqiptarët të bëjnë të gjithë pushime në Shqipëri, për të ndihmuar sado pak situatën. Problem e kanë më shumë ata që janë të rinj në treg dhe kanë marrë kredi. Këto vitet e fundit kishte një trend në investimet në turizëm dhe kjo gjë do ndryshojë për disa vite sa ta marrë përsëri veten turizmi”, tha Jonida Hida për Portën Vendore, ndërsa theksoi se: “Shpresojmë duke qenë që Shqipëria operon me çmime të ulëta të joshë turistët nga vendet e huaja që sigurisht dhe ata kanë pësuar një tronditje në ekonomi. Sivjet do ishte një sezon shumë i mbarë, pasi të gjitha agjencitë i kishin dyfishuar grupet dhe dëmi, kështu që dëmi do jetë shumë i madh. Tani për momentin janë në punë punëtorët që merren me bagëtinë. Në qoftë se nuk do ketë turizëm fare gjatë verës do ngelen 15 punëtorë pa punë, që ne do punësoheshin për këtë verë. Mendoj 3 vite në rastin më të mirë i duhet turizmit të marrë veten sipas këtij skenari”, tha Hida.

Ferma Sotira në Leskovik të Ersekës

Strukturat hoteliere në vend gjithashtu janë të prekura nga kjo situatë, ku sërish flitet për një numër të konsiderueshëm anulimesh deri në muajit maj e qershor.

Tatyana Bajraktari, ka mbi 10 vite që ka ardhur në Shqipëri nga Ukraina. Ajo u njoh me Shqipërinë nëpërmjet bashkëshortit të saj dhe ishte një dashuri me shikim të parë. Që nga ai moment, ukrainasja investoi në turizëm, duke pritur e përcjellë shumë turistë, kryesisht ata që vijnë nga vendet e lindjes si Ukraina, Bjellorusia, etj.

 “Ky sezon veror për Shqipërinë dhe gjithë botën sot është ‘i plagosur’ do ta quaja, por jo pa shpresë. ‘Shpresa vdes e fundit’ është një shprehje, dhe në rastin konkret, Neve (kompania jonë ALER Travel) nuk e kemi ndaluar punën tonë dhe vazhdojmë përgatitjet për këtë sezon veror. Në bazë edhe të analizave dhe konsultave që kemi edhe me parterët tanë ndërkombëtarë, anulime të prenotimeve nga ana e turistëve ka pasur në drejtim të të gjithë botës. Kështu që edhe Shqipëria është pjesë e këtij tregu, që d.t.th. që anulime ka pasur dhe vazhdojmë të kemi, megjithëse doja të theksoja që kohët e fundit ka rënë dendësia e anulimeve për destinacionin tonë. Sa më shpejt të normalizojmë situatën dhe të lejojmë lëvizjen e lirë, aq më shpejt do kemi dhe përmirësim, si dhe do fillojnë të ndihen edhe rezultatet e saj”, tha Bajraktari, administratore e Aler Travel.

Aler Travel punon kryesisht me turistë të huaj dhe ka si pjesë të rrjetit tre hotele, një në Durrës dhe një në Vlorë dhe një në Sarandë. Tatyana i mëshon fort idesë se për asnjë moment, turizmi, pavarësisht të gjithë vështirësive, nuk duhet të ndjehet i “humbur”, përkundrazi këto muaj pauze të shërbejnë për përgatitjen e sezonit turistik, kurdo që ai të fillojë.

 “Sektori i turizmit, është sektor delikat dhe të thuash me bindje se ky është muaji limit që neve na shpëton, nuk është e saktë. Unë mendoj se nëse situata që kemi, normalizohet në maksimum dhe Shqipëria fillon dhe hap kufijtë e saj nga fillimi deri maksimumi mesi i majit, atëherë të gjithë ne do bëjmë ç’është e mundur që të sjellim sa më shumë turistë. Të gjitha këto kanë të bëjnë edhe me situatën që do jetë edhe në vendet e tjera, por ne jemi në Shqipëri, dhe flasim për atë që na dhemb neve. Turizmi në Shqipëri është një sektor që vazhdon dhe zhvillohet dita ditës, dhe nuk e ka arritur atë pikun e vet të pritjes së turistëve elitarë. Të gjithë përpiqemi të kontribuojmë për arritjen e këtij qëllimi. E vërteta është që këto “goditje” që bëjnë pjesë në forcat madhore, pra nuk janë në dorën e njeriut, e dëmtojnë ekonominë e vendit, por imazhin nuk arrijnë dot ta dëmtojnë. Për të ruajtur atë që kemi arritur dhe zhvillimin e mëtejshëm, ne duhet të punojmë më fort, në bashkëpunim edhe me institucionet shtetërore, që të rrisim standardet e dhënies së shërbimit turistik dhe të arrijmë ta rendisim Shqipërinë në vendet me standard ndërkombëtar. Turizmi patjetër që do t’i mbijetojë këtyre luhatjeve sporadike dhe në të ardhmen mendoj se ky sektor do vazhdojë të jetë shumë i dobishëm në ekonominë e vendit”, tha ajo.

Hotel Aler në Vlorë.

Agjencitë dhe guidat turistike, skeptike për turizmin e 2020-ës

Një hallkë tjetër e rëndësishme përveç atyre që operojnë dhe menaxhojnë strukturat e hotelerisë ose ambiente të tjera akomoduese janë edhe agjencitë turistike e guidat. Të dhënat e deritanishme flasin për anulime në masën 100% deri në muajin maj, anulime 70% për sezonin e verës dhe 40 % për sezonin e vjeshtës. Të gjendur në këtë situatë, Ismail Hoxha drejtues i agjencisë “Discover Albania” shprehet skeptik mbi këtë vit turistik që e kishte menduar të begatë nga aspekti financiar.

 “Personalisht mendoj se është shumë e vështirë për ta shpëtuar këtë sezon veror, duke pasur parasysh që e gjitha kjo mund të vazhdojë deri nga fundi i majit. Ndaj të gjitha organizimet që po mendohen po llogariten nga qershori e tutje. Shpresojmë të paktën që ky sezon të jetë i përgjysmuar, të fillojmë diku nga korriku, pastaj vijon në gusht dhe shtatori. Turizmi është një makineri që nëse fiket do shumë më shumë kohë për tu ndezur e për të punuar normalisht. Është situata që njerëzit e shohin edhe vetë me skepticizëm se do të hapen gjërat apo jo pas kësaj. Kështu që me anulimet jemi vërtetë në pikë shumë të keqe”, tha Hoxha për Portën Vendore, ndërsa thekson se sipas tij, Shqipërisë do t’i duhet një vit për të marrë veten nga kjo situatë në pikëpamjen e turizmit.

 “Ne sigurisht që na ka prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Së pari qiraja, pagat e punonjësve, por edhe fakti që s’do të zhvillojmë më aktivitet deri nga fundi i qershorit. Pesë full time dhe 10 part-time, pra 15 persona, këtë muaj do t’i suportojë zyra, por pas këtij muaj do ta kemi të vështirë që t’i paguajmë. Por të paktën mendoj se mund të merremi me turizmin vendas që të mbajmë shpirtin gjallë. E gjitha kjo nuk është zgjidhja më optimale, por të paktën shpresojmë se kështu hotelet edhe strukturat akomoduese të mos i fikin motorët fare, por të bëjnë të paktën një nxemje sa për të qarkulluar disa para e për të mbajtur frymën gjallë të biznesit. Shqipëria tani ishte në pikën që duhet të shpërthente në aspektin turistik dhe tashmë duhet që të bëjmë hapa mbrapa”, sqaron Ismail Hoxha.

Artef Lekaj menaxhon një anije për turistët në liqenin e Vaut të Dejës, ku në vitin 2015 së bashku me djalin e tij, të gjitha kursimet e një jetë i vuri në dispozicion të turizmit. Ai i bën guidën turistëve vendas e të huaj në ishullin e Shurdhahut ose njohur ndryshe si ishulli i Sardës, i pozicionuar në Liqenin e Vaut të Dejes, dhe nën administrimin e Bashkisë Shkodër, pas ndarjes së reformës territoriale. Anija ka 50 vende dhe gjatë periudhës mars-gusht është piku i vizitorëve.

Anija Sarda në Liqenin e Vaut të Dejes.

Megjithatë Artefi e përkufizon të gjithë këtë situatë që po kalojmë me shprehjen se : “S’do na lejë zoti pa riskun tonë”, duke shpresuar që pandemia të marrë fund një minutë e më parë.

“Biznesi im i vogël ‘Sarda tours’ ka në guidën e saj turizmin ditor dhe ka në përbërje të saj, turistë vendas dhe të huaj. Ne kishim planifikuar hapjen e sezonit turistik në liqenin Vau Dejës me 10 prill sepse gjatë 20 ditëve të muajt prill kishim 6 prenotime nga grupe ë ndryshme, po kështu edhe gjatë muajt maj kishim shumë shkolla e grupe studentore që donin të vizitonin Sardën dhe bukuritë e kanionit të Drinit. Në muajin maj kishim planifikuar dhe një event kulturor për promovimin e turizmit në Sardë me titull ‘Zanat e Sardës’. por si rezultat i pandemisë të gjitha janë anuluar. Shpresojmë në rastin më të mirë që pandemia të mbarojë deri nga fundi i muajit maj që ne të kapim turizmin në muajit e nxehtë të verës, pse jo dhe në vjeshtë, ku vitin e kaluar kemi punuar deri në muajin nëntor”, tha Artefi për Portën Vendore. Ai shton se punëtorët po përpiqet t’i mbajë me sforco të mëdha ekonomike vetëm e vetëm për të mos i humbur, megjithëse e di fort mirë që sektori i turizmit në të cilin ai bën pjesë prej vitesh si guidë është në vështirësi reale.

“Në sektorët me riskun më të lartë është sektori i turizmit. Jo vetëm që janë anuluar shumë kontrata  me agjencitë turistike por mendojmë se qëndrimi në karantine i gjithë popujve për disa muaj ka për të dhënë ndikime negative edhe te pasioni i njerëzve për të shkuar me pushime”, thotë Artefi me gjysmë-ironi.

A do të shpëtojë turizmi nga kriza?

Sektori i turizmit në pak muaj është goditur dy herë, ku në nëntor të vitit të kaluar tërmeti nuk kurseu zonën e Durrësit, e Lezhës, ndërsa pandemia globale e Covid 19 duket se i vuri vulën vështirësive të mëdha që po heq ky sektor, e tanimë jo vetëm në dy zona shumë të frekuentuara të vendit tonë, por në gjithë Shqipërinë nga veriu në jug. Ndaj kur flasim për këtë sezon turistik, i cili ka nisur, ekspertët e turizmit shprehen skeptikë nëse ai realisht mund të “shpëtojë”.

“Nga zhvillimet në nivel botëror të pandemisë, më duket shumë e vështirë që të shpëtohet sezoni veror. Turistët ndërkombëtarë tani i kanë anuluar të gjitha udhëtimet e tyre drejt Shqipërisë. Gjithashtu për shkak të pandemisë, shumica e njerëzve duke qëndruar në shtëpi i kanë konsumuar lejet vjetore apo kohën që duhet t’i dedikonin pushimeve. E vetmja shpresë, gjithmonë sipas skenarit në rastin që virusi largohet në fund të Majit, janë turistët shqiptarë dhe ata të rajonit përreth. Vizita nga këta të fundit varet nga niveli që do pësojë rënia ekonomike, pasi përtej kërcënimit për shkak të pandemisë vdekjeprurëse dhe të shëndetit nga Covid-19, kërcënimi i radhës është recesioni ekonomik. Situata është tejet dramatike dhe e vendos turizmin shqiptar në ditët më të këqija që nga momenti i lulëzimit të industrisë”, tha për Portën Vendore, Blerina Ago, eksperte turizmi & sipërmarrëse, Active Albania.

Shqipëria ka 89,5 % të turistëve ndërkombëtarë nga Europa dhe sot kontinenti është në një kolaps total. Operatorët turistikë po përpiqen t’i shtyjnë turistët të zhvendosin datat e udhëtimit për në vjeshtë, por situata është shumë e komplikuar, pasi varet nga zhvillimet në nivel botëror.

Gjithashtu ekspertët e turizmit flasin edhe për rritje të fleksibilitet, duke i dhënë mundësi turistëve që ta transferojnë rezervimin në emër të një personi të tretë, në momentin kur nuk ka mundësi vetë të udhëtojë.

“Qindra-mijëra punë janë aktualisht në diskutim, ndërsa shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme rrezikojnë të mbyllin biznesin e tyre. Mbështetja për turizmin duhet të jetë një përparësi në reagimin ndaj krizës dhe planet e rikuperimit që do ndiqen nga qeveria shqiptare. Kërkohet veprim për të forcuar rezistencën e sektorit në planin afatgjatë dhe për të përgatitur terrenin për një rikuperim të shpejtë nga kjo krizë e jashtëzakonshme”, thotë Ago për Portën Vendore.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, turizmi është një ndër sektorët që sjellin më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, buxhetin sipërmarrës dhe atë familjar, me një kontribut direkt në PBB prej 8,5% dhe një vlerë të shtuar indirekte prej 26,2%. “Turizmi ka potencialin më të lartë të punësimit, nga ku 96,700 kanë qenë të punësuarit direkt dhe mbi 291,000 ishin të punësuarit total në këtë sektor përgjatë 2017-ës”, deklaron Ministria e Turizmit.

Kjo do të thotë se vlera e shtuar e këtij sektori ka një rëndësi ekonomike dhe strategjike për vendin, pasi për çdo një lek të investuar, krijohen tre lekë vlerë e shtuar dhe për çdo një të punësuar në këtë sektor, hapen tre vende të reja pune. Kështu që, rënia e industrisë turistike do sjellë një katastrofë në ekonominë shqiptare.

 “Turizmi është duke kaluar 2 goditje të mëdha, tërmeti tragjik i Nëntorit dhe Covid-19. Është shumë e vështirë të bindësh njerëzit të vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Nëse qeveria bën një reagim të menjëhershëm nëpërmjet një pakete të dedikuar për industrinë e turizmit, ku duhet të theksoj se çdo orë e humbur ka pasoja tragjike, kemi shpresë të shpëtojmë një pjesë të madhe të bizneseve të hotelerisë, restoranteve, argëtimit e rekreacionit nga falimentimi. Turizmi lidh një sërë industrish ku ndër më kryesoret bujqësia, transporti, artizanati, etj, dhe duke shpëtuar turizmin shpëtohet zemra e shëndetshme e ekonomisë shqiptare. Përndryshe do jemi dëshmitarë të periudhës së errët shqiptare ku vendi do zhytet në varfëri e mjerim, tha ekspertja e turizmit Blerina Ago.

Turizmi është sektori më i prekur në të gjithë botën prej pandemisë. Madje, sipas Agjencisë së Vlerësimit të borxhit S&P Global Rating, Shqipëria është në mesin e 15 vendeve bashkë më Barbados, Aruba, Belize, Cape Verde, Mali i Zi që do të pësojnë humbjet më të mëdha, ku parashikohet një rënie totale e të ardhurave nga 11 deri në 27%.

“Sot turizmi është i bllokuar totalisht në të gjitha hallkat e tij dhe në këtë periudhë në të cilën gjendemi, kjo bllokadë të bën pesimist për të shpëtuar sadopak sezonin veror të këtij viti. Por, duke marrë parasysh tipologjinë e turistit shqiptar, të cilët i lënë rezervimet e pushimeve për në moment të fundit, gjithë agjencitë outgoing kanë shpresë se mund të shpëtojnë ndopak nga ky sezon. Ndërkohë, për agjencitë Incoming, hotelet shqiptare dhe transportuesit turistikë shqiptarë, ky sezon veror- madje dhe ky vit turistik – mund të konsiderohet i humbur”, tha për Portën Vendore Dr. Ferjolt Ozuni, Ekspert turizmi dhe Pedagog në Universiteti Mesdhetar të Shqipërisë.

Ozuni tregon se anulimet kanë nisur më herët se pandemia të mbërrinte deri në Shqipëri, duke theksuar se shumë shpejt sektori i turizmit dhe hallkat e tij do të arrijnë në kolaps financiar, nëse situata vijon e tillë.

 “Anulimet e para kanë nisur që në Janar kur pandemia nuk kishte pushtuar ende Europën, dhe të goditurit e parë ishin Transportuesit Turistikë, të cilët bashkëpunonin me agjenci turistike aziatike. Me pas, gradualisht, filluan anulimet masive ku sot kemi të anuluar totalisht çdo shërbim turistik të kontraktuar nga të huajt në Shqipëri deri në Korrik. Por nga dita në ditë po vijojnë kërkesat për anulim dhe rimbursim të parapagimeve edhe për muajt pasardhës. Me këtë ritëm, shumë shpejt do të ngelemi pa asnjë rezervim nga të huajt në Shqipëri për këtë vit”, sqaron Ozuni, i cili administron gjithashtu autobus.al, një kompani që jep autobusë me qira në shërbim të turistëve ose për tifozët e huaj kur skuadra e tyre vjen të luajë me Kombëtaren e Shqipërisë.

 “Mendoj se nëse bllokada e shkaktuar nga COVID-19 do të vazhdojë më tej se muaji Prill (ashtu siç dhe parashikohet nga shumë specialistë të mjekësisë), në Shqipëri do të kemi 90% të aktiviteteve turistike pa punë e pa të ardhura. Ndoshta është një parashikim shumë pesimist por duke marrë parasysh tipologjinë e turistit të huaj si dhe mënyrën se si dhe kur janë bërë rezervimet në vitet e shkuara, shanset që ne të kemi një sezon të kënaqshëm turistik veror (por dhe në tërësi këtë vit) janë shumë të limituara”, tha Ozuni.

Goditja dyfishe për Shqipërinë

Pas tërmeteve të fundvitit të shkuar u tha njëzëri se turizmi do të ishte sektori më i prekur, pasi goditjet e tërmetit e patën epiqendrën në një nga zonat më të rëndësishme turistike në Shqipëri, si dhe u dëmtuan shumë njësi akomoduese. Imazhi i krijuar pas tërmetit krijoi pasiguri tek turistët të cilët dëshironin të vizitonin dhe të kalonin pushimet verore në atë zone. Por, me ndihmën edhe të bashkëpunëtorëve (agjencive) të huaja, u arrit deri diku stabilizimi i imazhit dhe i kërkesës për ofertat turistike në Shqipëri. Ndërsa tani, në rastin e pandemisë, situata u komplikua akoma dhe më shumë për turizmin në Shqipëri nga pikëpamja ekonomike – komplikime këto që rrezikojnë të çojnë një pjesë të sipërmarrësve të këtij sektori drejt falimentimit.

 “Nuk duhet harruar fakti që sipërmarrësit në këtë sektor kanë bërë edhe investime të ndryshme për rinovimin, apo restaurimet e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, apo për rinovimin dhe shtimin e flotës së mjeteve (në rastin e transportuesve) duke u bazuar në të ardhurat e mundshme të këtij viti dhe duke marrë kredi. Pezullimi i aktivitetit të tyre për një periudhe të zgjatur, do t’i çonte këta sipërmarrës në kushtet e mungesës së kapaciteteve financiare dhe të mungesës së likuiditetit, duke i drejtuar drejt falimentimit. Pra, pa ndihmën e një pakete financiare nga ana e qeverisë, ky sektor do të shkojë drejt falimentimit të sigurt”, tha eksperti Ozuni.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha për Portën Vendore se për vitin 2019 kemi pasur rreth 6,4 milionë turistë ose 8.1% më shumë se në vitin 2018, të cilët mesatarisht kanë kaluar 4.3 net në Shqipëri dhe kanë harxhuar 52 Euro në ditë. Gjithashtu kemi pasur rreth 6 milionë shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë, me një mesatare 5.9 ditësh dhe kane harxhuar mesatarisht 46 Euro në ditë. Duke pasur parasysh se turizmi në Shqipëri është shtrirë gjatë gjithë vitit, ndërsa sivjet Shqipëria mori dy goditje të njëpasnjëshme, tërmeti dhe pandemia, shifrat priten të bien në pikiatë.

Turizmi me sy e vesh nga qeveria

Përballë kësaj situate, operatorët turistik kërkojnë ndihmë nga qeveria për daljen nga kjo krizë financiare që po i kaplon dita-ditës, sa më gjatë që zgjat karantina. Sipas ekspertëve dhe operatorëve turistikë, qeveria mund të bëjë shumë për sektorin e turizmit dhe kjo e shtrirë në disa drejtime. “Qeveria duhet të bëjë një fushatë agresive marketingu për Shqipërinë si destinacion turistik dhe të nxisë duke mbështetur me fonde zhvillimin e produkteve të reja sapo vendi të dalë nga pandemia. Qeveria duhet të negociojë me aeroportin e Rinasit për të lehtësuar tarifat aeroportuale, duke rikonsideruar gjithashtu vlerën e taksës së kalimit”, tha ekspertja e turizmit Ago.

Ndërsa eksperti Ozuni shkon edhe më tej duke sugjeruar një paketë ndihmëse për këtë biznes. “Nëse qeveria nuk e ndihmon këtë sektor, pas kësaj situate pritet që sektori i turizmit me të gjithë aktorët e tij të jetë në pamundësi ekonomike për të rinisur punën. Por me ndihmën e një pakete financiare ndihmëse nga ana e qeverisë, ku mund të përfshijë subvencione, heqje detyrimesh fiskale, shtyrje kredish për një afat minimalisht 1-vjeçar, investime në infrastrukturë e marketing, etj – ky sektor mund ta rimarrë veten duke filluar nga viti i ardhshëm; me kusht që pandemia dhe problemet me COVID-19 të fillojnë të ndalojnë duke nisur nga muajt Maj-Qershor, dhe të mos rishfaqen më”, thote Ferjold Ozuni, administrator i autobus.al.

Ndërsa vetë operatorët turistikë që janë të prekur drejtpërdrejt nga kjo situatë kanë pretendimet e tyre, të cilat gjithashtu konsistojnë kryesisht në pezullim taksash. “Mendoj se shteti duhet të orientojë një politike të posaçme në ndihmë të biznesit turistik, të paktën për ato biznese që janë më pak se 3-vjeçare, duhet të amnistojë taksat dhe duhet të garantojë kreditë në mënyrë që t’i japë mundësi këtij sektori të mbijetojë deri në sezonin e ardhshëm turistik. Vetëm kështu mund të sigurohet në vazhdimësi qëndrueshmëria e turizmit që ka për tu bërë një burim kryesor i të ardhurave si për vetë biznesin ashtu edhe për arkën e shtetit. Domethënë, duke e ndihmuar turizmin sot, ai do ndihmojë ekonominë e vendit nesër. Duhet largpamësi në këto momente”, tha Elona Bejo, administratore e Grand Albanik Përmet.

Megjithatë të gjithë janë në sintoni ku vjen fjala tek fundi i pandemisë, ndërsa besojnë se gjithçka do të marrë fund në maj.

“Nëse pandemia në rastin më të mirë merr fund në fund të majit, s’jemi ne gati 100% për të startuar, se e gjitha kjo ka sjellë një dobësim shumë të madh të strukturave të turizmit dhe resurseve, qoftë në nivelin e personelit, qoftë në nivelin e investimeve. Do jetë shumë e vështirë dhe mendoj se do të duhen një sërë masash nga qeveria përsa i përket turizmit. Pasi me turizmin mund të bëhet edhe ekonomia e vendit dhe vetëm kështu ky vend do të ketë prosperitet”, tha Ismail Hoxha, drejtuesi i Discover Albania-s për Portën Vendore.

Ndërsa Tatyana shfaqet disi me optimiste kundrejt të gjithë skenarëve të zymtë që artikulohen për vijimin e situatës, madje ajo apelon se pushimet këtë vit shqiptarët duhet t’i bëjnë në vendin e tyre, në Shqipëri.

“Turistët vendas, këtë vit të paktën duhet të mbështesin turizmin vendas dhe pushimet duhet t’i kalojnë në Shqipëri. Për të mirën e të gjithëve. Të jemi bashkë edhe kësaj radhe, në mënyrë që të mund ta lehtësojmë sadopak atë mungesë të turistëve të huaj që mund ta kemi këtë sezon. Koha që do të duhet për të rimarrë veten turizmi në Shqipëri, është e varur nga shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Për arritjen e kësaj, duhet që sa më shumë të ndihmojmë veten tonë, pra shteti-operatorët turistikë, si dhe operatorët turistikë-shtetin, kështu do arrijmë më shpejt të stabilizohemi. Unë mendoj se në bashkëpunim edhe me shtetin, do të gjendet një mënyrë që t’ia dalim dhe të vazhdojmë detyrën tonë për prurjen e sa më shumë turistëve të huaj, që të shijojnë bukuritë përrallore të Shqipërisë sonë”, përfundon Bajraktari.

Shoqata e Turizmit: Presim paketën financiare të qeverisë

I kontaktuar nga Porta Vendore, Enver Mehmeti, President i Shoqatës së Turizmit Shqiptar sqaroi se çdo ditë janë në kontakt me përfaqësuesit e qeverisë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë dhe adekuate për situatën në të cilën gjendet turizmi sot.

“Kemi qenë në bashkëbisedim të vazhdueshëm me Ministrin e Turizmit dhe këshilltarët e Kryeministrit Rama, ku i kemi shprehur thuajse çdo ditë shqetësimet tona. I ka në tavolinë të gjithë propozimet tona, madje i kemi kërkuar edhe takime për ta qartësuar situatën e sektorit më të prekur sot, siç është ai i turizmit. Çdo gjë është strategji dhe kalkulim dhe mesa shihet deri më 30 qershor turizmi është zero. Prioritetet tona janë nga më të ndryshmet, por varet se si do të shihen ato. Pas tërmetit, në fakt ishim rikthyer komplet në normalitetet, por tani jemi në periudhë pauze sërish. E vetmja hapësirë dhe shpresë që kemi është paketa e datës 15 prill ku na kanë premtuar se turizmi do të jetë pjesë përbërëse”, tha Mehmeti, President i Shoqatës së Turizmit Shqiptarë.

Ndërkohë që në deklaratat në media të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, por edhe të Kryeministrit Rama, turizmi do të përfshihet në paketën e dytë financiare që qeveria është në përgatitje e sipër, e ku pritet të bëhet publike në datën 15 prill.

Nga Elisa Gjerani