Tre gjenerata të mjekësisë janë larguar nga vendi

397
Sigal

Më shumë se tre gjenerata të mjekësisë  janë larguar nga vendi

Nga viti 2010 në vitin 2017 janë larguar nga vendi 772 mjekë, me arsim të përgjithshëm ose me specializime pasuniversitare, sipas të dhënave nga Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Vjenës. Ky numër përfaqëson më shumë se tre gjenerata të dala nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ku diplomimet mesatare në një vit janë më pak se 200 mjekë. Kjo do të thotë se nga 7 gjenerata të diplomuarish, 3 kanë emigruar gjatë periudhës në studim. Gjithësej numri i mjekëve shqiptarë në emigrim është 1029,  por 772 prej tyre kanë emigruar nga viti 2010 deri në 2017,  por ky numër realisht është edhe më i lartë, pasi nga 2017, në 2020, emigrimi i trupës  mjekësore ka vijuar me ritme të larta. Ekspertët e Vjenës analizojnë se pandemia Covid-19, do të nxisë edhe më shumë emigrimin e trupës mjekësore nga vendet në zhvillim dhe Europa Lindore  drejt Perëndimit, pasi pandemia Covid, nxori në pah se sistemet shëndetësore në vendet e zhvilluara kishin mangësi. Nevojat më të larta për mjekë në Perëndim bashkë me pagat e ulëta të mjekëve në Lindje do të nxisin edhe më tej emigrimin e mjekëve nga Shqipëria, duke e dobësuar edhe më shumë aftësinë e sistemit tonë shëndetësor,  për të ofruar shërbime mjekësore cilësore. Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve për banorë ndër vendet e Europës dhe Ballkanit Perëndimor, por emigracioni do ta përkeqësojë më tej këtë trend. Në vitin 2017 përllogaritet se 18 për qind e fuqisë punëtore në shëndetësi ndodhet jashtë vendit, veçanërisht në Gjermani. Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Kanada, janë vendet e preferuara të emigrimit për mjekët shqiptarë. Akti i Migracionit të Aftësuar, i cili u miratua në Parlamentin Gjerman vitin e kaluar, hyri në fuqi në mars 2020 dhe synon të lehtësojë hyrjen në tregun e punës dhe punësimin e profesionistëve me kualifikim të lartë me origjinë nga vendet jashtë BE-së. Lehtësimi i procedurave nga Gjermania, mund të nxisë më tej emigracionit drejt këtij vendi.