Tender 6 milionë euro për të rrëzuar maternitetin

404
Sigal

Pas shkatërrimit të godinës së maternitetit, pjesë e kompleksit historik fshihet babëzia e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila zhvillon tenderin me pjesëmarrjen e 9 kompanive, ku 8 prej tyre u skualifikuan në mënyrë që t’i hapej rruga frimës së preferuar të Manastirliut. Ndërkohë që edhe për ndërtimin e spitalit të Laçit, paratë dhe projekti i janë lënë në dorë kunatës së ministres. E njëjta firmë, 1 litër oksigjen në Maqedoni e shet 68 lekë, në Shqipëri 135 lekë

Rrëzimi i një prej godinave të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, pjesë e një kompleksi historik të nivelit të dytë, ka shkaktuar reagime të shoqërisë civile mbi atë që e konsiderojnë si “shkatërrim i ndërtesave monumentale të kryeqytetit”.Pas reagimit publik, media pranë qeverisë nxituan të sqaronin se rikonstruksioni i godinës së maternitetit kryesor të Tiranës, përfshirë edhe rrëzimin e njërës prej godinave të tij, ishin pjesë e planit të Rindërtimit, pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.Por ky justifikim është i dobët dhe aspak real.Projekti për rikonstruksionin e kompleksit të maternitetit “Geraldinë” është shpallur nga Ministria e Shëndetësisë në Buletin e Prokurimit Publik të datës 10 Gusht 2020.

Ky buletin është nga ata normalët, ndërkohë që të gjithë projektet e Rindërtimit janë shpallur në Buletinë të Posaçëm.

Sipas të dhënave zyrtare, Ministria e drejtuar nga Ogerta Manastirliu ka vendosur në dispozicion të tenderit me objekt “Rikonstruksion i godinave të Maternitetit Mbreterësha Geraldinë dhe ndërtim i ri 3 kat Tiranë”, një fond limit prej 668 milionë lekë të reja pa TVSH, ose rreth 6 milionë euro.

Në dokumentat e tenderit, në të cilat nuk lexohet askund parashikimi për prishjen e një prej godinave ekzistuese.

Që në titullin e tenderit duket qartë se objekti i financimit ishte rikonstruksioni i ndërtesave të kompleksit, si edhe shtimi i një ndërtese të re 3-katëshe.

 

Por, ajo që nuk thuhet në dokumenta, të paktën në ato që janë bërë publike, po konstatohet lehtësisht këto ditë në terren.

Duket se godina e re 3-katëshe do të ndërtohet në rrënojat e ndërtesës që po shkatërrohet me mjete të tonazhit të rëndë.

Tenderi
Procedura e tenderit me vlerë rreth 6 milionë euro u mbyll në 2 Shtator 2020. Në konkurim morën pjesë 9 operatorë ekonomikë, nga të cilët 8 prej tyre u skualifikuan për mungesë oferte ose mungesë dokumentacioni.

Në garë mbeti vetëm bashkimi i operatorëve i përbërë nga “Agi-Kons & BE-IS”, të cilët u shpallën fitues me ofertën e tyre me vlerë mbi 466 milionë lekë të reja.

 

Pas këtij rezultati, Ministria e Shëndetësisë nënshkroi kontratën me operatorët fitues në fund të muajit Tetor 2020.

Nisja e punimeve për rikonstruksionin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” u njoftua rreth 3 javë më parë në një status në rrjete sociale të publikuar nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu sipas boldnews.

Statusi, siç ndodh rëndom me drejtuesit qeveritarë të “Rilindjes”, ishte shoqëruar me foto në formatin 3-dimensional (3D) të projektit.

Por, në asnjë rresht të tekstit të Manastirliut nuk përmendet fakti që njëra prej godinave të kompleksit historik do të shndërrohej në “baltë e pluhur”.

Një fakt i tillë u mësua vetëm mesditën e kësaj të shtune, kur shtëllungat e pluhurit të godinës që po shembej mbushën bulevardin “Zogu I” në Tiranë.