Tatimet kanë publikuar një broshurë informuese lidhur me kuptimin e vlerës së tregut për qëllime të përcaktimit të vlerës së tatueshme.
Bazuar në dispozitat e Ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me “vlerë tregu” kuptohet, shuma e plotë që blerësi duhet t’i paguajë, në kushtet e konkurrencës së barabartë, furnizuesit të mallit ose shërbimit, për të përfituar mallrat apo shërbimet në të njëjtën fazë të tregtimit në të cilën furnizimi kryhet, ku furnizuesi vepron si i pavarur në kushtet e tregut në territorin e Shqipërisë, në të cilin ky furnizim është subjekt i tatimit. Në qoftë se nuk mund të sigurohen vlera të krahasueshme për furnizimet e mallrave ose shërbimeve, atëherë me termin “vlerë tregu” kuptohen shumat e mëposhtme: a) për mallrat, një shumë jo më e vogël se çmimi i blerjes së mallit apo të mallrave të ngjashme ose, në mungesë të çmimit të blerjes, sa vlera e kostos e përcaktuar në kohën e furnizimit; b) në rastin e shërbimeve, një shumë jo më e vogël se kostoja e plotë e kryerjes së shërbimit prej personit të tatueshëm.
Çfarë përfshihet në vlerën e tatuesheshme
Vlera e tatueshme e një furnizimi duhet të përfshijë gjithçka që përbën vlerën korresponduese që furnizuesi i mallit ose shërbimit merr ose do të marrë nga blerësi, klienti apo një i tretë, në këmbim të furnizimit, përfshirë edhe subvencionet e lidhura drejtpërdrejtë me çmimin e këtyre furnizimeve, përveç TVSH-së.
Raste të veçanta
Kur vlera e tatueshme e një transaksioni nuk është e mundur të përcaktohet, atëherë autoriteti tatimor për çdo rast, përfshirë edhe ato të përmendura me poshtë, aplikon vlerën e tregut sipas përcaktimit në nenin 36 të Ligjit. Rastet për të cilat është parashikuar që të zbatohet vlera e tregut janë:
- a) për rastin e furnizimit të shërbimeve nga një person i tatueshëm, për qëllime të veprimtarisë së tij ekonomike, në rastin kur TVSH-ja për furnizimin e këtij shërbimi, po të ishte kryer prej një personi tjetër të tatueshëm, nuk do të ishte tërësisht e zbritshme;
- b) për rastet kur furnizimi këmbehet në mallra/shërbime ose pjesërisht të tilla dhe pjesërisht në para, vlera e tatueshme e furnizimit duhet të jetë vlera e tregut e mallrave ose shërbimeve të pranuara, e llogaritur në datën kur TVSH bëhet i kërkueshëm.
Raste të tjera të veçanta
Si masa për të parandaluar shmangien dhe evazionin tatimor, nëse konstatohen raste të parashikuara në nenin 42 të Ligjit të tilla si: Për furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, në rastet e mëposhtme, për blerës ose klientë, me të cilët furnizuesit kanë marrëdhënie familjare apo lidhje të tjera të ngushta personale, menaxhimi, pronësie, anëtarësie, financiare apo juridike, vlera e tatueshme është e barabartë me vlerën e tregut në qoftë se:
- a) vlera korisponduese është më e vogël se vlera e tregut dhe blerësi ose klienti nuk gëzon plotësisht të drejtën e zbritjes së TVSH-së;
- b) vlera korisponduese është më e vogël se vlera e tregut dhe furnizuesi nuk gëzon plotësisht të drejtën e zbritjes së TVSH-së dhe kur furnizimi është i përjashtuar nga TVSH-ja;
- c) vlera korisponduese është më e madhe se vlera e tregut dhe furnizuesi nuk gëzon plotësisht të drejtën e zbritjes së TVSH-së.
– Këto masa zbatohen gjithashtu për marrëdhëniet midis punëdhënësit dhe punëmarrësit ose familjes së punëmarrësit apo personave të tjerë të lidhur ngushtësisht me të.