Tatimet: Si do të bllokohen debitorët

867
Administrata Tatimore bëri të ditur se ka përditësuar në faqen zyrtare, listën e plotë të tatimpaguesve me detyrime, të papaguara tatimore. Drejtoria e Përgjithshme sqaroi tatimpaguesit se afati për të paguar detyrimin (borxh) tatimor sipas rasteve është: Në rastin e vetëdeklarimit brenda 10 ditëve nga data e vetëdeklarimit; nëse borxhi nuk është apeluar bëhet brenda 30 ditësh nga data e marrjes së njoftim vlerësimit. Brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftim vlerësimit, vetëm detyrimin tatimor dhe kamatëvonesën lidhur me të, edhe në rastin kur tatimpaguesi ka apeluar borxhin tatimor. Me plotësimin e afateve proceduriale të mësipërme, sistemi në mënyrë automatike ju dërgon bizneseve në e-filing “Njoftim dhe kërkesë për pagimin e detyrimit tatimor”. Nëse brenda 10 ditësh nga data e marrjes së këtij njoftimi, tatimpaguesi vazhdon të mos paguajë borxhin e tij tatimor, ndaj tij fillojnë masat ligjore të mbledhjes me forcë të borxhit. Masat e mbledhjes me forcë të borxhit tatimor, janë: 

Hapi I: Urdhër bllokimi i llogarive bankare, ku i kërkohet çdo banke ku tatimpaguesi ka llogaritë e tij të mbajë shumën e detyrimit të papaguar në rast mosarkëtimi të detyrimeve 10 ditë pas njoftimit të tij; 

Hapi II: Barrë sigurie dhe/ose Barrë hipotekore mbi pasuritë 10 ditë pas lëshimit të urdhër bllokimit në rast se nuk është arritur arkëtimi i detyrimit; 

Hapi III: Urdhër për sekuestrim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 30 ditëve nga data e vendosjes së barrës së sigurisë dhe/ose hipotekore; 

Hapi IV: Konfiskimi i pasurisë nga Administrata Tatimore në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 15 ditëve nga sekuestrimi i pasurisë.

Administrata Tatimore i dërgon gjithashtu administratës doganore një njoftim ku kërkohet bllokimi i aktivitetit doganor të tatimpaguesit deri në momentin e kryerjes së pagesës së detyrimit të papaguar. Në rastet e moslikuidimit të plotë të detyrimit tatimor pas ndjekjes së hapave të mësipërme kalohet në nxjerrjen e njoftimit, i cili urdhëron palët e treta për pagesën e detyrimit tatimor.
Sigal