Tatim-Taksat, zbulohen vjedhje të mëdha në vitet 2010-2013

654
Sigal

 

Sipas burimeve nga organi akuzës, “vlera e abuzimit i kalon 750 milionë lekët, vazhdon hetimi

Organi i akuzës Durrës, prej disa ditësh  ka bllokuar në degën e Tatim-Taksave arkivin e këtij institucioni duke veçuar për hetim qindra dosje, të cilat  u përkasin bizneseve të mëdha. Dosjet, të cilat i përkasin viteve  2010-2013 kanë si objekt  hetimi, zbulimin e veprimtarisë së paligjshme dhe abuzimin e ish-zyrtarëve të asaj kohe me rimbursimin e disa firmave me forma abuzive duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare shtetit. Sipas burimeve nga organi akuzës, “vlera e abuzimit i kalon 750 milionë lekët, por po hetojmë dhe shumë shpejt do të godasim dhe vëmë para përgjegjësive penale të tjerë zyrtarë tatimesh dhe persona të tjerë që kanë abuzuar dhe kanë shkelur ligjin”. Prokuroria e Durrësit prej 7 muajsh ka nisur një punë intensive, duke  grumbulluar me qindra dosje hetimore nga hipoteka, dogana, tatimet, bashkia, prefektura, komunat  dhe subjekte të tjera që janë nën hetim. Zbulimi gjysmak i problemit të trojeve të grabitura, i ka lënë vendin një tjetër skandali me përmasa disa herë më të mëdha, ku hetuesit kanë zbuluar se Tatimet ishin kthyer në vatra korrupsioni dhe abuzimi me paratë e shtetit. Burime nga organi i Prokurorisë thanë për “Telegraf”, se, “bashkëpunimi me KLSh, sektorin e Antitrafikut dhe Drejtorinë e Policisë, bënë të mundur hetime të suksesshme duke zbuluar një tjetër skandal financiar”. Tashmë pritet që hetuesit të marrin në përgjegjësi penale zyrtarë tatimesh, pasi bëhet fjalë për fakte që implikojnë persona që kanë punuar në degën e Tatim-Taksave Durrës, që nga viti 2010 deri 2013. Sipas hetuesve, “Durrësi mbetet kryeqendra e  skandaleve dhe abuzimeve financiare me paratë e shtetit”. Tatimet, dogana, hipoteka, mbeten aktualisht tre pikat ku prokurorët kanë fokusuar hetimet e tyre mbi skandalet e trojeve, regjistrimin e tyre si të ligjshme dhe fshehjen e detyrimeve fiskale nga firma fantazmë apo edhe më keq, rimbursimin e tyre me forma tepër të sofistikuara. Hetuesve u është dashur një punë e madhe pa orar për të ecur mbi fillin e fakteve, që nxirrnin çdo ditë dhe çdo seancë pyetjesh edhe nga të arrestuarit që gjykata i ka lënë me masë “burg pa afat” prej disa muajsh. Zbërthimi i tyre duket se nuk ka qenë i lehtë, sepse kemi parasysh se bëhet fjalë për zinxhirin e emrave  që edhe sot mbajnë akoma  poste në institucionet e shtetit. Sipas prokurorëve, “në dëshmitë e tyre kanë dalë edhe emra  deputetësh  të cilët kanë qenë pjesëtarë në ndarjet e fitimeve të paligjshme”.