Sigal

Avokati Enea Cenko: Janë ndaluar “cironkat e vegjël”, “peshqit e mëdhenj” fshihen pas qeveritarëve

Një skemë e 20 subjekteve që bashkëpunonim me njëri tjetrin përmes faturave fiktive në një shumë totale prej 34 milionë eurosh, me qëllim uljen e pagesave mujore të TVSH-së si dhe rritjen fiktive të shpenzimeve, në mënyrë që të paguanin më pak tatim fitim u zbulua së fundmi nga  Drejtoria e Hetimit Tatimor, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej rreth 18 milionë euro.

Sipas materialit të prokurorisë, skema funksiononte në këtë mënyrë

Janë 20 shoqëri në objekt hetimi  dhe 30 persona, që kanë kryer blerje fiktive nga shoqëritë që operojnë në fushën e tregtimit të produkteve ushqimore, TVSh e mbledhur nga këto për blerje më pas e shesin në mënyrë fiktive te shoqëri të treta që operojnë në fushën e ndërtimit. Pjesa më e madhe e kompanive janë krijuar në vitin 2017, madje ka raste kur disa prej tyre janë themeluar në të njëjtën ditë. Ato janë shpërndarë në disa qytete, si në Tiranë, kryesisht në zonën e rrugës “Ferit Xhajko”, apo te “Ali Demi” në  Tiranë, në Durrës, Lezhë, Fushë Kuqe etj.

Subjektet në përgjithësi kanë pasur një deri në 11 të punësuar, por nga hetimi ka rezultuar se që të gjithë punonjësit e shoqërisë kanë qenë të punësuar në kohë të ndryshme në subjektet objekt hetimi. “Punonjësit e subjekteve rezultojnë të punësuar aktualisht por edhe më përpara në subjekte të ndryshme ku janë të regjistruar në funksione të ndryshme si  lavazhier, Punëtor krahu, Punëtor ngarkim shkarkimi, bojaxhi, shitës në dyqan, kamerier etj”, thuhet në materialin e prokurorisë. Blerjet janë kryer vetëm nga shoqëri që operojnë në fushën e tregtisë së artikujve ushqimorë, ndërsa shitjet kanë kryer vetëm në subjektet që operojnë në fushën e ndërtimit. Niveli më i lartë i shitjeve të deklaruara nga një kompani e vetme është deri në gati 5 milionë euro.

Sipas materialit të prokurorisë “nga analizimi dhe studimi i të dhënave shoqëritë objektit të hetimi kanë funksionuar si satelit (ndërmjetëse) duke u përdorur nga shoqëri riimportuese që operojnë në fushën e artikujve ushqimore për të shkarkuar vlerën totate rreth 4.3 miliardë lekë (34 milionë euro), e cilat më pas nga këto subjekte është bërë e mundur që kjo vlerë të injektohet në mënyrë direkte në shoqëri tregtare që operojnë në fushën e ndërtimit, këto të fundit me kontabilizimin e kësaj vlere kanë ulur pagesën e TVSH mujore, si dhe duke rritur fiktivisht shpenzimet vjetore duke ulur në këtë mënyrë normën e Tatim fitimit”.

Në analizë të gjithë fakteve dhe provave të grumbulluara nga ana jonë, kemi dyshimin e arsyeshëm se nga ana e këtyre subjekteve është ngritur një skemë mashtrimi me qëllim shmangien e pagesës së TVSh-së, duke kryer blerje në mënyre fiktive për tu ngarkuar me gjendje TVSH dhe më pas këtë gjendje të TVSH ta përdorin duke kryer shitje në mënyre fiktive të subjekte të treta, këto të fundit me këto blerje ulin fashën e pagesës mujore të TVSH-së si dhe ulin normën e TF, duke rritur fiktivisht shpenzimet vjetore, nga këto dyshime na është krijuar bindja se këto subjekte kanë funksionuar si një i vetëm, thuhet në raportin e prokurorisë. Prokuroria dyshon se në skemë mund të ketë dhe persona të tretë të cilët nuk figurojnë si administratorë ose aksionerë (menaxher shitjesh dhe personat përfitues). Një tjetër dyshim është se pas subjekteve mund të jenë 2 ose më shumë studio kontabël të cilët bëjnë rakordimet e faturave dhe deklarimin e tyre në sistemin tatimor .

Duke llogaritur me afërsi dëmin e shkaktuar në buxhetin e shtetit subjekti objekti hetimi ne total kanë shkaktuar një dëm në vlerën e TVSH si dhe TF 18,000,000 euro. Si rezultat i këtij operacioni 13 persona u arrestuan ndërsa 12 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Enea Cenko: Janë ndaluar “cironkat e vegjël”, “peshqit e mëdhenj” fshihen pas kostumit të qeveritarëve

Avokati Enea Cenko, si përfaqësues i disa prej të ndaluarve, u shpreh për “Telegraf” se 13 të arrestuarit janë “cironkat e vegjël”, ndërsa “peshqit e mëdhenj”, ata që kanë përfituar milionat e abuzimeve, ose kanë ikur në drejtim të paditur, ose janë fshehur pas kostumit të qeveritarëve. Sipas avokatit Cenko, organet e specializuara dhe ata të tatimeve, kanë dijeni të plotë për mekanizmin e grabitjes së miliona eurove me TVSH-në, pasi pa dijeninë e tyre nuk ka asnjë mundësi që të kryhet qoftë edhe veprimi më i vogël informal. “Koha do të tregojë se cironkat e arrestuar nuk kanë bukë të hanë në shtëpi, ndërkohë që milionat janë ndarë mes njerëzve të pushtetit dhe atyre që kishin detyrim të respektonin rregullat dhe ligjet për tatimet.”- tha avokat Enea Cenko për “Telegraf”.