Rama: Biznesit të vogël deri në 50 mln lekë xhiro, i hiqet taksa vjetore

749
TIRANË – Një tjetër lehtësi për biznesin e vogël u prezantua këtë të hënë nga kryeministri Edi Rama. Ai tha se të gjitha bizneset e vogla me xhiro vjetore nga zero deri në 50 milionë lekë të vjetra nuk do të paguajnë me asnjë taksë. Këta biznese do të çregjistrohen nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin, ndërsa u duhet të paguajnë vetëm sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, siç bëjnë aktualisht.
“Të gjitha bizneset nga zero deri në 50 milionë lekë xhiro në vit do të çregjistrohen nga tatimi i thjeshtuar, pra nuk do të paguajnë më asnjë taksë. deri sot paguanit, ata që ishin deri në 20 milionë lekë xhiro në vit 250 mijë lekë tarifë vjetore, nga 20 deri në 50 milionë lekë paguanin 7.5 % taksë mbi fitimin, nuk do paguajnë asgjë”, – tha kryeministri Rama. 
Ndërkohë për bizneset të cilat arrijnë nga 50 deri në 80 milionë lekë të vjetra xhiro në vit, tatimi mbi fitimin do të ulet me 2.5 %.
“Të gjitha bizneset midis 50 deri në 80 milionë lekë të vjetra, ju e dini që 80 milionë lekë të vjetra është kufiri për tu konsideruar biznes i vogël, nëse sot fasha nga 50-80 milionë lekë ishte subjekt i TVSH, mbetet subjekt i TVSH, por për këto biznese do të ulim tatim fitimin nga 7.5 % në 5 %”, – u shpreh shefi i mazhorancës.
Në një takim në kryeministri me përfaqësues të biznesit të vogël kreu i qeverisë tha se kjo lehtësi vjen si rezultat i të ardhurave të mbledhura nga operacioni anti-informalitet të nisur në muajin shtator.
“Rezultatin e parë të këtij operacioni jua dedikojmë juve. Nuk është se e kemi mirë arkën e shtetit, për të pasur mundësira të mëdha, por besoj se këto para duhet të shkojnë tek ju, tek të gjithë ata që vetëpunësohen”, – tha Rama. 
Sigal