Qeveria ndryshon ligji: Konfikson pronën për shtesat pa leje

341
Sigal

Dy ndryshime në Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit rrisin ndjeshëm masën e gjobave e penaliteteve për ndërtuesit që nuk respektojnë lejet e ndërtimit, të cilat mund të shkojnë edhe deri në konfiskim të tërë objektit kur shkeljet janë voluminoze. Ndryshimet nxjerrin jashtë loje edhe lejet e organeve vendore në rastet kur bëhet fjalë për objekte me rëndësi strategjike nën juridiksionin e Këshillit Kombëtar të Territorit.

Më specifikisht, në nenin 52 të Ligjit, një prej pikave të ndryshuara përcakton se  kryerja e punimeve pa leje dënohet me gjobë të barabartë me vlerën e punimeve të kryera pa leje, por në çdo rast jo më pak se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë për metër katror, kur ndërtimi bëhet për qëllime fitimi dhe me: i. prishje të menjëhershme të ndërtimit pa leje në kushtet e flagrancës; ii. prishje të punimeve të kryera pa leje kurndërtimi pa leje rezulton si shtesë kati dhe si shtesë volumi anësor, nëse tejkalon masën 2% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi tokë;

Ndryshimet parashikojnë konfiskim për interes publik apo strehim social të punimeve të kryera pa leje kur ndërtimi pa leje rezulton si shtesë kati dhe si shtesë volume anësor, nëse tejkalon masën 2% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi tokë, në të cilat, për shkak të qëndrueshmërisë së objektit, është e pamundur prishja e saj; ndërkohë që përcaktojnë konfiskim për interes publik me propozim të IKMT-së ose IMT-së dhe vendim të KKT-së të të gjithë objektit, kur ndërtimi pa leje rezulton si shtesë kati dhe si shtesë volumi anësor, nëse tejkalon masën 10% të sipërfaqes totale ndërtimore mbi tokë, kur ndërtesa është e qëndrueshme dhe është në përputhje me planet e përgjithshme, si edhe me planet e detajuara vendore;

Ndërkaq, kryerja e punimeve pa leje brenda brezit të zhvillimeve të kontrolluara në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në zonat e mbrojtura apo zonën kufizuese të një monumenti kulture dënohet me 5.000.000 (pesë milionë) lekë gjobë, afërsisht 50 mijë dollarë. “Lejet apo deklaratat paraprake të punimit, të miratuara në këto zona nga organet e pushtetit vendor, pa marrë paraprakisht aktin e konfirmimit nga KKT-ja, janë akte absolutisht të pavlefshme. Shkelja e kësaj rregulle nga autoritetet vendore dënohet me 2.000.000 (dy milionë) lekë gjobë”, përcakton Ligji I ndryshuar.

Një pikë tjetër e ndryshuar e ligjit përcakton se kryerja e ndryshimeve në projekt apo e punimeve në shkelje të kushteve të lejes, pa pasoja në krijimin e shtesave në sipërfaqe dhe vëllim ndërtimor, dënohet me gjobë të barabartë me vlerën e punimeve të kryera pa leje, por në çdo rast jo më pak se 300 000 (treqind mijë) lekë, si dhe pezullim të punimeve.