Prokurimet: Tenderët që u dhanë “në tavolinë” më 2018-n

571
Sigal

Në vitin 2018 të paktën 9.4 % e procedurave të prokurimit është dhënë sipas praktikës së negocimit pa shpallje paraprake. Kjo do të thotë që institucionet publike kanë preferuar që të ulen përballë bizneseve për të arritur një marrëveshje në vend të hapjes së garës. Sipas analizës vjetore të Agjencisë së Prokurimit Publik në vitin 2018 numri total i procedurave të shpallura në sistemin elektronik të prokurimit është 8400, nga të cilat 2353 procedura janë anuluar dhe 6047 kanë vazhduar, ndërkohë që 5116 prej tyre kanë përfunduar me fitues. Vlera totale e fondit limit të prokuruar është mbi 1 miliardë euro, ndërkohë që vlera e fondit që ka rezultuar pas nënshkrimit të kontratave është më e ulët. Nga raporti i APP rezulton se edhe numri i procedurave të anuluara gjatë vitit 2018 është më i lartë se ai në vitin 2017. Sipas APP ndër arsyet teknike përmenden vështirësitë e autoriteteve kontraktore në përshtatjen me sistemin e prokurimit elektronik, ku evidentohen gabime në plotësimin e kryerjen e hapave në sistemin e prokurimit elektronik, që çojnë në anulimin e procedurave. “Ndër arsyet ligjore që çojnë në anulimin e procedurave përmendim mungesë konkurrence gjatë zhvillimit të procedurave, vendimet e anulimit nga Komisioni i Prokurimit Publik, anulime për shkak të ndryshimeve në fondet buxhetore, etj. Një rast tjetër që vlen të përmendet në funksion të analizës së anulimeve është dhe rasti kur procedurat shpallen me lote. Sipas të dhënave, numri më i madh i anulimeve (1300 procedura) i takon procedurave të prokurimit të shpallura me lote. Mbi 80% të anulimeve të procedurave me lote i takojnë procedurave për blerje të medikamenteve dhe materialeve të shërbimit shëndetësor, ku kryesisht janë anuluar ato lote që prokurohen për sasi me vlera të vogla të medikamenteve. Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e anulimeve (370 procedura) i takon shërbimit të transportit për mësues dhe nxënës, sepse në këto procedura kërkohet transport në zona të largëta, që shpesh nuk paraqesin interes për operatorët ekonomikë” thuhet në analizën e APP.