Prof. In. Alqi NAQELLARI/Dështimi i turpshëm i Bankës së Shqipërisë

768
Sigal

Banka e Shqipërisë nuk e kontrollon dot normën e Inflacionit. Mendimet e saj  “as mish dhe as peshk”,  por vetëm  elozhe Qeverisë

Banka e Shqipërisë ka pasur dhe ka si objektiv kryesor të saj të sotëm dhe të ardhshëm “arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”. Sa u përket objektivave të tjerë kryesor makroekonomik si rritja e PBB dhe rënia e normës së papunësisë deri në nivelin e saj natyror ajo nuk ka pasur asnjë objektiv konkret, përkundrazi i ka parë si objektiva të shkallës së dytë apo të tretë, duke u përqendruar kryesisht në stabilitetin financiar.

Banka e Shqipërisë çdo vit ka dalë e larë nga realizimi i këtyre Objektivave duke u përqendruar vetëm në dhënien e mendimeve “as mish dhe as peshk” për situatat e krijuara duke i bërë më së shumti elozhe Qeverisë për rritje ekonomike.  Vetëm së fundi kur dukuritë ekonomike janë maisur dhe po fillojnë të kullojnë ka qenë e detyruar të pohojë me gjysmë zëri dështimin.

Këto Objektiva, në kuadrin e treguesve makroekonomik kanë qenë dhe mbeten objektiva të Qeverisë Shqiptare. Arsyeja pse kjo bankë nuk ka objektiva të tillë është se ajo ka marrë në mënyrë shabllone objektivin e Bankës Qendrore Evropiane. Ky është një gabim që ajo ka bërë, sepse ekonomia shqiptare nuk ngjason me asnjë nga ekonomitë e Evropës Perëndimore. Këto ekonomi përgjithësisht veprojnë në produkt potencial, gjë që do të thotë se kanë përdorim të plotë të faktorëve ekonomikë dhe nuk kanë problem papunësinë dhe rritjen ekonomike. Problem për to në këto kushte është vetëm norma e inflacionit. Sa i përket sistemit financiar ato mbështeten kryesisht në Tregun Sekondar, në Bursa, në institucionet financiare bankare dhe jo bankare. Sistemi financiar shqiptar mbështetet vetëm në sistemin bankar, në tregun primar të letrave me vlerë, disa institucione financiare jo bankare minorene, ndërsa tregu sekondar nuk ekziston fare. Dhe më tej në Shqipëri nuk ka asnjë Bankë Tregtare të nivelit të dytë të jetë plotësisht me kapital shtetëror.

Në Shqipëri nuk është problem real kryesor arritja dhe ruajtja e nivelit të çmimeve, por është rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto me ritme të larta dhe rënia e normës së papunësisë, kjo sepse ekonomia shqiptare është  një ekonomi në fazën e rritjes. Ekonomi, si ekonomia shqiptare nuk mund të zhvillohen pa rritje të normës së inflacionit. Të sigurosh rritje ekonomike në kushtet shqiptare duke pas objektiv frenimin e inflacionit ky është një absurditet. Frenimi i inflacionit më tej çon edhe në rritjen e normës së papunësisë dhe jo në rënien e saj. Inflacion në kushtet shqiptare do thotë rritje ekonomike.

Banka e Shqipërisë sipas saj kontrollon normën e inflacionit, në fakt ne e kemi thënë edhe në shkrime të tjera, pa e shterur problemin se ajo për kushtet specifike të ekonomisë shqiptare nuk e kontrollon do të atë, ajo thjesht është një ndikues pa peshë sepse inflacioni në përgjithësi përcaktohet nga inflacioni i importuar dhe faktorë të tjerë objektivë.

Cilat janë disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në inflacionin  e ekonomisë shqiptare dhe kush ndikon mbi to?

1. Ekonomia shqiptare është një ekonomi e vogël e hapur ku normat e interesit të aplikuara prej saj varen nga normat e interesit të botës, ku të ardhurat nuk përputhen me shpenzimet. Politika monetare e saj është e varur nga politikat monetare të Bankave Qendrore të vendeve të tjera me ekonomi të madhe të hapur. Pas 2008, me fillimin e 2009 ajo duhej t’i përshtatej recesionit të vendeve evropiane dhe jo t’i qëndronte mendimit që ekonomia jonë nuk do preket nga ky recesion. Në ekonominë shqiptare nuk do të kishte efekt transmisioni për mungesë të kapitalit financiar dhe të institucioneve të tjera financiare, por jo se nuk do prekej nga rënia e Evropës dhe Amerikës. A do kishte ndikim pozitiv apo negativ recesioni global ky është një problem tjetër, por që do prekej ekonomia shqiptare, do prekej ashtu sikundër tregoi koha.

Në përshtatje të fenomeneve globale Banka e Shqipërisë me fillimin e ndryshimit të normës bazë të interesit të Bankës Qendrore Evropiane duhej që edhe ajo ta ulte këtë normë interesi me ritme të larta, dukshëm në mënyrë që të ndikonte në normat e kredisë në lekë që do jepnin Bankat e Nivelit të Dytë. Themi dukshëm sepse konkurrentët e saj që janë të mishëruar në euro dhe dollarë bënë veprime spektakolare duke u afruar 0-s. Kur ato po tentonin zeron norma bazë e interesit në Shqipëri ishte 6.25%(2009). Me një politikë ekspansioniste, Banka e Shqipërisë do stimulonte rritjen e kërkesës agregate e cila nga ana e saj do ndikonte në rritjen e Ofertës. Pasojë reale e këtij veprimi do ishte rritje reale ekonomike dhe vlerësim i rolit të lekut shqiptar në këtë rritje.

2. Prodhimet bujqësore nuk sigurojnë as nevojat e popullsisë fshatare. Vetëm rreth 30% e fermerëve shqiptarë dalin në treg. Shkalla e mekanizimit është shumë e ulët në raport me vendet me të cilat kemi marrëdhënie tregtare. Prodhimi shqiptar për shumë arsye nuk ka fuqi konkurruese në treg. Kur flasim për bujqësinë, kemi parasysh që Shqipëria raportin eksport-import e ka 1/7. Kështu importohet 100% grurë ose miell gruri për popullsinë urbane dhe për një pjesë të asaj rurale(mbi 260 mijë ton). Importohet 100% oriz, sheqer, kafe, duhan, vaj etj. Konkluzioni është i thjeshtë, çmimet përcaktohen në vendet importuese.

            3. Raporti eksport- import është ¼ dhe pjesa më e madhe e mallrave të shportës në bazë të së cilës llogaritet Indeksi i Çmimeve të konsumit (IÇK) importohen. (Më lartë paraqitëm disa zëra të degës së bujqësisë). Çmimet e tyre përcaktohen jashtë kufirit shqiptar dhe ju imponohen pjesës tjetër të prodhuar në vend. Vlera e lëndës djegëse të  importuar është 2.3 herë më e madhe se ajo e eksportuar(683/297, 211), në këtë mënyrë çmimi i karburanteve nuk përcaktohet brenda territorit por që nga jashtë tij, nga çmimet e tregut ndërkombëtar, nga niveli i tyre në Bursa. Ushqime dhe kafshë të gjalla importohen 10 herë më shumë(473/48,2011) sesa eksportohen, pavarësisht se ne jemi edhe një vend blegtoral. Mallra të përpunuar importojmë 1.6 herë më shumë. Në këtë shifër përfshijmë edhe rieksportet. Shifra të tilla mund të japim me dhjetëra. Konkluzioni është i thjeshtë, çmimet e tyre përcaktohen në vendet prodhuese. Banka e Shqipërisë ndikon fare pak ose nuk ndikon fare. Më shumë ndikon Qeveria me politikat fiskale sesa Banka me politikat e saj Monetare. Në një shkrim tjetër do provoj që edhe politikat e saj që rrjedhin nga aplikimi i REPO- ve janë pa asnjë efekt konkret në ekonomi.

            4. Kurset e këmbimit të lekut në Shqipëri janë fleksibile, pavarësisht se Banka Qendrore herë pas here ndërhyn në treg duke blerë ose duke shitur valutë. Ato ndikojnë dukshëm në nivelin e çmimeve në vend dhe në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Nëse do t’i hedhim një sy kurseve të këmbimit nga viti 2009 dhe deri sot, do shikojmë se kemi një rritje të ndjeshme të euros ndaj lekut shqiptar. Në 2009-2012 kemi pasur raportet: 1/132.06, 1/137.79, 1/140.33 dhe sot 1/141. Nga të dhënat shihet që kursi i këmbimit ka  pasur ndikim negativ në nivelin e çmimeve.  Cilët janë faktorët që kanë ndikuar në zhvlerësimin e lekut shqiptar në krahasim me valutat e huaja? Keni parasysh që zhvlerësimi i lekut shqiptar ndikon në rritjen e çmimeve të importit. Kërkesa dhe oferta për valutë:

Në krahun e kërkesës kemi këta faktorë

-Kërkesa për valutë, për importin e mallrave nga jashtë e cila ka ndikim negativ në vlerësimin e lekut pasi importet kanë ardhur në rritje. Rritja e kësaj kërkese është normale, sepse shumë zëra të saj si blerja e makinerive dhe mallrave të papërpunuar kanë ndikim pozitiv në rritjen e ekonomisë shqiptare.

-Kërkesa e Kompanive të huaja Financiare Bankare dhe jo Bankare që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë grup përmendim 13 Banka të nivelit të dytë që nxjerrin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë fitimet e tyre jo në lekë, por në valutë. Që nxjerrin jashtë valutën shqiptare në formën e kredive të dhëna jo rezidentëve ose nëpërmjet bankave Mëma. Këto janë shifra të pa shpallura ndonjëherë publikisht, por që kalojnë 300-400 milionë euro në vit.

-Kërkesa e Kompanive të Huaja jo Financiare siç janë Kompanitë e Telefonisë Mobile, AMC, Igëll, Plus etj. Të gjitha fitimet e tyre këto kompani i delegojnë në kompanitë mëma që janë jashtë Shqipërisë. Këtë valutë ato e sigurojnë thjesht duke u sjellë si blerës të saj në treg. Në këtë mënyrë ato rrisin presionin në zhvlerësimit të lekut.

-Kërkesat e Kompanive të Huaja që fitojnë tendera në ndërtimin e veprave strategjike brenda territorit të Shqipërisë. Në këtë grup përfshijmë kompanitë turke, kompanitë greke dhe maqedonase që kanë marrë përsipër kryerjen e punimeve në akset rrugore dhe tunelet përkatëse të tyre. Kompanitë e huaja që kanë marrë përsipër ndërtimin e Hidrocentraleve apo Termocentraleve. Në mënyrë të vazhdueshme këto kompani bëjnë presion negativ mbi kursin e këmbimit të lekut shqiptar. Edhe këto kanë ndikim negativ në nivelin e çmimeve.

-Kërkesa e Kompanive që marrin me koncesion objekte strategjike.

-Kërkesa e Kompanive të huaja të prodhimit apo kompanitë e përbashkëta të shërbimit që veprojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Këtu përfshijmë kompanitë greke, italiane, kanadeze, turke, etj. që veprojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Ndikimi i tyre ashtu si dhe simotrat e tyre është negativ në kurset e këmbimit duke rritur në mënyrë artificiale kërkesën për valutë.

-Kërkesa e Kompanive shqiptare apo të përbashkëta në fushën e ndërtimit. Këto kompani apartamentet që nxjerrin në shitje i tregtojnë në euro/m2 dhe jo në lekë/m2. Në këtë mënyrë ato rrisin kërkesën e qytetarëve për kredi në valutë ndaj Bankave Tregtare. Kjo është një kërkesë që rrit në mënyrë të pa drejtë kërkesën për valutë me ndikim negativ në nivelin e çmimeve.

-Kërkesa për të shitur tokën ose kapitale të tjera në valutë.

-Pagesa e një pjese të personelit të kompanive të huaja që veprojnë në Shqipëri në valutë.

-Kërkesa e biznesmenëve, ministrave, deputetëve etj për valutë për të dalë jashtë shtetit. Në këtë mënyrë ky grup  realizon daljen e valutës për:

= Shërbime shtetërore,

= Shërbime dhe punë private,

= Depozitime të valutës në banka të huaja,

= Investime jashtë vendit si në Itali, Greqi, Maqedoni etj,

= Kalim të pushimeve verore apo dimërore, etj.

Në krahun e Ofertës kemi këta faktorë

-Prurjet kryesore të valutës në ekonominë shqiptare nuk janë prej burimeve të eksportit, por një pjesë e konsiderueshme e tyre vjen prej mallit fuqi punëtore të eksportuar, domethënë prej emigrantëve e refugjatëve shqiptarë që punojnë në vende të tjera. Krahas tij kemi edhe prurje nga sektori informal.

Konkretisht nëse do krahasojmë Bilancin Tregtar me Bilancin e Llogarisë Korente do të vërejmë pikërisht këtë ndryshim.

Në 2009 BT = -2,303,7mlEuro , LLK=-1,329.8mld euro.

Në 2011 BT=-2,241.6 mld euro ,LLk=-1,122.1 mld euro.

 Në tremujorin e 3 të 2012 kishim -505 me -198.

Duket qartë  se pjesa më e madhe e importeve mbyllet nëpërmjet llogarive të tjera.

-Transfertat private 2009-2011 janë 910.8, 877.1, 916.4 dhe tremujori 3 2012 , 185.1 ml euro. Kanë ndikuar pozitivisht në vlerësimin e lekut shqiptar, për pasojë edhe në nivelin e çmimeve.

-Shërbimet kanë qenë 2009-2012 me 1,771.4 miliardë euro, 1,750.7mld, 1,747.4 mld dhe tremujori 3 i 2012 578 milionë euro.

Megjithëse të ardhurat prej këtij zëri janë shumë të larta e vlen të theksojmë se edhe shpenzimet në këtë zë janë afërsisht po kaq të larta. Në këtë mënyrë bilanci i tij rezulton me të ardhura të pakta. Ky zë për mua është zëri më i diskutueshëm ku duhen parë rezervat e mosshpërdorimit të valutës.

-Të ardhurat në rrjedhën e viteve kanë kaluar nga efekti negativ në efektin pozitiv në Bilancin e Llogarisë Korente.

-Ndikim pozitiv ka dhënë edhe llogaria kapitale dhe financiare. Investimet e huaja direkt janë rritur ndjeshëm nga 689 milionë euro në 2009 në 717 milionë në 2011. Ndikimi i saj ka qenë pozitiv ndaj lekut shqiptar e për pasojë edhe ndaj nivelit të çmimeve.

            5. Në ekonominë shqiptare nuk kemi vetëm struktura tregu të tilla si konkurrencë monopolistike, monopol e oligopol por kemi dypole, kartele dhe marrëveshje të fshehta. Këto veprojnë nën emrin e shoqatave dhe shpesh kanë dalë hapur bile edhe me presione ndaj qeverisë. Sot ato së bashku me faktorët e tjerë përcaktojnë nivelin e çmimeve që sillet në treg.

Këtu përmendim shoqatën e Ndërtuesve, të Karburanteve, të Transportit Urban, të Bankave, të Furrtarëve, të Stomatologëve etj, etj.

Në sektorin bankar niveli i interesave të kredive në lekë, pavarësisht nga politikat që aplikon Banka e Shqipërisë, varet prej tyre. Me gjithë presionet që bën Banka e Shqipërisë ndaj Bankave Tregtare për lehtësimin e kredidhënies dhe rritjes së saj, bankat shikojnë pozicionin e tyre strategjik pa marrë në konsideratë kërkesat e saj. Në këtë mënyrë bankat e nivelit të dytë e kanë zhvlerësuar plotësisht rolin e Bankës së Shqipërisë në drejtimin e ofertës së tregut. Ato japin kredi në çfarë monedhe të dëshirojnë dhe me çfarë interesi të dëshirojnë.

            6. Prodhimi vendas. Për prodhimin vendas dhe ndikimin e tij në normën e inflacionit mund të flasim me shumë rezerva pas gjithë atyre argumenteve teknike që kemi renditur më sipër. Kështu asnjë lloj malli nuk realizohet në sasi të tillë që të kalojë gjysmën e nevojave të kërkesës totale. Nëse do ndodhte kjo, atëherë çmimi vendit do ndikonte mbi çmimin e importit. Ky fenomen ndodh vetëm në periudha afatshkurtra në sektorin e prodhimeve bujqësore, në qershor, korrik dhe gusht.  Nuk ndodh në asnjë sektor tjetër.

7. Stabiliteti politik dhe social i vendit dhe i vendeve me të cilat realizohen marrëdhënie tregtare.

Stabiliteti ekonomik dhe politik i vendeve me të cilat kemi marrëdhënie të theksuara ekonomike si Italia dhe Greqia ka qenë në nivele jo të kënaqshme. Kështu Italia dhe Greqia ende nuk po dalin nga recesioni dhe depresioni ku janë zhytur.  Kosova, Maqedonia apo rajoni nëse nuk kanë pasur probleme të theksuara politike dhe ekonomike, kanë pasur probleme të brendshme të stabilitetit të tyre. Më stabël kanë qenë vende si Turqia apo Ukraina, Bjellorusia etj.

            Gjykojmë se nuk i shterëm të gjithë faktorët që ndikojmë në normën e inflacionit, por bëmë një ekspoze të përgjithshme ku treguam raportin e Bankës së Shqipërisë me inflacionin.

Në shkrimet e tjera do ta thellojmë analizën duke i dhënë përgjigje të plotë pyetjes :”Cilat janë arsyet kryesore që Banka e Shqipërisë nuk e kontrollon dot inflacionin”?