Pas skandaleve, Bankers gjobitet me 120 milionë euro

922
????????????????????????????????
Sigal

Ndërkohë që Bankers nuk i paguan asnjë lek buxhetit të shtetit prej 15 vjetësh, kompania e naftës kryen dhe evazion të rëndë fiskal me akcizën

 

Bankers Petroleum nuk ndal skandalet, qeveria e gjobit me 120 milionë euro

Nafta është një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë, pasi vendi ynë është një prej shteteve të pakta në Evropë që ka burime nëntokësore të arit të zi, ndaj përfitimit i qytetarëve shqiptarë duhet të ishte i konsiderueshëm. Megjithatë abuzimet dhe korrupsioni i oligarkëve në bashkëpunim me qeveritarët ka bërë që populli shqiptar jo vetëm të paguajë çmimin më të shtrenjtë të naftës në Evropë, por të mos përfitojë pothuajse asnjë qindarkë nga fitimet e kësaj industrie. Gazeta “Telegraf” adresoi disa ditë më parë (por edhe në disa raste të tjera) problemin e mospagimit të taksave nga ana e kompanive të naftës. Vetëm gjatë vitit të kaluar u prodhuan 910 mijë tonë naftë, por asnjë kompani nuk pagoi tatim fitimi. Një prej situatave më absurde është ajo e kompanisë Bankers Petroleum, e cila që prej vitit 2004 ka prodhuar qindra mijëra ton naftë, por nuk i ka paguar asnjë qindarkë shtetit shqiptar, me justifikimin se kompania përgjatë gjithë këtyre viteve ka dalë me humbje.

Abuzimi 30 milionë euro i Bankers me akcizën

Së fundmi, është zbuluar një tjetër skandal i kësaj kompanie. Bankers Petroleum nuk është mjaftuar me mospagimin e taksave mbi fitimin, por ka shkuar më tej duke bërë evazion me akcizën e lëndës së parë. Për këtë rast, qeveria ka gjobitur kompaninë Bankers Petroleum me shifrën rekord 120 milionë euro për evazion të rëndë fiskal, shkruan TCH. Gjoba, e cila përbën dënimin më të madh financiar të vendosur ndonjëherë në Shqipëri është rezultat i një hetimi dyvjeçar të kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Sipas hetimit, gjatë viteve 2014-2018, kompania Bankers Petroleum ka shmangur të paktën 30 milionë euro detyrime akcizë për lëndën e parë, që përdoret në prodhimin e naftës bruto. Bëhet fjalë akcizën e një karburanti gjysmë të gatshëm, i njohur me emrin solar, i cili përdoret për të holluar naftën bruto. Mbi këtë detyrim është zbatuar edhe gjoba trefish prej 90 milionë euro siç parashikon ligji i procedurave, duke e çuar shumën totale që duhet të paguajë kompanie në 120 milionë euro. Në vitin 2014 qeveria shqiptare vendosi ta taksojë solarin me akcizë pasi dyshonte se ky produkt edhe pse deklarohej si lëndë e pare për prodhimin e naftës ishte duke u shitur në treg duke krijuar kështu një skemë gjigante evazioni. Por edhe ndryshimi i ligjit nuk arriti ta mbyllë plotësisht skemën e evazionit dhe shkak u bë një vendim i Gjykatës Administrative në dhjetor të 2014-ës, i cili shfuqizoi dy akte administrative të doganave për të vjelë akcizën nga bankers.