Financat, Denaj: Raportoni me telefon çdo rritje abuzive të çmimeve

500
Sigal

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka kërkuar që qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit me çmimet që konstatojnë gjatë këtyre ditëve për shkak të situatës së jashtëzakonshme të karantinimit.

Për të bërë denoncimet, ministria ka vënë në dispozicion një numër të gjelbër. Detajet i ka ndarë në rrjetin social Facebook ministrja Anila Denaj.

“Për mbrojtjen e konsumatorëve: Të dashur qytetarë. Kjo nuk është një kohë për të abuzuar por është koha për solidaritet dhe bashkëpunim. Telefoni pa pagesë dhe denonco rritjen abusive të çmimeve. Mbrojtja e konsumatorëve është prioriteti ynë. Telefon: 0800 14 14 ora 08:00-18:00” thuhet në njoftimin ndarë nga Denaj.

Kjo situatë vjen në kushtet kur nga qytetarët janë denoncuar me dhjetëra raste të lidhura me ndryshimet  e çmimeve të produkteve bazike brenda dyqaneve në mënyrë të menjëhershme pas blerjeve masive për shkak të karantinimit.

Më herët pati denoncime për rritjen e çmimeve të maskave që arritën deri në 1000 lekë si dhe dezifektuesve deri në 600 lekë diçka që u denoncua edhe pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Për këtë Ministria konfirmoi se nuk mund të ndërhyjë në treg pasi çmimet i vendos kërkesë-oferta por lidhur me rastet e konstatuara ministria tha se është hapur një hetim nga prokuroria si dhe po vlerësohet situate nga krimi ekonomik.