Pagesat me kartë po rriten edhe këtë vit

44
Sigal

Pagesat me kartë bankare janë rritur ndjeshëm edhe në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 6.5 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes (points of sale, POS). Numri mesatar i pagesave mujore ka arritur në pothuajse 1.1 milionë, nga afërsisht 890 mijë pagesa të regjistruara në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vlera totale e pagesave me kartë për gjashtë muaj ka arritur në 26.3 miliardë lekë, me një mesatare mujore prej 4.7 miliardë lekësh, nga 4.2 miliardë lekë që kishte qenë mesatarja mujore e vitit 2022.

Duke pasur parasysh se periudhat e pikut turistik korrik-gusht shoqërohet me rritje të pagesave me kartë, është e pritshme që mesatarja e pagesave për pjesën e dytë të vitit të rritet më shumë.

Besohet se rritja e fortë e turizmit është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në ekonominë shqiptare. Të dhënat e INSTAT treguan se numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit me 33% për 6-mujore e parë të këtij viti.

Megjithatë, përveç ndikimit të ndjeshëm të turizmit, vlerësohet se edhe përdorimi i pagesave me kartë nga rezidentët është në rritje në vitet e fundit, sidomos pas periudhës së pandemisë.

Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 17 750, në rritje të mëtejshme me 8.2% që nga fillimi i këtij viti.

Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi. Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2022 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.4 milionë, në rritje me 2% që nga fillimi i vitit.

Numri i kartave të debitit arriti në 1.21 milionë, në rritje 2.5% që prej janarit. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën afërsisht 87% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.

Ndërkohë, zhvillime pozitive këtë vit po regjistrohen në segmentin e kartave të kreditit. Në mesin e këtij viti, numri i kartave aktive të kreditit të sektorit bankar arriti në 116 mijë, me një rritje prej 3.4% që nga fillimi i vitit./Monitor.al