OBSH: Jo koncesione për laboratorët e shëndetësisë

1043
Sigal

Alarmi i Organizatës Botërore të Shëndetsisë: Qeveria po abuzon me PPP-të, i kërkuam që laboratorët të jenë shtetërorë, por ajo i dha me koncesion tek klientët e saj. Babëzia e “Rilindjes” në kohën e ministrit Beqaj do t’u kushtojë shqiptarëve për 10 vite, 400 miliardë lekë. Ja raporti i plotë dhe vlera e 4 koncesioneve

Babëzia me koncesionet e shëndetësisë do t’u kushtojnë shqiptarëve 320 milionë dollarë

Abuzimet me PPP – OBSH i kërkoi shtetit të mbajë nën administrim laboratorët, por qeveria i dha me koncesion

Qeveria shqiptare është e vendosur të japë me koncesion çdo gjë që të mundet, pavarësisht nga kostot e larta të këtyre marrëveshjeve, rreziqet për financat shtetërore e xhepat e qytetarëve dhe paralajmërimet e institucioneve ndërkombëtare. Qeveria në vitet e fundit, vetëm në sektorin e shëndetësisë ka firmosur dhënien me PPP të katër projekteve të kontestuara e të dyshimta. I fundit në radhë ishte ai për 18 laboratorët e analizave mjekësore, i cili, edhe pse hasi kundërshtimin e institucionit prestigjioz si Organizata Botërore e Shëndetësisë, sërish u finalizua pa mëdyshje nga shteti. Pasi gjeti një sërë problematikash në administrimin e tuberkulozit, Organizata Botërore e Shëndetësisë e këshilloi qeverinë shqiptare të mbajë shërbimin laboratorik ne spitale në pronësi të shtetit. Nisur nga situata konfuze që ishte krijuar dy vitet e fundit për administrimin e këtij shërbimi me Partneritet Publik -Privat, ekspertët e OBSH-së i kërkuan qeverisë pak muaj më parë që shteti të vijonte të kishte nën administrimin e saj shërbimin e laboratorit në spitale. Por pavarësisht kundërshtimeve që erdhën për këtë koncesion si nga institucionet financiare ndërkombëtare ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare të specializuara të shëndetësisë qeveria e miratoi koncesionin e shërbimit laboratorik dy muaj para zgjedhjeve lokale.

Rekomandimet e OBSH-së

OBSH vuri në dukje se menaxhimi i tuberkulozit ka hasur problematika vitet e fundit për shkak të problematikës së prokurimit për ilaçet që trajtojnë sëmundjen duke bërë që shumë paciente me TBC të kurohen në Kosovë. Njëri nga 6 rekomandimet që OBSH dha për përmirësimin e administrimit të tuberkulozit ishte mbajtja në administrim publik të shërbimit të laboratorik në spitale. Por dy vjet pas mbajtjes në sirtar, Këshilli i Ministrave miratoi kontratën koncesionare për shërbimin laboratorik të analizave mjekësore, ne prill 2019 pavarësisht dyshimeve të Korporatës Financiar Ndërkombëtare (IFC) dhe rekomandimeve te OBSH-se dhe kambanave të alarmit nga Autoriteti i Konkurrencës.

Qeveria finalizoi koncesionin e katërt në sektorin e shëndetësisë, nën hijen e dyshimeve mbi integritetin e njërës prej kompanive fituese dhe me një vesh shurdh ndaj alarmit për përqendrimin e lartë të tregut spitalor të vendit. Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” u firmos në mbledhjen e 24 prillit nga zv.kryeministri Erion Braçe, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit Edi Rama.

Babëzia me koncesionet e shëndetësisë do t’u kushtojnë shqiptarëve 320 milionë dollarë

Vendimi përmbyll përpjekjet 5-vjeçare të qeverisë për dhënien me koncesion të 18 laboratorëve të analizave mjekësore të vendit, në të njëjtat gjurmë me tre kontratat e tjera të partneritetit publik privat në shëndetësi për kontrollin mjekësor bazë (Check-Up), hemodializën dhe sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale. Katër koncesionet e shëndetësisë do t’u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 40 miliardë lekë [320 milionë dollarë] përgjatë 10 viteve të operimit të tyre. Koncesioni i laboratorëve u fitua në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive; Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani guaskë e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium. E planifikuar për t’u firmosur në maj të atij viti, kontrata mbeti pezull për dy vjet me radhë, për shkak të kontestimeve nga ana e Korporatës Ndërkombëtare të investimeve, degë e Bankës Botërore dhe konsulente e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë proces.

 

PPP-të e shëndetësisë

Katër koncesionet e shëndetësisë do t’u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë rreth 320 milionë dollarë në 10 vitet e ardhshme

– 18 laboratorët e analizave mjekësore (100 milionë dollarë)

– Check-Up-i (60 milionë dollarë)

– Hemodializa (73 milionë dollarë)

– Sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale (Rreth 90 milionë dollarë)