Në rrezik situata fiskale dhe autonomia në pushtetin vendor

691
Sigal

Ndryshon agjenti tatimor i biznesit të vogël. Administrimi i tatim-fitimit nga DPT

Njësitë e pushtetit vendor do të kenë një skemë të re të përfitimi të të ardhurave nga tatimi i fitimit të thjeshtuar. Sipas ndryshimeve ligjore të paketës së re fiskale, nuk do të jenë me vendorët ata që do t’i administrojnë këto taksa, por do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. DPT, nëpërmjet drejtorive rajonale tatimore, është e ngarkuar me administrimin e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël. Edhe pse me ligjin e ri nuk ka kompetencën për të mbledhur këtë taksë, pushteti vendor do të jetë përfitues direkt i të ardhurave që mblidhen. Gazeta “Telegraf” ka përgatitur një forum, përsa i përket ndryshimit të agjentit tatimor. Pyetjes se a e cenon autonominë e qeverisjes vendore ligji i ri, specialisti i ekonomisë z. Zef Preçi i përgjigjet se “problemet e performancës së keqe fiskale të pushtetit vendor nuk zgjidhen duke abroguar kompetencat e këtij pushteti”. Ndërsa kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka shprehet se “ në fakt asgjë nuk ka ndryshuar, vetëm agjenti tatimor”. Për kryetarin e komunës Petrelë z. Ylli Kupi ky ndryshim është një shkelje e rëndë që i bëhet autonomisë lokale. “Flasim për decentralizim dhe jo përqendrim të pushteteve”, shprehet z. Kupi.

 Ndryshimet

 Sipas Ligjit, do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në kryeqytet ajo që do të transferojë të ardhurat e mbledhura në llogaritë respektive të pushtetit vendor, sigurisht, sipas proporcionalitetit përkatës të të ardhurave të mbledhura. Arkëtimi në llogaritë e vendorëve duhet të bëhet brenda 10 ditëve të para të muajit pasardhës, kur është arkëtuar tatimi i thjeshtuar mbi fitimin. Për këtë shërbim që kryen, administrata tatimore qendrore do të mbajë një komision nga të ardhurat e mbledhura në masën 1 për qind. Sipas paketës së re fiskale, bizneset me të ardhura nga 0 deri në 2 milion lekë do të paguajnë një tarifë fikse vjetore prej 25 mijë lekësh. Kjo tarifë duhet të paguhet brenda 6 muajve të parë të vitit. Ndërsa bizneset që realizojnë qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë duhet të parapaguajnë në katër këste tatimin mbi fitimin në masën 7.5 për qind.

Deri tani, të gjitha bizneset me xhiro deri në 8 milionë lekë e parapaguanin tatimin mbi fitimin në bazë të një xhiroje që vetëdeklarohej në njësitë vendore bashki ose komuna dhe më pas në 31 mars të vitit pasardhës bënte rakordimin tek tatimet.

 Biznesi i vogël, deri në10 shkurt vetëdeklarimi i fitimit, pagesa nga 20 prilli

 Biznesi i vogël me xhiro deri në 8 milionë lekë në vit, duhet të vetëdeklarojë fitimin deri me datën 10 shkurt, ndërsa pagesa e tatimit mbi fitimin nis nga data 20 prill.

Sipas zv/ministrit të Finanacave Ervin Mete, procedurat e reja eliminojnë sorrollatjet e biznesit të vogël midis dy administratave. Sipas tij, bizneset e vogla duhet të deklarojnë brenda datës 10 shkurt për të evituar edhe penalitetet. Në datën 10 shkurt, sqaron Mete, çdo biznes i vogël bën deklarimin e fitimit të vitit të kaluar. “Në bazë të fitimit të deklaruar të vitit të kaluar vlerësohen dhe llogariten këstet që do të parapaguhen për këtë vit. Në bazë të kësaj, brenda datës 15 mars do t’u shkojë njoftimvlerësimi dhe biznesi i vogël nis pagimin e këtij tatimi duke filluar nga data 20 prill. Për bizneset e reja çdo biznes do të bëjë një vetëdeklarim të fitimit të parashikuar përgjatë gjithë vitit. Në bazë të këtij parashikimi vetëdeklarues do të bëhet vlerësimi dhe do të paguhet tatimi”, shprehet Mete.

 Zef Preçi: Performanca e keqe fiskale e pushtetit vendor nuk zgjidhet kështu

 Në vlerësimin tim, pavarësisht faktit se të ardhurat shkojnë në favor të pushtetit vendor, ky hap është i diskutueshëm sa i takon bazueshmërisë kushtetuese /ligjore. Por, themelore mbetet fakti se me këtë hap cenohet principi i gjithëpranuar se ushtrimi i pushtetit duhet afruar me qytetarët, se problemet e performancës së keqe fiskale të pushtetit vendor nuk zgjidhen duke abroguar kompetencat e këtij pushteti. Çmoj se përpara se të ndërmerren hapa të tillë ligjorë, duhet avancuar me reformën administrative dhe me reformën elektorale duke siguruar edhe konsensusin e opozitës. Përndryshe, ekziston rreziku që situata fiskale në pushtetin vendor dhe autonomia e tij të shënojnë hapa pas.

  Ylli Kupi: Agjentët tatimorë, jo më të mirë se agjentët vendorë

 Kjo është një shkelje e rëndë që i bëhet autonomisë lokale. Ligji 8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” përcakton qartë dhe pa asnjë ekuivok kompetencat, funksionet, të drejtat dhe detyrimet e pushtetit vendor. Me ligj, misioni i pushtetit vendor është sigurimi i qeverisjes në një nivel sa më afër shtetasve të vet. Ndërsa parimi themelor i funksionimit të organeve të njësive të qeverisjes vendore është autonomia vendore, e cila po cenohet në këtë rast. Dhe kjo konkretizohet më tej në Nenin 16 “Të ardhurat e veta të komunës dhe të bashkisë”, ku thuhet se “1. Komuna dhe bashkia, krijojnë të ardhura nga: b) taksat dhe tatimet vendore mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogël, të shërbimit hotelier, të restoranteve, bareve dhe të shërbimeve të tjera”. Ligji i ri i ndryshuar “Për procedurat tatimore” përcakton se duke nisur nga data 1 janar 2014 bie ndesh me ligjin për qeverisjen vendore. Flasim për decentralizim dhe jo për përqendrim të pushteteve. Megjithatë, ne jemi ende në situatën e provës, por unë mendoj se agjentët tatimorë nuk janë më të mirë se agjentët vendorë. Gjithsesi ky është mendimi im.

 Nikolin Jaka: Ndryshon vetëm agjenti tatimor

 Me këtë ligj asgjë nuk ka ndryshuar, përveçse agjentit tatimor. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të mbledhë, por edhe do të transferojë të ardhurat e mbledhura në llogaritë respektive të pushtetit vendor, sipas proporcionalitetit përkatës të të ardhurave të mbledhura. Kështu që, gjithsecili, do marrë pjesën që i takon.