Verifikohen 3 mijë gropa septike në bregdet, rrezikohet sezoni i ri veror

625
Sigal

DURRËS/Specialistët e DSHP:Identifikimi pas kontrollit të 1400 subjekteve në 68 km vije bregdetare

Drejtoria e Shëndetit Publik në Durrës dhe epidemiologët e saj, nga verifikimet  paraprake në teren kanë arritur në konkluzionin se në zonën bregdetare duke nisur nga Ura e Dajlanit, gjenden mbi 3 mijë gropa septike, të cilat ndodhen në pallate, vila, objekte shërbimi dhe hotele e motele, duke i klasifikuar ato si ndotësit kryesorë të bregdetit. Evidentimi i tyre, rrezikon seriozisht sezonin veror 2014 në Durrës.

GROPAT SEPTIKE

Specialisti Drejtorisë së Shëndetit Publik (DSHP), zoti Vangjel Duka deklaroi se, “kemi  nisur që në fillim të vitit 2014, identifikimin, paralajmërimin dhe masat shtrënguese ndaj bizneseve dhe aktiviteteve që gjenden në anë të detit, ne ndaj çdo subjekti privat që kapet duke derdhur fekalet dhe ujërat e pista në det do të ketë sanksione të ashpra”. Sipas tij, masat nisin me gjoba dhe përfundojnë në kallëzime penale në dyert e gjykatës, në terren thuajse ka përfunduar tërë procesi i verifikimit dhe identifikimit të pikave të nxehta. Duka tha se, “kemi gati  raportin  për situatën higjienike në vijën bregdetare, duke pasur parasysh kontrollin një për një të të gjitha objekteve në buzë të detit dhe që shërbejnë për akomodimin e pushuesve si hotele, restorante, fast-food-e, pallate, bare, motele etj.”. Vija bregdetare që mbulon DSHPD e cila nis nga sektori Teuta-Currilat e deri tek, Shkëmbi Kavajës-Golem, u kontrollua edhe vitin e kaluar. Sipas zotit Duka  “atje u  bllokuan dhe u shkatërruan 41 tubacione, të cilat shkarkonin në det ujërat e zeza dhe mbeturinat e tretshme të mensave, restoranteve dhe bareve në vijën bregdetare”.  Aksioni epidemiologëve  është shtrirë edhe në plazhet e Kavajës, Golemit, deri në bregdetin skajor të qarkut, në Shën Pjetër e Gjirin e Lalëzit. Duka u shpreh se, “ vitet e fundit furnizimi me ujë të pijshëm në zonën turistike është përmirësuar dukshëm, tashmë e gjitha vija bregdetare në Durrës merr ujë të pijshëm çdo ditë, por një fakt i tillë ka edhe ndikimin shqetësues në anën tjetër”.

SITUATA

Sipas Dukës, gropat septike  gjithmonë në rritje numerike, nuk mund të përballojnë prurjet duke bërë që uji të dalë në sipërfaqe dhe të derdhet në mënyrë të pakontrolluar. Në zonën bregdetare  nga Currilat deri në Golem është  pesëfishuar sasia e ujit të pijshëm, vlerësim që ka shtuar rrezikun e ndotjes së detit nga ujërat e zeza. Kjo ndotje ka ardhur ngase shumë lokale, pallate e hotele kanë gropa septike rrezikojnë të shpërthejnë në sipërfaqe ujërat e zeza, duke i derdhur më pas në rërë e në det. Ndotja  ka qenë e mbetet  pjesërisht çështje serioze në plazhin e Durrësit, pasi  në sezonin e verës qarkullojnë më shumë se 500 mijë pushues, ndërsa kolektori i ujërave të zeza me kapacitetin që ka e bën të pamundur të përballojë këtë ngarkesë. Kolektori kryesor i Plazhit është ndërtuar në vitin 1975-1976 dhe  ishte llogaritur për t’iu përgjigjur kërkesave për 5 mijë banorë dhe jo më shumë se 3 mijë pushuesve. Realisht prej disa muajsh ka hyrë në punë kolektori i ri , një investim i BB. Por  vetëm zona bregdetare  që nis tek Ura e Dajlanit e përfundon në Plepa ka më shumë se 6000 apartamente me më shumë se 35 mijë banorë, ndërsa në periudhën 15 maj-30 gusht popullsia ky numër 10 -fishohet.

PASOJAT

Epidemiologët, bënë të qartë se ka lokale, biznese dhe apartamente që derdhin ujërat e zeza në det, dhe se ndotja bakteriale  është 3-4 herë më e lartë se limitet e lejuara dhe shqetësim për ta mbetet vija bregdetare tek Shkëmbi Kavajës, Mali Robit, Golem, Currila, Ura Dajlanit, sektori Teuta dhe Plepa. Mbi 1400 subjekte ushtrojnë aktivitet vetëm në plazhin publik të Durrësit dhe se pjesa më e madhe e tyre në aktivitet të përkohshëm. Restorante, furra buke, pastiçeri, byrektore, si dhe rulota që janë të regjistruara si tregtarë ambulantë që tregtojnë artikuj të ndryshëm, kryesisht byrekë, hamburger dhe lloje të tjera janë më të rriskuarit nga mungesa e higjienës dhe kushteve sanitare. Për epidemiologët është e vështirë të mbulohet e gjithë gjeografia e qarkut pasi “zona që përfshin Durrësi ka në administrim 68 km vijë bregdetare, nga Kepi i Rodonit deri në Golem, epidemiologët prej një jave po merren me analizat e ujit të pijshëm në gjithë bregdetin e Durrësit”. Lidhur me evidentimin e gropave septike, nga kjo javë do të nisë edhe mbyllja e tyre, duke paralajmëruar  bizneset për gjoba të rënda.