Ministria e Financave pranon dështimin e financave, do rishikohet buxheti

670
Plani ambicioz i qeverisë, që parashikonte te mblidhte 150 milion dollarë me shumë vetëm nga lufta ndaj evazionit, mbetet një ëndërr e largët. Financat e vendit kanë hyrë ne një tjetër periudhë të vështirë, teksa të ardhurat nga taksat vazhdojnë të devijojnë nga plani buxhetor. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, Tatimet dhe doganat nuk kanë arritur që përgjatë 5 muajve të parë të vitit 2015 të realizojnë të ardhurat me plot 110 milion dollarë, ku Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, taksat kombëtare dhe tatimi i të ardhurave personale rezultojnë të jenë mbledhur më pak edhe se një vit më parë.
Ministria e Financave pranon dështimin
Ministria e Financave ka publikuar të dhënat për këtë periudhë ku konstatohet se pavarësisht se ka një mosrealizim të planit në krahasim me një vit më parë, të ardhurat janë më të lart. Tatimet dhe doganat mbeten dy prej institucioneve që vijojnë të kenë një realizimin më të të ulët të ardhurave në 5 mujorin e parë të 2015 sesa plani. Të ardhurat në buxhetin e shtetit edhe për 5 mujorin e parë të këtij viti kanë qenë 6.6 miliard lekë më pak se plani. Por në krahasim me një vit më parë të ardhurat e buxhetit janë rritur me rreth 5 % apo 7.3 miliardë lekë.
Doganat dhe tatimet me mosrealizim
Kjo ecuri u dedikohet rezultateve negative nga të dy institucionet e fiskut, si Doganat ashtu dhe Tatimet, të cilat kanë mbledhur respektivisht 7.5 miliardë lekë dhe 3.5 miliardë lekë më pak se plani. Rënia e fortë e të ardhurave ndaj planit e vendos administratën fiskale në një pozicion të vështirë, që nuk justifikon dot as rritjen e taksave. Edhe përgjatë muajit maj, tatimet kanë pasur një mosrealizim me rreth 7 %, ndërsa doganat me rreth 10 %. Akciza gjithashtu është një zë që ka pasur një mosrealizim me rreth 4% nga plani. Më pak të ardhura se plani në buxhet kanë ardhur edhe nga TVSH një zë me rëndësi tek të ardhurat duke pësuar një rënie prej 6.4%, në 47.1 miliardë lekë si dhe mbledhja e taksave nga biznesi i vogël . Në fillim të vitit, kur prezantoi paketën e re fiskale, qeveria e rriti barrën e taksave mbi qytetarët dhe biznesin me 18 miliardë lekë për vitin 2015. Por, për pesëmujorin, të dy institucionet kanë mbledhur po aq të ardhura sa një vit më parë, edhe pse taksat dhe çmimet janë rritur dhe prodhimi kombëtar është zgjeruar. Sipas zërave, rënien më të madhe e ka akciza me 4.5 miliardë lekë, e ndjekur nga tatimi mbi të ardhurat personale me 3.2 miliardë ose 22 për qind më pak se plani i periudhës.
Këto ditë ka mbërritur në Tiranë misioni i Fondit Monetar, i cili është duke analizuar treguesit dhe ecurinë e ekonomisë. Burime për gazetën “Telegraf” se, rënia e të ardhurave ka qenë një nga pikat më të nxehta të diskutimeve, që ekspertët e FMN-së kanë pasur me autoritetet. Pak kohë më parë, përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri, Reinke, e konsideroi si zhgënjyese ecurinë e të ardhurave, duke i kërkuar qeverisë të identifikojë arsyet e rrëshqitjes fiskale për të mos vënë në rrezik buxhetin. Ministria e Financave ka punësuar me kontratë të përkohshme 500 punonjës për drejtorinë e tatimeve të cilët do të dalin në terren dhe do të kontrollojnë të gjithë zinxhirin e bizneseve. Ndërkaq financat kanë nisur edhe rishikimin e buxhetit, ku zëri i parë që do të shkurtohet është ai i shpenzimeve operative, të fondeve që shkojnë për mirëmbajtje dhe subvencione. Ministria e Financave paralajmëroi se gjatë qershorit mund të ketë edhe një rishikim të buxhetit të këtij viti.
Sigal