Mete në takimet vjetore të FMN dhe Bankës Botërore! Vlerësohen reformat, “përshpejtimi i tyre shtysë për zhvillimin ekonomik”

46
Sigal

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, mori pjesë në takimet vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të zhvilluara në datat 12-15 tetor 2023 në Marrakesh, Marok.

Ai zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, me Zv/presidenten e Bankës Botërore zj. Antonella Bassani, Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore, z. Matteo Bugamelli, Drejtorin e Departamentit Evropian të FMN Alfred Kammer, Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, Federico Giammusso, Zëvendësdrejtorin e Departamentit të Çështjeve Fiskale në FMN, Juan Toro Riviera, si edhe Alfonso Garcia Mora, Zv/president i IFC për Europën, Amerikën Latine dhe Karaibet.

Fokus i diskutimeve ishin zhvillimet më të fundit ekonomike, sfidat për të ardhmen. Një temë e rëndësishme ishte dhe statusi i reformave strukturore dhe fushat e bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.

Në takimin që Mete zhvilloi me Zv/presidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Rajonin e Azisë Qendrore, Antonella Bassani, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Banka Botërore i ka dhënë Shqipërisë. Z. Bassani vlerësoi zhvillimet e fundit pozitive të ekonomisë shqiptare përballë sfidave që po kalon ekonomia globale dhe theksoi nevojën për vazhdimësinë e reformave strukturore për të rritur qëndrueshmërinë ekonomike dhe për të përmirësuar treguesit socialë. Një pikë e rëndësishme e diskutimeve ishte rritja e përpjekjeve për përshpejtimin e implementimit të projekteve të dakordësuara për të rritur impaktin e tyre në ekonomi. Ndër të tjera u theksua dhe thellimi i bashkëpunimit në fusha me prioritet si turizmi, ekonomia e gjelbër dhe digjitalizimi.

Në takimin me Drejtorin e Departamentit Evropian në Fondin Monetar Ndërkombëtar, z. Alfred Kammer, z. Mete rikonfirmoi vazhdimin e reformave në kuadër të konsolidimit fiskal dhe angazhimin për përmirësimin e administrimit në mbledhjen e të ardhurave. Nga ana e tij, z. Kammer vlerësoi përpjekjet për përmirësimin e parametrave fiskalë dhe makroekonomikë dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave për forcimin e menaxhimit të financave publike dhe zgjerimin e bazës së të ardhurave.

Në takimin me Zv/presidentin e Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) z. Alfonso Garcia Mora temat e diskutimit ishin bashkëpunimi në drejtim të zhvillimit të sektorit privat, duke adoptuar iniciativa të reja inovative për lehtësimin e kreditimit të ekonomisë.

Gjithashtu, Ministri i Financave dhe Ekonomisë mori pjesë në seancën plenare të Takimeve Vjetore të BB dhe FMN, ku u trajtuan çështje me rëndësi sa i përket zhvillimeve dhe sfidave të ekonomisë globale.