Mbi 20% e bizneseve të vogla ishin më humbje në 2020, bizneset e mëdha i rezistuan krizës

353
Sigal

Bizneset e vogla kanë qenë më shumë të prekura nga efektet e krizës pandemike në krahasim më të mëdhatë.

Një anketë e Bankës së Shqipërisë në rreth 1200 biznese në të gjithë vendin ka gjetur se ndër bizneset e vogla që kanë zhvilluar veprimtarinë në vitin 2020, rreth 20 për qind e tyre rezultuan me humbje.

Për me tepër shumica e tyre nuk janë optimiste as për ecurinë e shitjeve në 6 mujorin e vitit 2021, pasi parashikojnë ecuri të dobët të shitjeve.

Në të kundërt vetëm 7% e bizneseve të mëdha kanë raportuar bilanc me humbje në 6-mujorin e dytë të vitit, ndërsa në bizneset e mesme raportuan humbje 12.2 për qind prej tyre.

Pas tre dekadash ekonomi tregu struktura e biznesit po shkon drejt bizneseve të mesme dhe të mëdha. Vitet e fundit tendenca është përforcuar më tej nga rënia e konsumit prej reduktimit të popullsisë dhe lulëzimit të qendrave tregtare dhe supermarketeve.

Struktura e bizneseve në Shqipëri është pasqyre e një zhvillimi ekonomik pa produktivitet. Shumica e bizneseve, mbi 98 për qind janë të vogla dhe ushtrojnë aktivitet në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve të orientuara drejt konsumit. Sipas të dhënave të INSTAT numri i bizneseve të vogla mikro-ndërmarrjet gjatë periudhës 2015-2019 ka shënuar rënie me 2.2 për qind, më shumë se 2300 janë mbyllur.

Nga ana tjetër bizneset e mëdha po vijnë në rritje. Numri i tyre është rritur me 40 për qind gjatë të njëjtës periudhë. Gjithashtu punësimi në bizneset e mëdha është rritur me ritme më të shpejta se në të voglat.

Pandemia e ka thelluar edhe më tej këto tendenca. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raportojnë se gjatë vitit të kaluar 6,600 biznese kaluan në status pasiv, me rritje gjatë 38 për qind në raport me vitin 2019 dhe i takojnë më së shumti bizneseve të vogla ose të vetëpunësuarve.

Sipas të dhënave të INSTAT nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve, shitjet në bizneset e mëdha me mbi 250 punonjës u rriten me 63 për qind gjatë 2025-2019, ndërsa në bizneset e vogla ky tregues u rrit me vetëm me 14 për qind.

Një analizë e Bankës Botërore për Rajonin e Europës Lindore dhe Azisë qendrore, tregon se përqendrimi i bizneseve në madhësi nga të vogla në të mëdha rrit produktivitetin në ekonomi. Por ky proces duhet të ndodhë nën rregulla të drejta të konkurrencës .

Kriza pandemike në bizneset e vogla ndikoi negativisht edhe punësimin në vend. Të dhënat e anketës së tregut të punës, tregojnë se gjatë vitit 2020 gati 37 mijë persona dolën të papunë në raport me një vit më parë. Pjesa dërrmuese e tyre i takojnë bizneseve të vogla.