Leku vazhdon të “avullojë”/ Bie paraja e ngushtë, 340 milionë euro më pak prej dhjetorit

49
Sigal

Totali i depozitave në paranë e gjerë është regjistruar sërish në rënie gjatë muajit Qershor, pranë rreth 1.24 trilionë lekëve, nga rreth 1.25 trilionë lekë që ishte gjatë muajit Maj të këtij viti, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Qershori është muaji i pestë me rënie për këtë tregues, pasi trajektorja rënëse ka nisur që prej muajit Shkurt të këtij viti. Rënie vihet re si në valutë, ashtu edhe në lekë. Ndërkohë, që në valutë jep efekt konvertimi në monedhën vendase për arsye statistikore, në lekë rënia është reale. Treguesi i depozitave në paranë e gjerë ndryshon nga ai i depozitave jo në paranë e gjerë, pasi nuk përfshin jo-rezidentët, pra të huajt, por edhe disa komponentë të tjerë.

Por, ajo që bie më së shumti në sy nga shifrat më të fundit të Bankës së Shqipërisë janë agregatet monetarë. Agregati M1, i njohur ndryshe si paraja e ngushtë, që përfshin paranë jashtë bankave dhe depozitat rrjedhëse plus ato pa afat ka rënë ndjeshëm gjatë qershorit, pranë rreth 583.8 miliardë lekëve, nga rreth 591 miliardë lekë që ishte ky tregues në Maj. Ky indikator është matësi më i mirë i parasë me likuiditet të lartë, pra jo i parasë së “ngrirë”. Madje, duket se kjo rënie është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e rënies së llogarive rrjedhëse dhe atyre pa afat, pasi paraja jashtë sistemit është rritur ndjeshëm gjatë muajit qershor. Treguesi i parasë së ngushtë në muajin Dhjetor të vitit 2022 preku rekordin historik, prej rreth 619 miliardë lekëve, çka do të thotë se në vetëm 6 muaj paraja me likuiditet të lartë ka rënë me plot 35 miliardë lekë, ose diçka më shumë se 340 milionë euro. Për më tepër, këto kursime lidhen më së shumti me shtresën me të ardhurat më të ulëta në shoqëri dhe me individët. Në këtë indikator nuk përfshihen paratë në valutë, çka konfirmon mungesën e ofertës së lekut si një prej shkaktarëve të kolapsit të euros.

Ndërkohë, nëse shohim vetëm depozitat, jo sipas definicionit të parasë së gjerë, kuptojmë se ka një rritje të ndjeshme, prej 1.3% gjatë Qershorit, krahasuar me Majin. Depozitat në euro janë rritur në 6.7 miliardë, nga rreth 6.6 miliardë euro në maj, në rritje me thuajse 90 milionë euro në një muaj. Edhe në lekë indikatori i depozitave raportohet në rritje, prej rreth 1.3%. Pra, pavarësisht se treguesit e ndryshëm të Bankës së Shqipërisë sa i përket depozitave ilustrojnë një panoramë shumë abstrakte dhe me ngjyra nga më të ndryshmet, diçka mbetet e qartë; ka më pak para në qarkullim, ka më pak para të gatshme në qarkullim, dhe ky fenomen prek më së shumti shtresat më vulnerabël të shoqërisë.