Kostot e larta në industrinë e naftës dhe gazit rritin çmimin e prodhimit të mallrave

676
Sigal

 

Çmimet e prodhimit të mallrave në tregun vendas pësuan rritje vjetore te lehtë më 0.5% në tremujorin e fundit të 2018. Instituti i Statistikave deklaroi se në tremujorin e katërt të vitit që lamë pas, indeksi i çmimeve të prodhimit arriti 103,3, duke u rritur me 0,5%, në krahasim me tremujorin e katërt 2017. Indeksi i çmimeve të prodhimit, në tremujorin e katërt 2018, shënoi ulje me 0,6%, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.

Rritjen më të madhe e kanë shënuar çmimet e prodhimit në seksionin “Industri nxjerrëse” me 4,3%. Brenda kësaj industrie vihet re rritja e çmimeve të prodhimit të produkteve në nxjerrjen e naftës bruto dhe gazit natyror me 6,5%. Në tremujorin e katërt 2018, çmimet e prodhimit në aktivitetet e “Industrisë përpunuese” kanë shënuar ulje me 1,5%, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Ndikimin kryesor në këtë ulje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 1,3%,“Përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,9%, “Metalurgjia” me 3,1% dhe “Konfeksionimi i veshjeve” me 1,5%.

-Indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase arriti 101,2, duke u rritur me 1,0%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2017.

-Indeksi i çmimeve të eksportit arriti 106,6, duke u ulur me 0,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Ndryshimi tremujor i indeksit të çmimeve të prodhimit

Indeksi i çmimeve të prodhimit, në tremujorin e katërt 2018, shënoi ulje me 0,6%, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.

-Çmimet e prodhimit, në seksionin ”Industri Nxjerrëse” shënuan ulje me 6,0%, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.

-Çmimet e prodhimit në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” janë ulur me 10,4%.

-Çmimet e prodhimit në seksionin “Industri përpunuese” nuk kanë shënuar ndryshim, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në këtë industri, çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetin “Prodhimi i produkteve minerale jo metalike” dhe “Përpunimi i produkteve ushqimore” janë rritur respektivisht me 0,2% me 0,6%. Ndërsa çmimet e prodhimit në aktivitetin “Metalurgjia” janë ulur me 0,4%.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, indeksi i çmimeve të prodhimit për produktet vendase ka shënuar ulje me 0,1%. Në këtë ulje, ndikimin kryesor e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në seksionin “Industri Nxjerrëse” me 3,2%. Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar ulje me 2,1%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë ulje e kanë dhënë çmimet e prodhimit të produkteve në seksionin “Industri Nxjerrëse” me 8,1 %.