Karantina: Bllokohen fondet për kompesimin e pronave

362
Sigal

Bllokohen fondet për kompensimin e pronave

Ministria e Drejtësisë ka raportuar se në 4 muajt e parë të vitit, ku rreth dy prej tyre i takojnë gjendjes së fatkeqësisë natyrore janë krijuar pengesa në disa objektiva. Një prej tyre është ajo për kompensimin e ish-pronarëve ku distancimi social ka bërë që të mbylleshin për një kohë zyrat për shërbim fizik ndërkohë që nuk ka qenë e mundur tërheqja e fondeve nga dega e Thesarit në Bankën ë Shqipërisë.

“Buxheti i rishikuar për programin e Shërbimit të Kthimit dhe Kompensimit të pronave është 3,737,496,000 lekë. Realizimi i fondeve në shpenzime personeli 85%, vjen si rezultat i 25 vendeve vakante në organikën e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ndërsa për shpenzimet operative 67%. Në zbatim të Udhëzimit nr.14,datë 24.03.2020 shumë fatura nuk janë likuiduar, si rezultat kemi një përqindje të ulët të realizimit të shpenzimeve operative. Në lidhje me fondin e Kompensimit tërheqja e tij nga dega e thesarit në Bankën e Shqipërisë, nuk është kryer për shkak të situatës së krijuar nga COVID 19” thuhet në relacionin e Ministrisë.

Sa i takon produkteve në vijim ministria pranon se janë të paktën katër të cilët shihen me prioritet sa i takon pjesës së kthimit dhe kompensimit të pronave. Së pari shpërndarja e fondit fizik dhe financiar.

“Janë planifikuar 175 subjekte dhe janë realizuar 175. Nga fillimi i muajit Mars është bllokuar procesi i aplikimeve për kompensim, me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për mbylljen e sporteleve në shërbim të qytetarëve dhe vijimin vetëm të shërbimeve online” vlerëson Ministria.

Produkti i dytë është ai i vendimeve të ankimuara në Gjykatë. “Është planifikuar 451 dhe nga vendimet e nxjerra janë ankimuar 451 vendime, ky produkt është realizuar plotësisht. Ju informoj se në 4-mujorin e parë të vitit 2020, nga Sektori i Përfaqësimit Ligjor janë ndjekur 102 çështje të cilat janë regjistruar pranë ATP-se gjatë kësaj periudhe.

Në gjykate janë ndjekur çështje që kanë të bëjnë me njohjen e të drejtës së pronësisë dhe vlerësimin e pronës së njohur për kompensim. Referuar të dhënave të raportuara rezulton se fluksi i padive ka pësuar ulje.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe në këtë sektor janë administruar 349  padi nga të gjitha gjykatat e vendit ku përfaqësuesit e ATP-së pavarësisht se nuk kanë marrë pjesë fizikisht kanë kryer procedurat në mënyrë shkresore përfshirë ankimet dhe rekurset kur ka qenë e nevojshme” shpjegon relacioni.

I njëjti ndalet edhe tek realizmi i produkteve “vendimet për oborret në përdorim” dhe “shpërndarje e fondit fizik nga ALUIZNI” ku të paktën për të dytin është vënë re ulje e numrit të aplikimeve për shkak të situatës.