ISHTI gjobiti 87 subjekte në 2018-n, përfshirë karburante, rafineri dhe restorante

577
Sigal

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka raportuar zyrtarisht, marrjen e masave disiplinore ndaj 87 subjekteve përgjatë vitit 2018. Sipas shifrave janë 49.35 milionë lekë gjoba për subjektet që janë penalizuar me masa administrative. Për sa i përket llojit të aktivitetit të ushtruar nga subjektet e gjobitur, ka një larmi, duke nisur që nga pikat e karburantit, hotelet, restorantet, rafineritë, sektori i shërbimeve apo edhe aktivitetet e agropërpunimit. Nga publikimi periodik i të dhënave, lidhur me kontrollet rutinë dhe masat ndaj subjekteve të gjendura në shkelje, vihet re se në muajt e fundit në vëmendje kanë qenë instalimet elektrike si dhe ruajta e distancave të sigurisë. Po kështu ISHTI ka gjobitur subjekte që në inspektimet e mëparshme u ishte lënë detyrë, realizimi i një sërë masave, ndërkohë që duket se kompanitë nuk kanë plotësuar këto kërkesa. Inspektorati ka gjobitur gjatë vitit 2018 në masën 1.5 milionë lekë subjekte, të cilët janë konstatuar se tregtonin karburant jashtë normave të lejuara, ndërkohë që për raste të tjera kur është konstatuar mungesë dokumentacioni për pajisjet nën presion si dhe mungesë e projektit teknologjik, gjobat kanë variuar deri në 500 mijë lekë. Në disa raste janë vërejtur mungesa të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe masa e gjobës sipas parashikimeve ligjore është luhatur në nivele deri në 500 mijë lekë. Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial është institucioni që ka tagrin të kontrollojë subjekte që operojnë në sektorë të ndryshëm dhe që preken nga disa ligje dhe akte nënligjore si ai; për për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre dhe ligji për garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve nën presion.