Institucionet shpërfillin SPAKU-n

542
Sigal

Lojë mafioze me mos-hetimin e PPP për pajisjet e mjeteve kirurgjikale ku emigranti ‘suvaxhi’, përlan çdo muaj nga 1.2 milion euro. Pagesat fiktive vazhdojnë, ndërsa ish-ministri firmëtar Ilir Beqaj u bë drejtor fondesh

Lojë mafioze me mos-hetimin e PPP të pajisjeve kirurgjikale

 Pagesat fiktive vazhdojnë, Ilir Beqja u bë drejtor fondesh

 

Prej 3 muajsh SPAK-ut nuk i çohen të dhënat që kërkon?/ Drejtorët e spitaleve dhe të Fondit të Kujdesit Shëndetësor, sekserë e mikesha të ministres Manastirliu që kanë hartuar raportet ekonomike e kanë firmosur faturat false, vazhdojnë të jenë në ato detyra, ose janë transferuar në poste të tjera brenda shëndetësisë, ndërsa emigranti suvaxhi Ilir Rrapaj, vazhdon përlanë nga 1.2 milionë Euro çdo muaj, të cilat vetëm Edi Rama e Ilir Beqja e dinë, se në cilët xhepa qeveritarësh dhe mafiozësh përfundojnë realisht

Prej 1 viti, ka nisur hetimi penal për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore-kirurgjikale, ndërsa me Kërkesë Nr. 7393 Prot., datë 1 tetor 2021, SPAK i ka kërkuar informacion financiar Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.Bëhet fjalë për të dhëna lidhur me pagesat, sasinë e seteve kirurgjikale që ka sjellë firma koncesionare “SANISERVICE Shpk”, sasinë e përdorur në spitale, trajtimin e mbetjeve biologjike nga operacionet dhe dezinfektimin e sallave të kirurgjisë.

Burime tepër të sigurta, kanë bërë me dije për “Pamfleti”, se Drejtoria e Fondit Shëndetësor, megjithëse kanë kaluar 3 muaj nga dita e kërkesës së SPAK, nuk i ka dorëzuar akoma të dhënat ekonomiko-financiare të këtij koncesioni për periudhën 10 dhjetor 2015-30 shtator 2021.

Saktësojmë, se SPAK në shkresën dërguar Drejtoreshës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, Albana Çela, ka kërkuar informacion urgjent për fatura-bilancet e koncesionit të sterilizimit gjatë 6 viteve aktivitet.

Sipas urgjencës hetimore, afati ka qenë brenda 10 ditësh, së pari, për faktin se të dhënat janë gati në zyrën e financës së institucionit dhe së dyti sepse kalojnë afatet e hetimit.

Ndoshta vonesa e dhënies së informacionit, është një lojë teatrale që po bëhet nga kupola mafioze e qeverisë dhe SPAK, për të lejuar tejkalimin e afateve të hetimit e t’i vihet kapak dhe kësaj super-vjedhjeje, me PPP në shëndetësi.

Kjo lojë, shpëton ish-ministrin Ilir Beqja, i cili prej 1 muaji është emëruar drejtor i fondeve të huaja në kryeministri, por shpëton dhe 3 ish-drejtoreshat e drejtoreshën aktuale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, të cilat kanë bërë pagesat me raporte bilancesh fiktive.

Prej 6 vitesh, këto drejtoresha kanë firmosur nga 12 milionë Euro pagesa në vit; dhe pasi vjedhjes i ka dalë “tymi”, ministrja Ogerta Manastirliu i ka transferuar në poste të tjera brenda Ministrisë së Shëndetësisë e në agjenci mjekësore, ku qarkullojë miliarda lekë tendera, ilaçe, pajisje mjekësore e licenca për spitale dhe farmaci.

Kjo kontratë koncesioni, me vlerë 96 milionë Euro pa TVSH është sajuar e nënshkruar nga ish-ministri Ilir Beqja, dhënë emigrantit Ilir Rrapaj, suvaxhi në Peruxhia-Itali, i cili tashmë nuk ekziston më në dokumentet tatimore, mbasi në skenë kanë dalë 3 italianë e 2 kosovarë.

Ndërsa kryeministri Edi Rama e ka miratuar këtë koncesion, fakt që e vërteton fotografia e tij me suvazhiun Ilir Rrapaj dhe fotografia me Ilir Beqjen më 19 Dhjetor 2013, bërë në Rajonin e Peruxhias-Itali.

Kujtojmë, se shkak për hetimin e nisur nga SPAK, ishin indiciet për abuzime financiare, fatura e raporte volumesh fiktive, bërë nga drejtoresha aktuale e Fondit Shëndetësor, Albana Çela dhe 3 ish-drejtoreshat mikesha të Ramës e Manastirliut, në bashkëveprim me italianët Umbro Staçini, Giorgio Tardioli e administratorin Admir Daca.

Një nga provat, është fakti se firma koncesionare “SANISERVICE Shpk” që merr 12 milionë Euro në vit, ose 8-10 herë më tepër se kostoja faktike; në bilancet tatimore ka raportuar mashtrimin, sikur gjoja në vitet 2016-2020 ka dalë me humbje totale 2.3 milion Euro nga ky koncesion./