Informaliteti, gjobë për herë të parë e burg herën e dytë, nëse nuk lëshon kupon

755
TIRANË – Çdo kush që ka të drejtë të lëshojë kuponin tatimor dhe nuk e jep atë do të mbajë përgjegjësi administrative dhe në rast përsëritje do të ketë ndëshkim penal. Pas shqetësimit të ngritur nga deputetët socialist dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim një ditë më parë, se neni 13 i Kodit Penal i ndryshuar, ishte i paqartë në pikën se kush do të mbante përgjegjësi, administratori apo punonjësi, qeveria solli një tjetër formulim që parashikon të penalizim të personit që ka detyrimin e lëshimit të kuponit tatimor.
“Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore , moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore , nga personi i cili ka detyrimin të lëshojë kuponin tatimor në momentin e transaksionit , kur më parë është dhënë masë administrative , përbën vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burgim” , ndryshohet neni 13.
Ndonëse opozita kërkoi që mosdhënia e kuponit të mbetet kundravajtje qeveria theksoi se nuk ka ndërmend të përkrah informalitetin.
“Moslëshimi i kuponit tatimor nuk mund të përbëjë krim, sepse nuk përbën krim në asnjë vend të Bashkimit Evropian edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh deputeti demokrat Eduard Halimi.
“Qeveria po i thotë jo informalitetit dhe nëse opozita ka vendosur që të mbrojë informalitetin le ta bëjë sot këtë dhe gjithë ditën. Ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga kjo histori sepse informalizëm është bërë ekonomia dhe çdo gjë tjetër në këtë vend, kemi arrtiru në këtë pikë, pikërisht për këtë shqiptarët janë të varfër
“Pyetja është shumë e thjeshtë, burg do të bëjë? Është fshehje të ardhurash edhe ai që nuk dorëzon kuponin tatimor për një byrek zonja ministre? Mbasi ka marrë një gjobë 5 milionë lekë të vjetra për kuponin e parë që nuk lëshoi, burg do të bëjë për të dytin ai? 3 qind lekë të vjetra kushton”, u shpreh deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
Importimi, eksportimi apo tranzitimi i paligjshëm i mallrave të ndaluar ose të kufizuara që hyjnë e dalin në Republikën e Shqipërisë, i kryer me çdo mënyrë a mjet qoftë, dënohen me burgim deri në dhjetë vjet. Kontrabanda për mallrat e akcizës dënohet me 7­ deri 10 vite burg . Tregtimi i mallrave kontrabandë dënohet nga 3 deri në 10 vjet burg.
Sigal