Ikën kolaudimi i vjetër, vjen PPP-ja e re

1332
Sigal

Qeveria shqiptare liberalizon kontrollin teknik të automjeteve, por ende pa u tharë vula për mbarimin e  kontratës së parë, firmoset PPP-ja e re e cila i “jep” të drejtë një kompanie të vetme të kontrollojë të gjitha kompanitë e tjera që do bëjnë kolaudimin. Ja tabela ku SGS Albania, fitoi për 10 vjet, 50 milion euro.

Ikën një koncesion i vjetër, vjen një i ri. Qeveria liberalizon kontrollin teknik të automjeteve, por… “jep” me PPP mbikëqyrjen e tij

Qeveria ka vendosur të liberalizojë tregun e kontrollit teknik të automjeteve, që sot vijon të kryhet ende nga kompania SGS Automotive Albania, pas zgjatjes së kontratës me 16 muaj. Me kontratën e re kjo kompani që ishte mbajtëse e koncesionit 10 vjeçar mund të vijojë të ushtrojë aktivitetin deri në fund të 2020, por, nëse qeveria vendos lidhjen e kontratës me kompani të reja ajo thjesht duhet të lajmërojë SGS-në tre muaj në avancë. E duket se drejt kësaj rruge është duke u ecur aktualisht ku si fillim janë bërë ndryshimet e nevojshme ligjore në rregulloren e zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.Ndryshimet e para janë bërë në nenin 234 për fushat e kontrollit dhe personelin e ngarkuar me të. Në këtë nen përcaktohet se fusha e kontrollit teknik përfshin të gjitha mjetet rrugore që përcaktohen në Kodin Rrugor. Në pikën 3 të nenit nënvizohet së mjetet që kalojnë kontrollin teknik pajisen me “Certifikatën e kontrollit teknik”. Forma, përmbajtja  dhe  specifikimet  e  tjera  të  kësaj certifikate përcaktohen në udhëzimin e ministrit përgjegjës  për  transportin.  Vlefshmëria  e certifikatës  së  kontrollit  teknik  është  sipas përcaktimeve në Kodin Rrugor.Liberalizmi i tregut është reflektuar në pikën 9 ku thuhet se kontrolli  teknik  i  mjeteve  rrugore  në qendrat e kontrollit teknik kryhet nga subjekte publike ose private, të cilat plotësojnë kriteret e përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për transportin.“Qendrat e kontrollit teknik të reja, që të licencohen nga ministri që mbulon veprimtarinë përkatëse,  duhet të  ndërtohen  mbi  bazën  e kombinimit  të  kritereve  gjeografike  (qasja  e baraslarguar  e  njësive  administrative)  dhe demografike  (numri  i  mjeteve  për  njësi administrative” thuhet në ndryshimet e rregullores.

Ikën një koncesion i vjetër vjen një koncesion/PPP i ri

Por teksa kontrolli teknik është lakuar prej vitesh për një orientim drejt liberalizmit të tregut duket se sërish nuk do të kemi mungesë koncesioni apo Partneriteti Publik Privat, pasi në rregullore është shtuar një nen i ri 234/1. Këtë herë koncesioni do të jepet në fushën e mbikëqyrjes së atyre që ofrojnë shërbimin e kontrollit teknik. Sipas nenit të ri që vjen nën emërtimin e mbikëqyrjes së qendrave të kontrollit teknik nënvizohet se të gjitha qendrat e kontrollit teknik në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të mbikëqyren.

“1. Mbikëqyrja do të kryhet nga një subjekt i specializuar, që mund të jetë subjekt publik ose privat.

  1. Kërkesat e zbatueshme për personelin e punësuar nga subjekti mbikëqyrës i qendrave të kontrollit teknik duhet të mbulojnë këto fusha:
  2. a) kompetencë teknike;
  3. b) paanshmëri;
  4. c) standarde kualifikimi dhe trajnimi.
  5. Subjekti mbikëqyrës i qendrave të kontrollit kryen detyrat e përcaktuara, si më poshtë vijon:
  6. a) mbikëqyr qendrat e kontrollit;
  7. b) verifikon trajnimin dhe  provimet  e inspektorëve;
  8. c) auditon;

ç) monitoron;

  1. d) vlerëson vlefshmërinë e  rezultateve  të kontrolleve teknike;
  2. dh) i propozon ministrit tërheqjen  ose pezullimin e licencave të qendrave kontrolluese dhe/ose të certifikatave të inspektorëve.

 

Mbikëqyrja e qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore mund t’u jepet me koncesion/partneritet  publik  privat  palëve  të treta, në përputhje me ligjin nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar “thuhet në rregulloren e re tashmë të hyrë në fuqi.

SGS Albania, rreth 50 milionë euro të ardhura që nga fillimi i aktivitetit

Në vitin 2009, kompania zvicerane SGS Automotive Albania mori koncesionin e kontrollit autoteknik të automjeteve, e cila më parë bëhej nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, kontroll i detyruar i mjeteve. Në vitin 2018, “SGS Albania”, që ofron shërbimin e kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore, raportoi të ardhura prej 944 milionë lekësh, me rritje prej 5% me bazë vjetore në vitin 2018. Norma e fitimit të koncesionarit ishte 27%, nga 23.5% një vit më parë. Në total, që nga fillimi i aktivitetit në vitin 2009 deri në 2018-n, SGS Albania ka raportuar të ardhura prej 6.3 miliardë lekësh, ose rreth 50 milionë euro, ndërsa fitimi llogaritet në rreth 1 miliard lekë, rreth 8.2 milionë euro (para taksave), sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, bazuar në bilancet e deklaruara të kompanisë.