Sigal

Takimi i ardhshëm i Njësisë për Menaxhimin e Projekteve (PMU) për Tubacionin Adriatik Jon (IAP) do të mbahet në tetor 2018. Sipas burimeve të mediave azere, në këtë takim do të formulohet zbatimi i fazës së parë të projektit.

IAP është tubacioni i dytë i gazit, përveç IGB (Ndërlidhësi Greqi-Bullgari), i cili del jashtë rrugës kryesore të SGC, korridorit jugor të gazit azer.

Sipas raportimit, Baku vendosi se nuk do të kufizohet me vetëm gazin e Shah Denizit dhe me vetëm Greqinë dhe Italinë si pikat e fundit të destinacionit.

Shqipëria, Bosnja, Kroacia dhe Mali i Zi do të ngrenë kompaninë e përbashkët me ndihmën teknike të SOCAR Balkan, bëri të ditur drejtori i SOCAR Balkan, Murad Heydarov.

Tubacioni Jon-Adriatik (IAP) është planifikuar të transportojë gaz natyror nga Fieri, nëpërmjet Malit të Zi dhe Bosnjës, në Split në Kroaci. Tubacioni 516 km do të jetë i dyanshëm dhe kapaciteti i tij vjetor mendohet të jetë 5 miliardë metra kub.

Bëhet e ditur se Kroacia pret të marrë rreth 2.5 miliardë metra kub gaz në vit nëpërmjet tubacionit Jon-Adriatik (IAP), njoftoi Ministria e Mjedisit dhe e Energjisë e Kroacisë për median azere ‘Trend’.

Në Fier, IAP do të lidhej me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP), një projekt në ndërtim e sipër nga një konsorcium që përfshin SOCAR. TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha e Shah Deniz II në Azerbajxhan në Europë.

Shqipëria, Bosnja, Kroacia dhe Mali i Zi nënshkruan në gusht 2016 një memorandum mirëkuptimi me SOCAR mbi projektin IAP.

IAP është një tubacion i propozuar i gazit natyror në Europën Juglindore (EJL) që do të shtrihet nga Shqipëria përmes Malit të Zi dhe Bosnjë- Hercegovinës, në Split në Kroaci. Ajo do të lidhet me Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP). Kapaciteti i gazsjellësit do të arrijë në pesë miliardë metra kub gaz në vit.