Fiskalizimi do të nisë nga 1 Janari

396
Sigal

Mënyra e raportimit të shitjeve për biznesin pranë adminsitratës tatimore do të ndryshojë tërësisht nga 1 janari i vitit 2021. Nga kjo datë, do të nisë fiskalizimi, që do të thotë se bizneset do të lëshojnë fatura elektronike ndaj enteve publike. Këtë e bëri të ditur Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj në një prononcim televiziv

“Të gjithë subjektet që operojnë me shtetin dhe lëshojnë fatura ndaj enteve publike, do të jenë të detyruara që këto fatura t’i lëshojnë fatura elektronike, pra fatura të fiskalizuara. Për këtë proces ne jemi gati dhe kemi filluar të bëjmë një numër të madh trajnimesh për mënyrën sesi do të operohet me faturën në mënyrë elektronike.”

Delina Ibrahimaj shpjegoi se për bizneset që ende nuk kanë blerë një sistem për lëshimin e faturave elektronike do të jetë në dispozicion një periudhë tranzitore deri në datën 1 korrik. Gjatë kësaj periudhe, bizneset do të mund të përdorin pa pagesë portalin “Sefl care”.

“Do të ketë një periudhë tranzitore që do të lejojë bizneset që nuk kanë marrë ende një sistem apo një softëare për lëshimin e fatura elektronike. Duke qenë se periudha është shumë e shkurtër, ne kemi vendosur që të gjithë bizneset që kryejnë transaksione me entet publike, të kenë mundësi t’i kryejnë ato edhe përmes portalit “Self care”, sistemi që ne kemi për menaxhiminn e fiskalizimit. Kjo është për ata që nuk kanë patur mundësi të blejnë një sistem. Do të mund të përdorin pa pagesë portalin “Self care” dhe do të lëshojnë fatura ndaj enteve publike pa pagesë përmes këtij portal.”

Pas kësaj date, të gjitha bizneset do të duhet të kenë blerë një sistem.

“Në datën 1 korrik të 2021, të gjitha transaksionet pa para në dorë do të jenë të fiskalizuara. Nga data 1 janar, deri në 1 korrik, do të kenë mundësi të përdorin portalin “Self care” pa pagesë. Në 1 korrik, duhet të kenë blerë një sistem dhe duhet të operojnë përmes sistemit të ri. Kjo nuk do të thotë që gjatë kësaj periudhe e kanë të ndaluar të lëshojnë fatura elektronike edhe ndaj bizneseve të tjera. Por afati përfundimtar është data 1 korrik. Ndërsa në 1 shtator të 2021, i gjithë sistemi do të jetë i fiskalizuar dhe edhe transaksionet me para në dorë do të jenë të fiskalizuara.”

E pyetur nëse administrata tatimore është gati për fiskalizimin, shefja e Tatimeve e pohoi diçka të tillë.

“Administrata tatimore është gati për të implementuar ligjin e fiskalizimit. Ka qenë gati prej kohësh sepse fillimisht, si kaloi ligji, biznesi do të fillonte të fiskalizohej në shtator të këtij viti. Sistemi është ngritur, stafi është trajnuar. Entet publike që duhet të pranojnë fatura elektronike po ashtu po trajnohen. Faza e parë e trajnimeve ishte informim. Ndërsa nga fillimi i nëntorit e deri në fund të dhjetorit po trajnohen sesi do të përdoret portali “Self care”.”

Aktualisht janë dy subjekte që janë të certifikuara për faturën eletronike për transaksionet pa para në dorë. Ndërsa për ato me para në dorë, sqaroi Delina Ibrahimaj, janë rreth dhjetë subjekte. Megjithatë, ajo pret që ky numër të rritet për shkak se janë shumë subjekte duke u testuar dhe certifikuar.