Financat: Ja si veprohet për të parandaluar krijimin e detyrimeve

706
Ministria e Financave është duke zbatuar të gjithë aktet ligjore dhe nënligjore për të parandaluar krijimin e detyrimeve të reja, duke respektuar marrëveshjen me institucionet ndërkombëtare, por edhe më subjektet që përdorin paratë publike. Por sidomos duke rekomanduar likuidimin e tyre sipas parashikimeve buxhetore.
Ministria e Financave krahas shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të krijuara ndaj subjekteve/individëve në periudhën përpara 31.12.2013, në zbatim të VKM-së nr.50, datë 05.02.2014 “Për miratimin e Strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”, një vëmendje të veçantë i ka kushtuar edhe monitorimit, me qëllim parandalimin e krijimit të detyrimeve të reja.
Ky ka qenë edhe një detyrim, i cili ndiqet nga FMN. Fillimisht (në vitin 2014) sondazhi mbi evidentimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura ka përfshirë vetëm 5 ministri kryesore dhe kishte një periodicitet 3-mujor, ndërsa në vitin 2015, në dakortësi me FMN-në, sondazhi u shtri në të gjitha ministritë e linjës si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe përfshinte një periudhë 4- mujore.
Në kuadër të transparencës me publikun, me informacionin e siguruar nga institucionet e përfshira në këtë sondazh, raportet përmbledhëse janë publikuar edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Financave.
Raporti i fundit i përket periudhës janar –gusht 2015. Ministria e Financave nuk mjaftohet vetëm me evidentimin e detyrimeve të reja të lindura, por organizon takime me institucionet, të cilat raportojnë krijimin e detyrimeve të reja, duke rekomanduar mënyra për likuidimin e tyre, si nëpërmjet rialokimeve të fondeve, apo prioritizimit të shpenzimeve për shlyerjen e detyrimeve deri në fund të vitit korrent.
Konkretisht, në rastin e detyrimeve të krijuara nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, një pjesë e detyrimeve janë shlyer nëpërmjet rialokimit të fondeve nga projekte të cilat kanë një ecuri më të ngadaltë në projektet me një shkallë më të lartë të realizimit të tyre, apo edhe shtimit të fondeve në programin e rrugëve nëpërmjet rishikimit të buxhetit në fund të vitit 2015. Kjo gjë do të reflektohet në raportin që përfshin periudhën janar – dhjetor 2015.
Në lidhje me detyrimet e krijuara nga vendimet gjyqësore, nisur edhe nga vetë natyra e këtij detyrimi, ku procesi gjyqësor nuk ka një afat të përcaktuar kohëzgjatje, institucionet buxhetore nuk janë në gjendje të parashikojnë lindjen e tij apo edhe vlerën përkatëse.
Për këtë arsye këto detyrime trajtohen me një udhëzim të veçantë të Këshillit të Ministrave, nr.1 datë 4.06.2014 “Për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare të njësive të Qeverisjes së Përgjithshme në llogari të thesarit”, i cili ka në përmbajtjen e tij, parimin e likuidimin të vendimeve gjyqësore, jo më vonë se një vit buxhetor nga data e paraqitjes së tij në institucionet përgjegjëse për shlyerjen e vendimit gjyqësor, si dhe parashikon edhe mënyrën e shlyerjes së tyre në rastet e vlerave të konsiderueshme dhe buxheteve të limituara të miratuara për institucionin buxhetor.
Ministria e Financave dhe institucionet në varësi të saj, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha ministritë e linjës që përdorin para publike, është e angazhuar për të respektuar detyrimet ligjore sa i përket ekzekutimit të detyrimeve monetare.
Ministria e Financave, pikërisht për arsyen e mësipërme, bën publike në mënyrë periodike të dhënat e buxhetit si dhe ka rritur shkallën e transparencës, duke treguar një vëmendje të veçantë sidomos ndaj monitorimit, me qëllim parandalimin e krijimit të detyrimeve të reja.
Në kuadër të strategjisë, deri më datë 31 Dhjetor 2015, Ministria e Financave ka alokuar në total rreth 18.38 miliardë lekë detyrime të prapambetura sipas kategorive: (i) investimet publike, janë alokuar 6.31 miliardë lekë, (ii) shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.96 miliardë lekë, (iii) rimbursim TVSH-je, Tatim Fitimi dhe Akcize janë alokuar rreth 5.87 miliardë lekë, (iv) “Të tjera” janë alokuar 5.23 miliardë lekë ku përfshihen: detyrimet për “vendimet gjyqësore”, janë alokuar rreth 3.75 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 0.27 miliardë lekë dhe “Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.2 miliardë lekë.
Sigal