Fermerët dhe monopoli i tregut. Zyra e BE kundër mashtrimit financiar: Po finalizohen raportet e hetimit për listat e IPARD

26
Sigal

Fermerët dhe monopoli i tregut/ Zyra e BE kundër mashtrimit financiar  për hetimet ndaj Shqipërisë: Po finalizohen raporte përfundimtare

 

Dëmin më të madh, duket se e kanë shkaktuar fondet e destinuara për agro turizmi. Në listën e subjekteve përfituese në vitin 2023 nga skema e mbështetjes IPARD për ndërtimin e agro-turizmëve gjenden lehtësisht, persona të lidhur me politikën, të cilët kanë marrë qindra mijëra euro, për të ndërtuar restorante luksoze, por që duken shumë larg ofrimit të shërbimit të një agro-turizmi.

Nga Julian Hoxha

Bujqësia dhe blegtoria duket se nuk janë në ditën e tyre më të mirë në Shqipëri. Viti 2024 nisi me lajme jo të mira për fermerët shqiptarë, pasi qeveria, uli buxhetin total, që shkonte për Ministrinë e Bujqësisë dhe për rrjedhojë edhe fondet për mbështetjen direkte të fermerëve.

Në buxhetin e këtij viti, qeveria i dha Ministrisë së Bujqësisë rreth 14 miliardë lekë të reja në total buxhet, ose rreth 9% më pak se një vit më parë. Ndërsa buxheti për mbështetjen e bujqësisë, blegtorisë, tregjeve, agronomisë etj, llogaritet në rreth 7 miliardë lekë, të cilat shpërndahen në disa kategori.

Këtë vit, ashtu siç kemi theksuar dhe në emisionin e disa javëve më parë, Shqipëria nuk do të përfitojë nga fondet Ipard, për shkak të abuzimeve financiare që kanë ndodhur në të shkuarën dhe që do të trajtohen në këtë emision. Por fillimisht le të ndalemi te situata me bujqësinë dhe blegtorinë në vendin tonë.

Prej disa javësh, në jug të vendit, blegtorët janë ngritur në protesta, pasi janë kundër monopolit të fabrikave të përpunimit të qumështit. Sipas blegtorëve, baxhot, kanë ulur çmimin e blerjes së qumështit nga blegtorët, duke e grumbulluar atë nën kosto.

Pas disa protestash, mbajtur në disa qytete të vendit, blegtorët zhvilluan në Tepelenë një takim me ministren e Bujqësisë Anila Denaj një takim, disa javë më parë, e cila u premtoi zgjidhje të këtij ngërçi, pas një hetimi që ka nisur tanimë Autoriteti i Konkurrencës.

Kanë kaluar tre javë nga takimi që blegtorët zhvilluan me ministren, por deri më tani, ata nuk kanë marrë zgjidhje, madje, blegtorët iu rikthyen protestave, ku pak ditë më parë bllokuan aksin Gjirokastër-Sarandë, në vendin e quajtur Ura e Gajdarit.

Protestat e blegtorëve vijojnë. Por bashkë me ta, një tjetër grup interesi kanë nisur një bojkot të pazakontë, fermerët e disa fshatrave të Beratit dhe Fierit, nuk po vjelin kastravecin. Në datën 24 shkurt, fermerët e serave në fshatra Samaticë e Drenovicë të Beratit, si dhe ata të Sukut në Roskovec, zhvilluan disa takime mes tyre, ku morën vendimin drastik për të mos vjelë kastravecin. Shkak edhe për këtë situatë, është çmimi i ulët që ofrojnë pikat e grumbullimit për blerjen e kastravecit, i cili sipas fermerëve, është nën kosto. Fermerët kërkojnë gjithashtu që qeveria të miratojë krijimin e një burse për çmimet e prodhimeve bujqësore, e cila do të zhbënte jo vetëm monopolin e krijuar deri më tani, por do të parandalonte spekulimet me çmimet.

Panorama e bujqësisë dhe blegtorisë në Shqipëri përfshinë protestat e kohëve të fundit lidhur me mbështetjen financiare të shtetit, mungesën e fuqisë punëtore, çmimet e larta të imputeve bujqësore, burokracitë e panumërta shtetërore për marrjen e certifikatave të pronësisë së tokave, duket se tregu dhe monopoli i grumbulluesve me caktimin e çmimeve, po i jep një tjetër goditje të fortë një prej sektorëve jetik të ekonomisë së vendit.

Njëjtë si në Roskovec, edhe fermerët në Korçë dhe Devoll, kanë protestuar, pasi sipas tyre, pikat e grumbullimit nuk po marrin mollët. Mbi 16 mijë tonë mollë, rrezikojnë të kalben në këtë qark, pasi nuk kanë treg për shitje.

Kjo është një panoramë, e asaj që ka ndodhur gjatë ditëve të para të janarit dhe shkurtit të këtij viti me situatën e fermerëve dhe blegtorëve në vendin tonë. Përtej problemeve të zakonshme me mbështetjen financiare të shtetit, mungesën e fuqisë punëtore, çmimet e larta të imputeve bujqësore, burokracitë e panumërta shtetërore për marrjen e certifikatave të pronësisë së tokave, duket se tregu dhe monopoli i grumbulluesve me caktimin e çmimeve, po i jep një tjetër goditje të fortë një prej sektorëve jetik të ekonomisë së vendit.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se në vendin tonë, ka në total një numër prej 260 pikash grumbullimi. Nga këto, shumica dërrmuese, rreth 181 prej tyre, janë pika grumbullimi, që funksionojnë për mbledhjen e frutave dhe perimeve. 60 pika janë për grumbullim të bimëve mjekësore dhe aromatike si dhe 12 të tjera për blegtorinë, ndërsa janë dhe 5 pika me objekt të papërcaktuar qartë.

Shpërndarja e pikave të grumbullimit është e përqëndruar kryesisht në rajonet bujqësore të vendit. Nga 258 pika grumbullimi në total 60 pika grumbullimi kryejnë aktivitet në qarkun Fier, 15 në Vlorë, 17 në Gjirokastër, 52 në Korçë, 13 në Elbasan, 17 në Berat, 13 në Tiranë, 20 në Durrës, 29 në Dibër, 7 në Shkodër, 7 në Lezhë dhe 8 në Kukës.

Këto Pika, parimisht, janë ura lidhëse mes fermerit dhe tregjeve të mëdha të konsumit në vend dhe jashtë tij. Kryesisht, nga këto pika, bëhet eksport i frutavve dhe perimeve pothuajse në të gjithë europën. Ky standard është arritur falë mbështetjes bujare që Bashkimi Europian i ka dhënë Shqipërisë nëpërmjet Instrumentit të financimit IPARD.

Nga të dhënat zyrtare të deritanishme, rezulton se një pjesë e konsiderueshme e pikave të grumbullimit në Shqipëri, janë financuar nga fondet IPARD. Vetëm në qarkun e Fierit, janë financuar 35 pika grumbullimi me një shumë totale prej 9 milionë eurosh nga IPARD, pa llogaritur këtu edhe pjesën e bashkëfinancimit që i takon buxhetit të shtetit.

Ministria e Bujqësisë pretendon se pikat e grumbullimit bashkëpunojnë me rreth 35 mijë fermerë në vendin tonë. Në fakt, pikat e grumbullimit si bazë të aktivitetit të tyre kanë fermerët lokal, me të cilët nënshkruajnë kontrata bashkëpunimi, por veprojnë edhe në kushtet e mirëbesimit.

Nga të dhënat publike të AZHBR, rezulton se disa subjekte në fushën e grumbullimit të prodhimeve bujqësore, kanë përfituar deri në 1 milionë euro fonde nga IPARD. Këto para, të cilat janë dhënë nga BE për të ndihmuar zhvillimin e bujqësisë shqiptare, duket se janë keqpërdorur në disa raste. Së pari, shumë grumbullues kanë krijuar jo vetëm situatë monopoli me çmimet në treg, por njëkohësisht ata janë shndërruar dhe në konkurrues të fermerëve, duke marrë toka me qira e më pas kanë ngritur sera për të mbjellë kultura bujqësore. Kjo ishte një nga arsyet e nisjes së hetimeve nga OLAF për abuzimin me fondet IPARD në vendin tonë.

Për emisionin ‘Plug’, Zyra Europiane kundër mashtrimit financiar, u përgjigjet ekskluzivisht se ka përfunduar hetimet për abuzimin me fondet IPARD, ndërsa dosjen ia ka dorëzuar institucioneve shqiptare. Deri më tani, nga institucionet shqiptare, nuk ka pasur asnjë reagim apo hetim.

OLAF mund të konfirmojë se kohët e fundit ka mbyllur një hetim në lidhje me keqpërdorimin e supozuar të financimit nga programi IPARD II i BE-së në Shqipëri. Siç ishte bërë e ditur tashmë në korrik 2023, Komisioni Evropian pezulloi përkohësisht pagesat nga programi në Shqipëri, ndërsa priste gjetjet e OLAF. Si rezultat i përfundimit të hetimit, OLAF ia ka përcjellë raportin përfundimtar dhe rekomandimet e saj autoriteteve kompetente përkatëse.

OLAF nuk është në gjendje të komentojë më tej. Raportet përfundimtare të OLAF-it i nënshtrohen rregullave strikte të konfidencialitetit dhe nuk bëhen publike nga OLAF për të mbrojtur të drejtat legjitime të personave në fjalë, për të garantuar konfidencialitetin e hetimeve të OLAF-it dhe për ndjekjen e mundshme në procedurat administrative dhe gjyqësore, gjithashtu. sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale. Kur të finalizohen, këto raporte përfundimtare u transmetohen autoriteteve kompetente për ndjekje të mundshme.

Këto abuzime u zbuluan nga OLAF shumë vonë, vetëm pasi disa qytetarë shqiptarë kryen denoncime pranë kësaj zyre me shpërdorimin e fondeve të IPARD.  ‘Plug’, ka gjetur një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të vitit 2019, i cili kishte konstatuar pikërisht abuzimet me skemat mbështetëse në bujqësi nga AZHBR, gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga Frida Krifca. Në raport konstatohen mjaftë shkelje, por ato më kryesoret lidhen pikërisht me kostot e fryra për investimet në ndërtimin e serave apo pikave të grumbullimit.

U konstatua se: Duke përdorur metodën krahasimore midis mesatares së çmimeve të preventivave ofertave të përfituesve. Kështu, përfituesit e serrave diellore, kanë paraqitur preventiva të rritura, afërsisht 43 % të vlerës së investimit total për tre zëra kryesorë (plasmas serrash dhe aksesorë, konstruksione metalike dhe betonin e gropave). Për sa më sipër, duke pasur parasysh faktin se AZHBR, financon nga Buxheti i shtetit jo më shumë se 50% e vlerës së investimit, pra rreth 21.5% e vlerës së subvencionit, është financuar në mungesë të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe të analizave teknike sipas manualeve teknike shtetërore, por në referim të preventivave ofertues të mbështetura në çmimet e tregut vendas ose të huaj.

Në këtë rast, fermerët janë një lojë bixhozi, ata kanë dorëzuar produktin pa pasur asnjë ide se sa do ta shesin, pasi çmimi do të caktohet nga grumbulluesi. Kjo në fakt është një anomali ekonomike, pasi në fakt, është rast i rrallë në një ekonomi tregu, ku çmimin e vendos blerësi dhe jo shitësi. Kjo situatë, është denoncuar nga vetë fermerët,Ministria e Bujqësisë është justifikuar me mos ndërhyrjen në treg, për shkak të ekonomisë së lirë.

‘Plug’ publikon ekskluzivisht edhe përgjigjet e Bashkimit Europian në lidhje me abuzimet e fondeve IPARD në Shqipëri. Për këtë çështje, programi pyeti edhe zyrën e delegacionit të bashkimit Europian në Shqipëri, e cila u shpreh kërkon që autoritetet shqiptare të mbajnë qëndrim për këtë çështje.

Komisioni Evropian ka marrë raportin nga Zyra Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF) – sipas procedurës standarde – mbi zbatimin e programit IPARD në Shqipëri. Shërbimet e Komisionit e kanë vlerësuar atë dhe ne kemi kontaktuar autoritetet shqiptare në përputhje me marrëveshjen ndërkombëtare që kemi me ta, në mënyrë që ata të mbajnë një qëndrim. Pasi Komisioni të marrë një përgjigje nga autoritetet, do të vlerësojmë nevojën për çdo veprim të mëtejshëm.

Duke kërkuar qëndrim dhe reagim nga institucionet shqiptare, Bashkimi Europian shprehet se masat e IPRD III do të vijojnë të jenë në pritje. Këto janë veprime parandaluese, për të ndalur abuzimet me fondet IPARD.

Duke qenë se kemi të bëjmë me paratë e taksapaguesve të BE-së, presim që autoritetet shqiptare ta marrin shumë seriozisht këtë çështje. Që nga korriku 2023, Komisioni Evropian ka ndërprerë rimbursimin e shpenzimeve IPARD për Shqipërinë. Aktualisht, ndërprerja ka të bëjë me shpenzimet e bëra gjatë tremujorit të parë dhe të dytë të vitit 2023. Njëkohësisht, Komisioni Evropian ka vënë në pritje miratimin për të gjitha masat IPARD III. Këto janë masa parandaluese të përkohshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian.

Në të ardhmen, Bashkimi Europian nuk e përjashton rikthimin e ndihmës për Shqipërinë, por duke përcaktuar kushte.

Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet. Meqenëse procedura është në vazhdim e sipër, për momentin nuk mund të jepet më shumë informacion.

Dëmin më të madh, duket se e kanë shkaktuar fondet e destinuara për agro turizmi. Emisioni Plug, disponon listën e plotë të subjekteve përfituese në vitin 2023 nga skema e mbështetjes IPARD për ndërtimin e agro-turizmëve. Mes emrave të përfituesve, gjenden lehtësisht, persona të lidhur me politikën, të cilët kanë marrë qindra mijëra euro, për të ndërtuar restorante luksoze, por që duken shumë larg ofrimit të shërbimit të një agro-turizmi.

Por teksa këto janë masat parandaluese nga vetë bashkimi europian, për abuzimet me fondet e IPARD në Shqipëri, dëmi tashmë është shkaktuar. Pikat e Grumbullimit kanë marrë miliona euro fonde, ndërsa sot ato rrezikojnë të vendosin situatë monopoli në treg.

Si funksionojnë pikat e grumbullimit:

Fermerët dorëzojnë prodhimin e tyre te pika e grumbullimit. Zakonisht, grumbulluesit kur marrin prodhimin te fermerët, nuk paracaktojnë çmimin e blerjes së produktit. Pasi marrin prodhimin, grumbulluesit e magazinojnë duke bërë ambalazhimin për eksport jashtë vendit apo dhe shitje për tregjet brenda vendit. Pasi, gjejnë treg, grumbulluesit njoftojnë fermerët për çmimin me të cilin do të blejnë prodhimin që e kanë grumbulluar disa ditë më herët.

Në këtë rast, fermerët janë një lojë bixhozi, ata kanë dorëzuar produktin pa pasur asnjë ide se sa do ta shesin, pasi çmimi do të caktohet nga grumbulluesi. Kjo në fakt është një anomali ekonomike, pasi në fakt, është rast i rrallë në një ekonomi tregu, ku çmimin e vendos blerësi dhe jo shitësi. Kjo situatë, është denoncuar nga vetë fermerët, të cilët kanë kërkuar miratimin e bursës e njëkohësisht të caktohet dhe një çmim dysheme për prodhime bujqësore të caktuara, çmime të cilat nuk kalojnë nën koston e prodhimit.

Në fakt, zgjidhjet për këtë janë. Ministria e Bujqësisë është justifikuar me mos ndërhyrjen në treg, për shkak të ekonomisë së lirë. Por, ndryshe nga sa pretendon Ministria, Bashkimi Europian ka përcaktuar rregulla të qarta, madje edhe me ndërhyrje në treg në momente që vërehen anomali me çmimet. Në rregulloren e Këshillit të Europës, për organizimin e përbashkët të tregjeve agro-bujqësore, përcaktohet se shteti mund të ndërhyjë me vendosjen e çmimeve referencë në mënyrë që fermerët të mos dëmtohen.

Për hir të qartësisë dhe transparencës, dispozitat për ndërhyrjen publike duhet t’i nënshtrohen një strukture të përbashkët, duke ruajtur politikën e ndjekur në çdo sektor. Për këtë qëllim, është e përshtatshme të bëhet dallimi midis pragjeve të referencës dhe çmimeve të ndërhyrjes dhe të përcaktohen këto të fundit. Duke vepruar kështu, është veçanërisht e rëndësishme të sqarohet se vetëm çmimet e ndërhyrjes për ndërhyrjen publike korrespondojnë me çmimet e aplikuara të administruara të përmendura në fjalinë e parë të paragrafit 8 të aneksit 3 të Marrëveshjes së OBT-së për Bujqësinë (d.m.th., mbështetja e çmimeve të tregut). Në këtë kontekst, duhet kuptuar se ndërhyrja në treg mund të marrë formën e ndërhyrjes publike, si dhe të formave të tjera të ndërhyrjes që nuk përdorin tregues çmimesh të vendosura ex-ante.

Ministria e Bujqësisë në Shqipëri, edhe pse ka nisur diskutimin e kapitujve për negociatat, ende nuk ka miratuar të gjithë kuadrin ligjor që parashikon kjo rregullore për çmimet. Madje, Kosova, që është ende larg integrimit në BE, ka miratuar rregulloren për organizimin e përbashkët të tregjeve.

Në rregulloren e Bashkimit Europian për tregjet, ka dhe praktika të tjera, funksionale për të ndihmuar fermerët. Një prej tyre është grumbullimi i prodhimeve bujqësore dhe ruajtja e tyre në ambiente frigoriferike pa pagesë, deri në gjetjen e tregut. Në një rast tjetër, Bashkimi Europian ndërhyn në treg, duke mbledhur prodhimet bujqësore dhe blegtorale të fermerëve, të cilat kanë mbetur stok, dhe më pas i shpërndanë ato për grupet në nevojë apo institucionet, si: shkolla, kopshte, çerdhe, spitale, qendra sociale etj. Në këtë mënyrë, vendet anëtare të BE ndihmojnë jo vetëm fermerët të dështojnë në shitjen e prodhimeve të tyre, por njëkohësisht evitojnë edhe tenderat për blerje ushqimesh për institucionet publike.

Në Shqipëri, kjo zgjidhje do të ishte shumë efiçente, pasi do të shmangeshin tendera të fryrë për blerje ushqimesh për institucionet publike, e njëkohësisht, fermerët nuk do të ankoheshin për mungesë tregu.