Ekonomia në fokusin e një jave

717
Sigal

Java që lamë pas u karakterizua nga zhvillime të rëndësishme në fushën e ekonomisë, ku ndër kryesoret veçojmë miratimin me 73 vota pro në Kuvend të marrëveshjes së asistencës doganore me kompaninë britanike “Crown Agents”.

11 Nëntor- Shqipëria dhe Serbia angazhohen për të gjetur ura të reja të bashkëpunimit ekonomik. Kryetari i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla si dhe homologu serb, Zeljko Sertic u takuan në Tiranë të hënën. Në një konferencë për shtyp Zhilla tha se gjykoj se ka punë konkrete për të bërë mes dy vendeve. “Kemi burime të mëdha natyrore të pashfrytëzuara si dhe degë të ekonomisë ku mund të investohet, si turizmi, peshkimi apo industria”, tha Zhilla.

12 Nëntor – Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, zhvilloi të martën një takim me ambasadorin e Koresë së Jugut, Gil Sou Shin, si dhe përfaqësues të kompanive të njohura koreane DAEWOO dhe Hanwh. “Shqipëria është një vend në zhvillim dhe atraktiv për investime”, tha Ministri Haxhinasto.  Ai ftoi firmat koreane të marrin pjesë në investimet që planifikohen në këtë sektor.  Ambasadori Sou Shin shprehu gatishmërinë për rritur bashkëpunimin me qeverinë shqiptare.

13 Nëntor – Ministri i MZHEST-së, Arben Ahmetaj, e quajti përmirësimin e klimës ndaj biznesit, si hap i parë i luftës kundër korrupsionit dhe proceseve korruptive, prej të cilave ekonomia shqiptare ka humbur mbi 300 milionë euro gjatë 3 viteve të fundit. “Antikorrupsioni është prioritet objektiv dhe suksesi ndaj tij është pasojë e mbizotërimit të ligjit”, tha ai.

13 Nëntor – “Ministria e Ekonomisë ka qenë e ekspozuar ndaj korrupsionit në shumë sektorë dhe vlerësimi i situatës ishte hapi i parë që ndërmorëm me masa më të prekshme për publikun, me ndikim në jetë njerëzish dhe financa”, deklaroi të mërkurën ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, në Konferencën Kombëtare “Lufta kundër korrupsionit”.

13 Nëntor.- “Shtyllat kryesore të cilat ne i shohim si të domosdoshme për ndryshimin e sistemit financiar janë ; transparenca, edukimi, përmirësimi i thellë ndaj taksapaguesve, forcimi i zbatimit të ligjit dhe ndryshimi i legjislacionit dhe reforma strukturore, theksoi Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, në konferencën kombëtare “Lufta kundër korrupsionit”.

13 Nëntor-  Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi të mërkurën raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit “Për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2012”. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i pranishëm në seancë, akuzoi qeverinë e mëparshme për paaftësi në menaxhim të financave publike, ashtu si edhe për korrupsion. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, pavarësisht se mbrojti politikat e qeverisë për financat publike të zbatuara në vitin 2012, konfirmoi bashkëpunimin me Ministrinë e Financave për audit të administratës tatimore, për të ndëshkuar shkelësit e ligjit dhe ata që kanë krijuar evazion dhe korrupsion.

13 Nëntor – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i konsideroi bankat greke në Shqipëri si pjesë integrale e rëndësishme e sistemit bankar dhe kërkoi që ato te vijojnë kreditimin e ekonomisë në vend.

14 Nëntor – Kuvendi miratoi me 73 vota pro marrëveshjen e asistencës doganore në shërbimin doganor me kompaninë britanike “Crown Agents”.

14 Nëntor – Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, ka vendosur të krijojë ura të reja bashkëpunimi me shoqatat e bizneseve, qe u mirëprit prej tyre sot, në takimin me zëvendesministren, Brunilda Paskali.