Eduard Halimi: 8 pyetje për çmimin e naftës dhe 8 për çmimin e energjisë

393
Sigal

Eduard Halimi – Këshilltar ligjor i së drejtës ndërkombëtare private analizë për Telegraf.al

“Zgjidhja e problemit të çmimeve me Borde qeveritare si ai i naftës që pretendon qeveria ka pak ose shumë pak mundësi të vendosë nën presion shitjen me pakicë të naftës dhe nëprodukteve të saj, dhe kjo do jetë maksimumi e përkohëshme. Mund të ndikojë kur ka abuzim/spekulim, që ështe proces i dënueshem por dhe aq i përkohëshëm.”

Ka një zhvillim domethënës këtë javë në lidhje me rritjen e çmimeve. Qëllimi im për të cilin po shkruaj është të jap këndvështrimin tim si pjesë e një ekipi profesionistësh që merremi me kontratat ndërkombëtare dhe këshillojmë më shumë se 100 kompani, ku qartazi dy produktet që po ndikojnë dhe do të ndikojnë edhe në vijimësi janë nafta dhe energjia. Rritja e çmimit të tyre, sjell efekt domino tek të gjitha çmimet e produkteve jetësore për qytetarët. Dhe meqënëse qeveria tha dje se do ngrinte një bord qeveritar për naftën për të ndalur rritjen e çmimeve, foli për ngrirje kontratash dhe lutje e larje mëkatesh, gjykova të ndaj njohuritë e mia me qytetarët në pozicionin e njohësit të ligjit, duke ia lënë profesionistëve të tjerë çështjen e mëkateve, larjes së tyre etj etj.

Dua të theksoj që në fillim se çështja e “krizës” me çmimin e naftës dhe asaj të çmimit të energjisë nuk janë e njëjta gjë. Problemi i energjisë është akoma më i madh, do krijojë akoma më shumë ndikim në rritjen e çmimeve, por mund edhe të menaxhohet dhe zgjidhet me një mirëqeverisje për arsyen e thjeshtë se një pjesë jo e vogël e prodhojmë vetë dhe se është më e lehtë marrëdhënia me aktorët. Aktorët në rastin e çmimit të energjisë janë :

1- Prodhuesit vendas privat +publik

2- Tregtarët e energjisë

3- Qeveria dhe bordet e saj të energjisë

Problemi i naftës është ndryshe pasi neve naftën për konsum të brendshëm vetëm e importojmë. Marrëdhënia me aktorët është më e vështirë dhe aktorët, që ndikojnë në çmim janë :

  1. Korporatat e huaja të mëdha të shitjes së naftës,
  2. Tregëtarët e importit me shumicë,
  3. Tregtarët me pakicë (çmimi i tabelës) dhe
  4. Qeveria e cila ka rreth 10 institucione që 5 prej tyre i kanë vënë taksa çmimit fundor dhe 5 të tjerë që kontrollojnë çdo ditë.

Lidhur me Naftën

Çmimi që blejnë qytetarët sot përbehët nga:

1. Cmimi (kosto+fitim) i prodhimit, trasportit, ngarkimit, shkarkimit, shitjes me shumicë/pakicë për 3 aktorët më sipër
2. Taksat që lëvrohen për llogari të shtetit (106.4 lekë/litër).
a. Akciza 37 lekë/litër
b. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) 30 lekë/litër
c. Taksa e qarkullimit 27 lekë/litër
d. Taksa e karbonit 3 lekë/litër
e. Rilicencimi 7 lekë/litër
f. Taksa e markimit 1 lek/litër (koncesionari)
g. Skanimi 1.4 lekë/litër (koncesionari)

Si një profesionist i së drejtës ndërkombëtare private dhe njohës i kontratave globale në fushën e hidrokarbureve, të njohura gjerësisht mes nesh profesionistëve si “Supply Agreement” (Kontrata furnizimi ndërkombëtarë), zgjidhja e problemit të çmimeve me Borde qeveritare si ai i naftës, që pretendon qeveria ka pak ose shumë pak mundësi të vendosë nën presion shitjen me pakicë të naftës dhe nëprodukteve të saj, dhe kjo do jetë maksimumi e përkohëshme. Mund të ndikojë kur ka abuzim/spekulim, që është proces i dënueshëm, por dhe aq i përkohshëm.

Ajo që dua të spjegoj qytetarëve është se çmimi, që blejnë qytetarët sot përbëhet nga:

  1. Çmimi (kosto+fitim) i prodhimit, trasportit, ngarkimit, shkarkimit, shitjes me shumicë/pakicë për 3 aktorët më sipër
  2. Taksat që lëvrohen për llogari të shtetit (106.4 lekë/litër).
  3. Akciza 37 lekë/litër
  4. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) 30 lekë/litër
  5. Taksa e qarkullimit 27 lekë/litër
  6. Taksa e karbonit 3 lekë/litër
  7. Rilicencimi 7 lekë/litër
  8. Taksa e markimit 1 lek/litër (koncesionari)
  9. Skanimi 1.4 lekë/litër (koncesionari)

Pra nga ai çmimi i tabelës që mer qytetari psh 224 lekësh/litër sot, shteti merr 106.4 dhe vetëm 117.6 lek (më pak se 1 eur/për litër) i marrin të gjithë së bashku ata që prodhojnë, trasportojnë nga vendi i prodhimit, ngarkojnë, shkarkojnë, depozitojnë, shesin me shumicë, pakicë, dhe deri tek pagesa punonjësi apo roja i pikës së karburantit.

Ajo që mund të bëjë qeveria është të heqë/reduktojë taksat, që rëndojnë mbi çmimin e tabelës për konsumatorët, duke e ulur barrën e 106.4 lekë çmimin dhe për defiçitin e saj mund menaxhojë këtë fare mirë mund “të ngrijë” shpenzimet e saj të luksit, për udhëtimet turistike të KM&Co në panaire ose për të anulluar ndonjë projekt si ai i ndërtimit/dërgimit të Satelitit tonë shqiptar në hapësirë se jemi dhe në muajin mars që ishte premtuar. Dhe këtë mund ta bëjë shumë thjesht pa bërë asnjë bord për të cilin edhe do paguhen antarët me para’ shtesë. Padyshim që mund të bëjë dhe kontrollin për çdo abuzim me çmimin dhe për këtë ka 3-4 Institucione që paguhen. Mund dhe duhet të vendosë paketa ndihme për qytetarët siç po bëjnë vendet fqinje dhe ekspertët e ekonomisë mund ta qartësojnë fare mirë këtë. Mund t’i lutet, t’i falet dhe tua falë mëkatet që KM i paska zbuluar çuditërisht vetëm dje, por sërish kjo do jetë e përkohëshme, sado që të premtojë qeveria, sepse qeveria e ka shumë të veshtirë atë pjesën tjetër të 117 lek/l pra rreth 0.9 eur/litër.


Arsyeja?

Ne nuk prodhojmë dot naftë për tregun e brendëshëm. Ne vetëm e importojmë atë! Nga 4 aktorët që ndikojnë tek çmimi i tabelës, unë shoh vetëm 2 që mund të bëjnë diferencën, 1 dhe 4: Pra, Korporatat e huaja të shitjes me shumicë dhe qeveria.

Ja 8 pyetje, që ndoshta na nxjerrin në disa konkluzione për çmimin:

  1. Është e vërtetë se çmimi i tabelës së tregëtarëve me pakicë (ajo që blen konsumatori) ka në përberje më shumë se 106.4 lek/l vetëm taksa të cilat i merr qeveria dhe jo tregëtari i pikës së karburantit?
  2. A ulet çmimi i naftës që blejnë qytetarët nëse qeveria redukton disa nga taksat më sipër?
  3. Është e vërtetë që tregëtarët e pikave të karburantit me pakicë, furnizohen nga ata me shumicë dhe këta të fundit e importojnë në bazë të kontratave ndërkombëtare të furnizimit vetëm nga jashtë apo në e prodhojmë në vend?
  4. Për çfarë depozite nafte të Albeptrolit flet qeveria kur AlbPetroli disponon vetëm Crudo Oil (naftë bruto) dhe mundësia që qeveria të ndihmonte përpunimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj për tregun e brendshëm në Shqipëri nuk e ka më, dhe sado që të përpiqet tani as nuk e rikthen dot dhe as nuk ndërton dot një Rafineri të re, përfshi faktin kryesor se nafta jonë e nëntokës “Crudo oil”, ajo e Albpetrolit, kërkon një teknologji të avancuar dhe një kosto të jashtëzakonshme përpunimi për shkak të nivelit bitumit dhe viskozitetit që përmban Crudo Oil yne?
  5. Përderisa ne nuk prodhojmë dot naftë për përdorim të brendshëm si do ta ulë çmimin e naftës së importit qeveria që mbërin në portet tona?
  6. A mund të ndërhyjë qeveria në kontratat globale “Supply Agrement” që kanë lidhur importuesit për 2022?
  7. A mundet “bordi qeveritar” që të mbrojë në IÇ (arbitrazh) konfliktet eventuale që mund të lindin mes kompanive shqiptare të importit dhe kompanive globale të furnizimit ? (qeveria nuk mbron vehten në IÇ jo me kompanitë)
  8. Si do e zgjidhte qeveria problemin nëse importuesit do të ndërprisnin kontratat e importit të naftës?

Përgjigjia e këtyre pyetjeve ndoshta do të ndihmojnë qytetarët të kuptojnë se çmimi, që ata blejnë dhe protestojnë me të drejtë rritet nga taksat e qeverisë dhe nëse ato nuk ulen atëhere çmimi do të vijoje të rritet.

Ndaj këtë zgjidhjen e dytë të qeverisë pas lutjes për larjen e mëkateve me rezerva dhe rafineri nuk e kuptova. Me shumë gjasa ka që qeveria të mbajë premtimin për ndërtimin/dërgimin në hapësirë të atij satelitit shqiptar (se po ikën dhe marsi) sesa të zgjidhë problemin e përpunimit të naftës vendase me forcat e veta (burime të brendëshme). Për atë të satelitëve nuk kam shumë info se çfare kontrate mund të bëjë, por për kontratat ndërkombëtare të furnizimit dhe konfliktet në IÇ (Arbitrazhin Ndërkombetar) jam mëse i informuar.

“Në një shtet ku sundon rule of law, Ndoshta kontrolli i duhur kushtetutes Parlament/Ekzekutiv/Drejtesi do verifikonte nëse kane lidhje, por të gjithë janë të zënë me gjëra më të mëdha se kjo! Dhe kur nuk ka rule of law e vetmja zgjidhje duket protesta qytetare.”


Për Energjinë

Por ajo që doja të flisja është energjia për të cilën unë dhe ekipi im konsultojmë më shumë se 60 kompani vendase dhe ndërkombetare të prodhimit në Shqipëri. Siç e kam thënë dhe para 6 muajsh kur qeveria shpalli luftën e madhe, (të rradhës) pa ardhur kjo e Ukrainës, situata është krejt ndryshe. Dhe besoj se ekspertet e ekonomisë do më vijnë më shumë në ndihmë duke argumentuar se “nëna” e rritjes se çmimeve të gjithë produkteve është energjia. Sepse nëse ti rrit çmimin e energjisë fabrikave të miellit natyrisht që ajo kosto do përcillet në çmimin e miellit, bukës, makaronave etj ejt.

Siç thashë edhe më sipër, ndryshe nga nafta, të cilën qeveria nuk e prodhon/përpunon dot në vend, energjinë vendi ynë e prodhon këtu.

Kriza e krizave është energjia thotë KM. “Bomba më e madhe do jetë energjia” tha miku im dhe një nga ekspertët më të mirë të financave në Shqipëri, Florian Mima.

Dhe ka të drejtë se energjia është “nëna” e çmimeve, por situata tek energjia është ndryshe. Aty kemi Prodhues energjie dhe kemi tregëtare energjie. Aty kemi dhe borde plot, ku me i famshmi është ai i ERE, kemi të famshmen OSHE me 95% punonjës patronazhistë, Kemi FTL, etj etj të cilët paguhen që të gjithë prej qytetarëve sa tek fatura e energjisë çdo muaj. Por ajo që vjen dhe do vijë është rritja e faturës në supermarket të çdo produkti.

Tek energjia nuk ka nevojë për fantazi dhe larje, fshehje mëkatesh. Prodhimi i brendshëm i energjisë përbëhet nga :

  1. 60 % nga HEC shtetërore
  2. 20% nga Prodhuesit e mëdhenj
  3. 20% nga prodhuesit e vegjël.

E gjithë kjo është e qartë se ende nuk mjafton për gjithë konsumin e brendshëm. 6 muaj më parë unë spjegova sesi qeveria brenda një nate bleu energji me çmime shumë herë më të larta se bursa HUPEX me 290 euro/MWH ndërkohë që prodhuesve vendas ia blinte me 60 euro/kw. Një menaxhim të mirë vjetor apo disa vjeçar të kaskadës së Drinit nuk do të kishte këto mungesa të menjëhershme të energjisë në prodhimin vendas. Menaxhimi i prodhimit të kaskadës së Drinit duhet parë në lidhje të ngushtë me gjithë prodhimin vendas. Kjo ishte skema fillestare kur u ofruan nga qeveria investimet në hec- et dhe fotovoltaikët e vegjël. Kjo skemë u prish dhe KESH nuk përfiton nga 532 MW hece dhe fotovoltaike për ta optimizuar ujin e rezervuarëve të kaskadës.

Ndaj dhe KM thotë se do të duhen 640 mln euro për t’ia dhënë FTL ( Furnizuesi i tregut të lirë FTL , pjesë e OSHEE ) që të blejë në treg të huaj energjinë ( importoje) nga tregëtarët e energjisë. Kjo është mungesë e thellë profesionalizmi dhe menaxhimi pa vision. Ai nuk thotë se duhet të ndihmojë në prodhimin vendas, të nxisë, lehtësojë suportojë, investimet në prodhimin e energjisë këtu, sepse siç thamë naftën nuk e përpunon dot, por energjinë po, por synon blerjen nga jashtë.

Importimi, blerja e energjisë nga jashtë është “Kutia e Pandorës” shqiptare. Bordi i ERE dhe prodhuesit me përparësi janë në një konflikt të vazhdueshëm, pasi në vend që ti ndihmojnë ata po i ushtrojnë represion me kërcënim për ulje çmimi, vendosje tarifash, kërkesa për ndërtime stacionesh meteo pa asnjë ndikim, dhe nga ana tjetër kryetarët arrogantë të bashkive të emëruar në 2019 nga KM si ai Kukësit, i kanë rritur deri në 100 fish tarifat dhe taksat vendore ndaj këtyre prodhuesve. Përveç problemit të disbalancave për të cilët për hir të së vërtetës qeveria po bën përpjekje dhe diskutime konstruktive për t’i zgjidhur, ku dhe unë dhe ekipi im ka marrë pjesë, për çështje të tjera prodhuesit janë venë në vështirësi të jashtëzakonshme. Nëse sot qeveria ka nevojë për ta për t’i nxitur ndoshta duhet t’i thërrasë dhe me siguri ato do t’i tregojnë këtë herë të gjithë mëkatet e qeverisë, zyrtarëve arrogantë, kryetarëve arrogantë të bashkive dhe korrupsionit teëndodhur në çdo qelizë. Nëse qeveria do t’i thërrasë para se të ulërrasë për krizën e krizave mund të zgjidhë jashtëgjyqësisht me qindra procese gjyqësore, që janë bllokuar në kolapsin e gjykatave në vend, jo për faj të prodhuesve vendas dhe t’i lehtësojë ata nga pagesat për avokatët dhe shpenzimet gjyqësore.

Ja 8 pyetje që ndoshta na nxjerin në disa konkluzione në lidhje me krizën e krizave që premton KM

  1. A është e vërtetë se taksat/tarifat lokale dhe vendore janë super rritur gjatë vitit 2021-2022 nga pushteti qendror/vendor për prodhuesit me përparësi të energjisë?
  2. A është e vërtetë se çmimi që po blen qeveria prodhuesve me përparësi vendas gjatë 2022 është rreth 65 Euro/ MWh?
  3. A po blihet energjia nga (importi) nga FTL me mbi 300 Euro / MWh (për marsin 2022 nuk rezulton blerje), por çmimi sot është 390 në HUPEX?
  4. A janë në konflikt ERE /administrata qendrore/ lokale me prodhuesit e vegjël të energjisë duke i vënë këta të fundit në vështirësi financiare në vend që t’i ndihmonin për të rritur investimet në rreth 100 procese në gjykata?
  5. A ka lidhje ky represion ndaj prodhuesve vendas, me importin e energjisë nga 60 Euro/MWh brenda në 290 euro/ MWh importi?
  6. A është e vërtetë se qeveria kërkon të favorizojë tregëtaret e energjisë dhe jo prodhuesit vendas?
  7. Pse nuk ua bën të ditur qeveria emrat e pronarëve përfitues të tregëtarëve të energjisë, por ato i marrim vesh nga Pandora Pampers?
  8. Nëse qeveria do t’i harxhonte ato 640 mln euro për prodhuesit vendas nxitjen e investimeve të reja në energji HEC, Eolike (ere) apo Voltaike (diellor) dhe jo tregëtarët e energjisë, a do stimulohej prodhimi vendas, imvestimet në prodhimin e energjisë dhe ndihmohej ulja e çmimit të energjisë nga 350 sot në ndoshta 100 nga prodhuesit vendas (nga 70 që ua blen sot)

Dhe e fundit pse qeveria nuk i jep leje zhvillimore të paktën 40 HEC, që janë në pritje të cilët mund të kishin sjellë gati 200MW ?

Përgjigjet? Në një shtet ku sundon rule of laë, Ndoshta kontrolli i duhur kushtetutës Parlament/Ekzekutiv/Drejtësi do verifikonte nëse kanë lidhje, por të gjithë janë të zënë me gjëra më të mëdha se kjo!

Dhe kur nuk ka rule of law e vetmja zgjidhje duket protesta qytetare. Përgjigjet e pyetjeve ndoshta ndihmojnë të kthjellohen sa qytetarët dhe aq aktorët.