Dëmi 6,8 milion euro. Ja rekomandimet për ministrin Gjiknuri

768
Sigal

KLSH/ Raporti i auditimit në Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë për koncesionet

KLSH pas auditimit në Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë (MEI), për koncesionet e dhëna gjatë periudhës 01.10.2011 deri më 31.12.2012 ka konstatuar një dëm prej 6.8 milionë euro. Në auditimin e tij, KLSH raporton se është konstatuar një nivel i ulët i realizimit të investimeve për shumë nga koncesionet e dhëna. Për këtë mosrealizim në afatet e parashikuara sipas kontratave koncesionare, janë llogaritur penalitete në masën 10 % të vlerës së investimit të munguar, të cilat duhet të arkëtohen nga 10 shoqëri koncensionare në shumën 578 milion lekë. Problem tjetër është mungesa e përllogaritjes, kontabilizimit dhe kërkimit nga Autoriteti Kontraktor detyrimi i dy shoqërive koncesionare në fushën e bakrit, gjithsej në shumën 253 milion lekë.

 Nga auditimi, KLSH ka konstatuar gjithashtu një sërë problemesh të mprehta të zbatimit të kontratave koncesionare, sidomos:

a) Mungesa e regjistrit të koncesioneve, i cili nuk është hartuar nga Autoriteti Kontraktor, në kundërshtim me ligjin nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”.

b) Ulja e prodhimit vjetor të energjisë elektrike nga ana e koncesionarit, me miratimin e projektzbatimit të ndryshuar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

c) Vonesa jo vetëm nga koncesionarët (për të cilat llogariten penalitete për Koncesionarin), por dhe nga Autoriteti Kontraktor e vetë Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Një gjendje e tillë ka qenë shkak për fillimin me vonesë të punimeve në objektet koncesionare dhe në ndërtimin e hidrocentraleve, sipas afateve të parashikuara në kontrata.

d) Nga auditimi i dokumentacionit për monitorimin e zbatimit të kontratave koncesionare në ish Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore janë vërejtur problematika dhe konflikte të shoqërive koncesionare kryesisht për kuotat e veprave energjitike. Grupi i Oponencës Teknike Shtetërore dhe Grupi i Identifikimi të Projekteve Propozimeve (GIPP) në METE, në disa raste, përpara realizimit të proçedurave konkuruese, nuk kanë vlerësuar me korrektësi të gjitha detajet mbi analizën e rentabilitetit, fizibilitetit dhe të përshtatshmërisë teknike të projekteve të paraqitur, duke sjellë edhe konfliktet midis operatorëve ekonomikë.

e) Nga auditimi është konstatuar se kushtet e parashikuara në Kontratat Koncesiononare, për kërkesa apo probleme të së njëjtës natyrë, janë të ndryshme, duke i vënë koncesionarët në pozita të pabarabarta edhe pse procedurat e përzgjedhjes mbështeten në të njëjtën bazë ligjore. Në hartimin e disa kontratave nuk janë pasqyruar mendimet e Avokatit të Shtetit, duke mos parashikuar afate të paraqitjes së projektzbatimit për miratim nga Autoriteti Kontraktor, mungesë të Pagesës Koncesionare, të penaliteteve për mosrespektimin e afateve, apo nivel i ndryshëm penaliteti për shkelje të njëjta të kushteve të kontratës. Këto mangësi të kontratave krijojnë mundësinë që koncesionarët të mos vihen para përgjegjësisë e të mos penalizohen në rastet e mosrespektimit të kushteve të projektimit, realizimit dhe përfundimit të koncesionit në parametrat e projektuar, duke i favorizuar ata, krahasuar me interesat e Shtetit, që mbeten të pa mbrojtura dhe, siç ka rezultuar, të rrezikuara nga papërgjegjshmëria e këtyre operatorëve ekonomikë.

g) Koncesionarёt nuk paraqesin informacion mbi realizimin e investimeve në vlerë, mungojnë situacionet për punimet e realizuara, faturat tatimore e doganore, nuk paraqiten bilancet e shoqërive koncesionare për aktivitetin vjetor, etj. Mungojnë procesverbalet e fillimit të punimeve, procesverbalet e mbikëqyrësit për punimet e kryera, etj. Mungesa e dokumentacionit ka bërë të pamundur vlerësimin real të investimeve të kryera, duke sjellë edhe pamundësinë e llogaritjes së penaliteteve nga Autoriteti Kontraktor.

l) Nga auditimi i kryer në monitorimin e kontratave koncesionare janë konstatuar raste të transferimit të aksioneve deri në masën 100% (edhe menjëherë pas lidhjes së kontratës koncesionare) duke ruajtur vetëm emrin e shoqërisë koncesionare të krijuar mbas lidhjes së kontratës koncesionare me fituesin, dhe duke i lënë formalisht të drejtat e detyrimet kësaj të fundit, në cënim të plotësimit të marrëdhënieve kontraktuale dypalëshe. Raste të tilla kompromentojnë marrëveshjet koncesionare dhe marrëdhëniet me Shtetin, lidhur me përgjegjësitë e koncesionarit gjatë gjithë kohës së koncesionit.

ll) Nga auditimi i dokumentacionit rezulton se për vitet 2011 dhe 2012, vetëm për një numër shumë të vogël të HEC-eve të futur në prodhim, është kryer testimi në prani të përfaqësuesve të Autoritetit Kontraktor dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Prania e Autoritetit Kontraktor në testimin e veprave është e domosdoshme për të saktësuar respektimin e kushteve të kontratës të cilat janë të pandryshueshme si, fuqia e instaluar dhe prodhimi vjetor i energjisë, pa lënë mënjanë kushtet e tjera që kanë të bëjnë me vlerën e investimit të realizuar, makineritë e pajisjet e vëna në punë, etj.

Rekomandimet kryesore të dhëna nga KLSH:

1. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me strukturat e saj të varësisë, të rishikojë strategjinë kombëtare, në mënyrë që t’i jepet zgjidhje problemeve të shfrytëzimit të kapaciteteve ujore, përdorimit të tyre pa përkeqësuar jetën dhe aktivitetin e përditshëm të qytetarëve, si dhe në respekt të aspekteve mjedisore dhe marrëveshjeve rajonale të shfrytëzimit të ujërave. Strategjia të reflektojë edhe ndjekjen dhe monitorimin e këtyre koncensioneve, për të patur një panoramë të plotë të veprave energjetike të dhëna me koncesion dhe ecurinë e tyre.

2. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, të marrë masa të menjëhershme për krijimin dhe plotësimin e regjistrit të koncesioneve, si dhe të një database ku të pasqyrohen të dhënat për të gjitha koncesionet e dhëna. Ky regjistër të jetë i disponueshëm për të gjithë të interesuarit.

3. Duke shfrytëzuar hapësirat e Nenit 28 të Kontratës, që lejon ndryshime, shtesa dhe/ose zëvendësime, me marrëveshje me shkrim nga palët, Ministria e Energjisë dhe Industrisë të ngrejë një grup pune me specialistë të fushës ligjore e teknike, duke evidentuar problemet e natyrave të ndryshme në Kontratat e nënshkruara, dhe duke bërë rekomandimet konkrete për përmirësimet e mundshme ligjore, me qëllimin që koncesionarët në fushën e ndërtimit e shfrytëzimit të hidrocentraleve të vihen në pozita të barabarta, gjithmonë duke vepruar në mbrojtje të interesave të Shtetit.

4. Ministria e Energjisë dhe Industrisë të punojë mbi bazë të kontratave tip (sipas niveleve të parametrave energjetikë) të hartuara në bashkëpunim me Avokatin e Shtetit, duke siguruar në këtë rast që të trajtohen të gjithë koncesionarët njësoj, por dhe të mbrohen interesat e Shtetit.

5. Ministria e Energjisë dhe Industrisë të realizojë ndërhyrjet e duhura në aktet ligjore dhe nënligjore, si dhe të ndërmerren iniciativa për hartimin e një udhëzimi të veçantë lidhur me procedurën e transferimit dhe masën e aksioneve, për të cilën nuk duhet të kalojë 49% të tyre (pra koncesionari i përcaktuar fitues në garë të jetë zotërues i paketës kontrolluese), dokumentacionin e nevojshëm që duhet të paraqesë subjekti, si dhe procedurën e vlerësimit të dokumenteve të paraqitura dhe kapaciteteve ekonomiko-financiare e tekniko-juridike.

6. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, në bashkëpunim të ngushtë me Avokaturën e Shtetit, të analizojë dhe të vendosë për vazhdimësinë e mëtejshme të kontratave koncesionave, që janë në kushtet e shkeljeve serioze të marrëveshjeve koncesionare, duke mos zbatuar detyrimet kontraktore, si dhe duke e bërë të pamundur realizimin e veprave energjitike në kohë, por duke patur parasysh që vendimi të mos ketë kosto për Shtetin dhe të synojë vënien në eficencë të këtyre projekteve.

7. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, të përcaktojë kufij maksimalë për të gjitha rastet e ndryshimit në rritje të parametrave hidroenergjetik, si fuqinë e instaluar, prodhimin vjetor të energjisë elektrike, apo vlerën e investimit, si dhe të kërkojë pasqyrimin e ndryshimeve në Kontrata Shtesë të nënshkruara nga palët. Testimi i veprës të bëhet mbi bazën e treguesve të përmirësuar hidroenergjetikë..

8. Mbështetur në nenin 28 të Kontratës Koncesionare, të bëhen ndërhyrjet e nevojshme ne Kontrata, ku të cilësohet që parashikimi i prodhimit vjetor të energjisë elektrike, të mos bjerë nën nivelin e shpallur fitues, në të kundërt të ketë sanksione për koncesionarin.

9. Të bëhen përmirësimet apo plotësimet e nevojshme në Rregulloren e miratuar të funksionimit të Oponencës Teknike Shtetërore pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ku të reflektohen problematikat e konstatuara. Të përcaktohen afate konkrete për kthimin e përgjigjeve apo paraqitjen e dokumentacionit të munguar nga koncesionarët, në rastet kur kërkohen plotësime apo rregullime të Projektzbatimit, afate që do të garantonin një oponencë cilësore.

10. Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, në mënyrë urgjente duhet të përgatisin një bazë rregullatore që do të qartësojë mënyrën e organizimit, funksionimin, bashkëveprimin, dokumentacionin që duhet mbajtur në terren nga grupet e monitorimit të Kontratave Koncesionare.

11. Nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, të kërkohet nga KESH sh.a., arkëtimi i shumës 48,045,049 lekë, si detyrimi për fee koncesionare për prodhimin e realizuar dhe të shitur KESH sha, për vitet 2011-2012, e cila nuk është derdhur në buxhetin e shtetit.

Shkeljet me dëm ekonomik

Nga auditimi, KLSH ka konstatuar një dëm ekonomik për 956 milionë lekë, ose afërsisht 6.8 milionë Euro, e konkretisht:

a. 84 906 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga mosushtrimi i penaliteteve nga

Autoriteti Kontraktor për dorëzimin me vonesë të projektzbatimit të kontratave

koncesionare për faj të koncesionarit, në masën e përcaktuar në kontratë prej 0.005% tё

vlerёs sё investimit pёr çdo ditё vonesё,

b. 578 426 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga mosushtrimi i penaliteteve nga

Autoriteti Kontraktor për mosrealizimin në afat të investimeve të parashikuara në kontratat koncesionare, në masën e përcaktuar në kontratë prej 10% të vlerës së investimit të munguar,

c. 38 980 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga mosushtrimi i penaliteteve nga

Autoriteti Kontraktor për mosrealizim të prodhimit të parashikuara në kontratat

koncensionare për periudhën janar 2011 deri më 31 dhjetor 2012 të 8 koncensionarëve, në masën e përcaktuar në kontratë prej 100% të vlerës së prodhimit të parealizuar,

d. 717 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga mospërllogaritja nga Agjencia Kombëtare e

Burimeve Natyrore të tarifës së oponencës teknike mbi projektzbatimin e kontratave

koncensionare,

e. 836 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga përllogaritja e gabuar nga Agjencia

Kombëtare e Burimeve Natyrore të tarifës së openoncës teknike mbi projektzbatimin e

kontratave koncensionare,

f. 251 796 000 lekë si shumë e paarkëtuar nga mos përllogaritja dhe mos kontabilizimi

i detyrimeve të kontratave koncesionare në fushën e bakrit.