Çmimi i naftës arrin nivelin më të lartë që nga nëntori

580
Sigal

Çmimi i naftës ka shkuar në nivelin më të lartë që nga nëntori i vitit të kaluar pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do t’i sanksionojnë të gjitha shtetet që blejnë karburante nga Irani. Ky vendim po paraqet presion për importuesit, të cilët do të jenë të detyruar të heqin dorë nga tregtia me vendin islamik.

Një fuçi nafte u shit për 74.70 dollarë, shifër që paraqet nivelin më të lartë që nga 1 nëntori. Pavarësisht vendimit të Uashingtonit, prodhimi i madh nga Arabia Saudite dhe importimi i mundshëm i naftës së papërpunuar iraniane nga Kina mund ta baraspeshojë tregun.

“Shumica presin që Kina të vazhdojë ta blejë naftën e Iranit dhe madje mund ta rrisë sasinë e blerjeve”, tha Bjarne Schieldrop, ekspert për strategji në SEB.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën se blerësit e naftës iraniane duhet t’i ndalojnë blerjet nga ky shtet deri më 1 maj nëse dëshirojnë t’iu shmangen sanksioneve amerikane. Ky shtet kishte kërcënuar edhe më parë me sanksione, por ua kishte ofruar shteteve një afat shtesë prej gjashtë muajsh për ta vazhduar tregtinë me Iranin.

Arabia Saudite është shteti që eksporton më së shumti naftë në botë dhe de fakto edhe udhëheqëse e OPEC-ut, e cila ka marrë vazhdimisht vendime për zvogëlim të prodhimit të naftës me qëllim që të rritet çmimi i naftës së papërpunuar, shkruan “Reuters”.