Cani: Ja lehtësirat që krijohen për bizneset nga ligji i ri i Tatimeve

711
Sigal

TIRANE – Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka qenë sot në Komisionin e Ekonomisë, ku në fokus të diskutimit kanë qenë lehtësirat tatimore për bizneset. Në fjalën e tij, Ministri i Financave Cani, ka mbrojtur ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore në Republiken e Shqiperisë”.
 
Sipas Canit, ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, ofrojnë lehtësira për bizneset, dhe se janë 3 synimet bazë të kësaj pakete. Cani shpjegoi se një ndër lehtësirat që krijohet është tashmë administrata tatimore do të publikojë aktet e vendimeve të gjykatave, me qëllim që biznesi të njihet me to.

Po ashtu vendoset afat i shkurtuar për garancitë financiare, ndërsa mundësohet edhe shkurtim i kohës së përgjigjeve nga apelimi nga 3 muaj në 16 ditë. Një tjetër lehtësirë e parashikuar në ndryshimet e ligjit do të jetë edhe rimbursimi i TVSH mbi bazë të analizës së riskut.

“Tre janë synimet bazë pjesë e paketës së lehtësirave që i kërkohen procedurave tatimore. Detyrohet administrata tatimore të publikojë aktet që kanë të bëjnë me vendimet e gjykatave që biznesi të njihet me to. Vendoset afat i shkurtuar për garancitë financiare. Kemi shkurtuar kohën e përgjigjeve të apelimit në 16 ditë ka qenë 3 muaj më parë. TVSH do rimbursohet mbi bazë të analizës së riskut.” u shpreh Cani.
 
Më tej Ministri i Financave u ndal edhe tek grupi i dytë i ndryshimeve në këtë ligj, ku më kryesorja do të jetë lufta ndaj informalitetit. Në këtë kuadër, Cani tha se do të lehtësohet shkëmbimi i informacionit. Gjithashtu do të përgjysmohen gjobat ndaj biznesit, por në rast se ato do të përsëriten mbi tre herë, atëherë do të cilësohet si vepër penale, evazion fiskal.

“Lehtësohet shkëmbimi informacioni , përgjysmohen gjobat, nëse rastet përsëriten mbi tre herë quhet evazion fiskal.” tha Cani
 
Ndërsa nismë tjetër që vihet në zbatim me ndryshimin e ligjit, është se Drejtoria e Apelimit, do të kalojë në varësi të Ministrisë së Financave në tërësi dhe jo si drejtori.
 
“Jemi munduar të marrim parasysh dy çështje jashtë reflektimit në këtë projektligj. Njëra është drejtoria e apelimit të kaloj në varësi të Ministrisë së Financave si tërësi jo vetëm drejtori.” tha ai